Ja ndryshimet në Gjykatën Kushtetuese, të Lartë, Administrative dhe Prokurori

585
Gazeta ka siguruar të gjitha ndryshimet që do të ndodhin në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Administrative, si dhe në gjykatat e Apelit, të Faktit dhe në Prokurori. Ndërkaq përveç draftit të ndryshimeve kushtetuese që shkojë deri në 57 nene të ekspertëve të PS, draft më vete kanë përgatitur dhe dërguar në Komisionin e Venecias edhe LSI dhe PD. Së shpejti një delegacion ekspertësh dhe politikanësh do të jenë mysafirët e Komisionit të Venecias ku flitet se nga ana e këtij komsioni është sugjeruar që të mos jetë pjesë e delegacionit kreu i komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi.
Pjesa e tetë, Gjykata Kushtetuese
Neni 14: Në nenin 124 shtohet paragrafi 3. Neni 124: 1. Gjykata Kushtetuese (GJK) garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. 2. GJK i nënshtrohet vetëm Kushtetutës. 3. GJK ka buxhet të veçantë që e administron në mënyrë të pavarur. Neni 15: Neni 125 ndryshon si më poshtë vijon: Neni 125: 1. GJK përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë, tre (3) prej të cilëve emërohen nga Presidenti, tre (3) anëtarë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre (3) anëtarë nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë (GJL) dhe Gjykatës së Lartë Administrative (GJLA). Anëtarët që emërohen nga Presidenti dhe Kuvendi përzgjidhen nga lista e hartuar nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi (KED). Procedura e emërimit të anëtarëve të GJK parashikohet në ligj. 2. Gjyqtarët e GJK emërohen për 12 vjet, pa të drejtë riemërimi dhe përzgjidhen nga rradhët e juristëve me të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë të së drejtës, nëpunës të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës. Kandidatët nuk duhet të jenë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale, si dhe të mos jenë angazhuar në forumet drejtuese të partive politike. Kriteret e hollësishme për emërimin e anëtarëve të GJK parashikohen në ligj. 3. Përbërja e GJK përtërihet çdo 4 vjet, në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj. 4. Kryetari i GJK zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën absolute të anëtarëve të GJK, për një periudhë 4 vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Procedura e zgjedhjes së Kryetarit të GJK parashikohet me ligj. 5. Gjyqtari i GJK vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij. Neni 16: Neni 126 ndryshon si më poshtë vijon. Neni 126: Gjyqtari i GJK gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij. Neni 17: Neni 127 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 127: 1. Mandati i gjyqtarit të GJK mbaron kur: a) Mbush moshën 70 vjeç; b) Përfundon mandati 12 vjeçar; c) Jep dorëheqjen; ç) Deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë; d) Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose vendim përfundimtar në një procedurë disiplinore. 2. Mbarimi i mandatit të anëtarit të GJK deklarohet me vendim të GJK. 3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar gjyqtarin paraardhës, sipas nenit 125/1, emëron një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar. 4. Në rast se mandati i gjyqtarit përfundon për shkaqet e parashikuara në nënparagrafët c); ç) dhe d) të paragrafit 1 të këtij neni, si dhe për shkelje disiplinore, sipas nenit 128, procedura e emërimit të anëtarit të ri fillon menjëherë dhe përfundon brenda 60 ditëve nga deklarimi i mbarimit të mandatit nga GJK. Neni 18: Neni 128 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 128: Anëtari i GJ K mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Neni 19: Pas nenit 128 shtohet neni 128/a, me këtë përmbajtje: Neni 128/a. Në rast se anëtari i GJK jep dorëheqjen, ia paraqet atë Kryetarit të GJK, i cili njofton menjëherë organin e emërtesës për plotësimin e vendit vakant, sipas nenit 125. Neni 20: Neni 129 (i pandryshuar). Gjyqtari i GJK fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës. Neni 21: Neni 130 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 130: Qenia gjyqtar i GJK nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, përveç kur parashikohet ndryshe në ligj. Neni 22: Në nenin 131 ndryshohet shkronja f, si më poshtë vijon. f) Shqyrtimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër vendimeve gjyqësore dhe akteve të pushtetit publik që cënojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave përveç kur është parashikuar ndryshe në Kushtetutë. Neni 23: Në nenin 131 shtohet shkronja g, me këtë përmbajtje: GJK vendos për: g) Shqyrtimin e mosmarrëveshjeve juridiksionale, si dhe të kompetencës lëndore dhe funksionale midis GJL dhe GJLA, si dhe midis vetë GJK dhe GJLA. Neni 24: Neni 132 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 132: 1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. 2. Vendimet e GJK, si rregull, hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare, përveç kur është parashikuar ndryshe në ligj. GJK mund të vendosë që ligji ose akti tjetër normativ të shfuqizohet në një datë tjetër. Mendimi i pakicës botohet bashkë me vendimin. Neni 25: Neni 133 (i pandryshuar). 1. Pranimi i ankesave për gjykim vendoset nga një numër gjyqtarësh, siç përcaktohet me ligj. 2. GJK vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj. Neni 26: Neni 134 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 134: 1. GJK vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të: a) Presidentit të Republikës; b) Kryeministrit; c) Jo më pak se një së pestës së deputetëve; ç) Avokatit të Popullit; d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit; dh) Çdo gjykate sipas rastit të nenit 145 pika 2 të kësaj Kushtetute; e) Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale; ë) Komisionerit kundër Diskriminimit; f) Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP); g) Organeve të qeverisjes vendore; gj) Organeve të bashkësive fetare; h) Partive politike dhe organizatave të tyre; i) Individëve. 2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët ç, d, e, ë, f, g, gj, h dhe i të paragrafit 1 të këtij neni mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështjet që lidhen me interesat e tyre.
Pjesa e nëntë, gjykatat
Neni 27: Neni 135 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 135: 1. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga GJL, GJLA si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj. 2. Gjykimi administrativ organizohet në dy shkallë dhe përfshin Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe GJLA. 3. Kuvendi krijon gjykata për fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme. Neni 28: Neni 136 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 136: 1. Anëtarët e GJL dhe të GJLA emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të KLGJ, me mandat 12 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. 2. Anëtarët e GJL dhe të GJLA zgjidhen nga rradhët e gjyqtarëve me të paktën 15 vjet përvojë, si dhe mes juristëve të spikatur me jo më pak se 20 vite përvojë që kanë punuar si avokatë, profesorë të së drejtës, ose në administratën e lartë publike. Ata duhet të mos jenë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale si dhe të mos kenë qenë të angazhuar në forumet drejtuese të partive politike. Kriteret dhe procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të GJL dhe të GJLA, si dhe kushtet për vazhdimësinë e ushtrimit të profesionit të gjyqtarit përcaktohen me ligj. 3. Kryetari i GJL dhe Kryetari i GJLA zgjidhet për një periudhë 5 vjeçare pa të drejtë rizgjedhjeje, me votim të fshehtë dhe me shumicën absolute të anëtarëve. Procedura e zgjedhjes parashikohet në ligj. 4. Gjyqtarët e tjerë emërohen nga KLGJ. 5. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit shqiptarë me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.
Neni 29: Neni 137 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 137: 1. Gjyqtarët gëzojnë imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tyre. 2. Gjyqtarët mbajnë përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit. Neni 30: Neni 138 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 138: Koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet, përveç rasteve kur parashikohet në Kushtetutë. Paga dhe përfitimet e tjera nuk mund të ulen, përveç rasteve kur ndaj gjyqtarëve jepet një sanksion. Neni 31: Neni 139 ndryshohet si më poshtë vijon. 1. Mandati si gjyqtar i GJL ose GJLA mbaron kur: a) Mbush moshën 65 vjeç; b) Përfundon mandati 12 vjeçar; c) Jep dorëheqjen; ç) Deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor te formës së prerë; d) Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. 2. Mbarimi i mandatit të anëtarit të GJL ose GJLA deklarohet përkatësisht me vendim të GJL ose GJLA. 3. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar gjyqtarin paraardhës, sipas nenit 136/1, emëron një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar. 4. Në rast se mandati i gjyqtarit përfundon për shkaqet e parashikuara në nënparagrafët c); ç) dhe d) të paragrafit 1 të këtij neni, si dhe për shkelje disiplinore, procedura e emërimit të anëtarit të ri fillon menjëherë dhe përfundon brenda 60 ditëve nga deklarimi i mbarimit të mandatit nga GJL ose GJLA. Neni 32: Pas nenit 139 shtohet neni 139/a, me këtë përmbajtje: Neni 139/a. Në rast se anëtari i GJL ose i GJLA jep dorëheqjen, ia paraqet atë Kryetarit të GJL ose Kryetarit të GJLA, i cili menjëherë njofton organin e emërtesës që plotëson vakancën brenda 60 ditëve. Neni 33: Neni 140 shfuqizohet. Neni 34: Neni 141 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 141: GJL dhe GJLA kanë juridiksion rishikues dhe sigurojnë zbatimin uniform të ligjit nga gjykatat më të ulëta. Në juridiksionin e tyre hyjnë çështjet gjyqësore që shqyrtohen nga gjykatat më të ulëta, me përjashtim të çështjeve që i përkasin juridiksionit të GJK. 
Neni 35: Neni 142 (nuk ndryshon) 1. Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara. 2. Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Lartë Administrative duhet t’i botojnë vendimet e tyre, si dhe mendimet e pakicës. 3. Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore. Neni 36: Neni 143 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 143: Qënia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligji. Neni 37: Neni 144 shfuqizohet (përfshihet te neni 147). Neni 38: Neni 145 (nuk ndryshon). 1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. 2. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat. 3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve sjell përgjegjësi sipas ligjit. Neni 39: Neni 146 (nuk ndryshon). 1. Gjykatat i japin vendimet në emër të Republikës. 2. Vendimet gjyqësore shpallen publikisht në çdo rast. Neni 40: Neni 147 ndryshohet si më poshtë vijon. Neni 147: 1. Këshilli i Lartë Gjyqësor garanton pavarësinë, përgjegjshmërinë, si dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. 2. Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë. Gjashtë prej anëtarëve janë gjyqtarë të zgjedhur nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor. Kriteret dhe procedura e zgjedhjes së anëtarëve gjyqtarë rregullohet me ligj. Pesë anëtarët e tjerë vijnë nga avokatia, 1 anëtar, trupa e pedagogëve të drejtësisë, 2 anëtarë, trupa e pedagogëve jo magjistratë të Shkollës së Magjistraturës, 1 anëtar, dhe shoqëria civile, 1 anëtar. Anëtarët jo gjyqtarë emërohen nga Kuvendi me tri të pestat e gjithë anëtarëve mbi bazën e propozimeve nga strukturat përkatëse dhe të opinionit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. 3. Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestash, struktura propozuese bën një propozim të ri brenda 15 ditëve. Këshilli i Emërimeve jep një opinion brenda 7 ditëve nga dorëzimi i propozimeve të reja. Kuvendi voton për kandidaturat e reja brenda 7 ditëve nga dorëzimi i opinionit të Këshillit të Emërimeve. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë kandidatët e renditur më lart nga Këshilli i Emërimeve quhen të emëruar. 4. Ministri i Drejtësisë merr pjesë në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor si vëzhgues. Ministri i Drejtësisë mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve. 5. Anëtarët e KLGJ e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit anëtarët gjyqtarë rikthehen në vendet e mëparshme të punës. Anëtarët jo gjyqtarë që përpara emërimit punonin me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehen në vendet e mëparshme të punës ose në pamundësi, në pozicione të barazvlefshme me to. 6. Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve. Kur në votimin e parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e arrin shumicën prej dy të tretash, brenda 7 ditëve nga votimi i parë bëhet një votim i dytë. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, Kryetari i KLGJ zgjidhet me shumicë të thjeshtë brenda 7 ditëve. Mandati i Kryetarit përkon me atë të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Neni 41: Pas nenit 147 shtohet neni 147/a, me këtë përmbajtje: Neni 147/a. 1. Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron përgjegjësitë e mëposhtme: a) Emëron, vlerëson ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët, me përjashtim të gjyqtarëve të GJK; b) Vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, me përjashtim të gjyqtarëve të GJK; c) I propozon Presidentit të Republikës kandidatët për anëtarë të GJL dhe GJLA, sipas procedurës së caktuar me ligj; d) Miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr respektimin e tyre; e) Drejton dhe menaxhon administratën e gjykatave; f) Propozon dhe administron buxhetin e gjykatave. 2. Këshilli i Lartë Gjyqësor bën planifikimin strategjik për sistemin gjyqësor, raporton publikisht dhe përpara Kuvendit për gjendjen e sistemit gjyqësor, si dhe ushtron përgjegjësi të tjera të caktuara me ligj. Neni 42: Pas nenit 147/a shtohet neni 147/b, me këtë përmbajtje: Neni 147/b: 1. Mandati i anëtarit të KLGJ mbaron kur: a) arrin moshën e pensionit; b) përfundon mandati 5 vjeçar; c) jep dorëheqjen; ç) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose vendim përfundimtar në një procedurë disiplinore; d) deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë. 2. Mbarimi i mandatit të anëtarit deklarohet me vendim të KLGJ. 3. Kur vendi i anëtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar anëtarin paraardhës, sipas nenit 147 emëron një anëtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të larguar. 4. Kur mandati i anëtarit përfundon për shkaqet e parashikuara në pikat c), ç) dhe e) të këtij neni si dhe për shkelje disiplinore sipas nenit 147/c, procedura e emërimit të anëtarit të ri fillon menjëherë dhe përfundon brenda 60 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit që deklaron mbarimin e mandatit të anëtarit paraardhës. 5. Kur anëtari i KLGJ jep dorëheqjen, ia paraqet atë Kryetarit të KLGJ i cili menjëherë njofton organin e emërtesës, i cili plotëson vendin vakant, sipas nenit 147. Neni 43: Pas nenit 147/b shtohet neni 147/c, me këtë përmbajtje: Neni 147/c. Anëtari i KLGJ mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Neni 44: Pas nenit 147/c shtohet neni 147/ç, me këtë përmbajtje: Neni 147/ç. Qënia anëtar i KLGJ nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligji. Neni 45: Pas nenit 147/ç shtohet neni 147/d, me këtë përmbajtje: Neni 147/d. 1. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) është përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore dhe ankesave kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të KLGj, KLP dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre. ILD është përgjegjës edhe për inspektimin e gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë; 2. ILD përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga të cilët vijnë nga gjyqësori dhe 2 nga prokuroria. Ata emërohen nga Kuvendi me tri të pestat e gjithë anëtarëve, midis kandidatëve të përzgjedhur nga KLGJ dhe KLP. 3. KLGJ përzgjedh dhe rendit gjashtë kandidatë nga radhët e gjyqtarëve ose ish gjyqtarëve me të paktën 20 vjet përvojë si gjyqtarë, me rezultate të larta në punë dhe integritet të lartë, mbi bazën e propozimeve të gjyqtarëve. Procedura e përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve rregullohet me ligj. 4. KLP përzgjedh dhe rendit katër kandidatë nga radhët e prokurorëve ose ish prokurorëve me të paktën 20 vjet përvojë si prokurorë, me rezultate të larta në punë dhe integritet të lartë, mbi bazën e propozimeve të prokurorëve. Procedura e përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve rregullohet me ligj. 5. Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestash për asnjë prej kandidatëve të secilit grup, kandidatët e renditur në 3 vendet e para nga KLGJ dhe 2 vendet e para nga KLP quhen të emëruar. 6. Anëtarët e ILD kanë statusin e anëtarit të GJL. 7. Kandidatët për anëtarë të ILD i nënshtrohen një kontrolli të thelluar të pasurisë, të integritetit dhe të së shkuarës. 8. Procedurat për marrjen e vendimeve nga ILD rregullohen me ligj. 9. Ministri i Drejtësisë merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e ILD dhe mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të KLGJ, KLP, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe kryerjen e inspektimeve dhe verifikimin e ankesave. 10. Anëtarët e ILD e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej nëntë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit anëtarët rikthehen në vendet e mëparshme të punës. 11. Inspektori i Përgjithshëm i ILD zgjidhet nga radhët e anëtarëve gjyqtarë me 2/3 e votave të anëtarëve të Inspektoratit. Kur në votimin e parë nuk arrihet shumica prej dy të tretash, brenda 7 ditëve nga votimi i parë bëhet një votim i dytë vetëm për kandidatin që ka marrë më shumë vota në votimin e parë. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë brenda 7 ditëve. 12. Inspektori i Përgjithshëm drejton mbledhjet e ILD si dhe bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës. Neni 46: Pas nenit 147/d shtohet neni 147/dh, me këtë përmbajtje: Neni 147/dh. 1. Mandati i anëtarit të ILD mbaron kur: a) arrin moshën e pensionit; b) përfundon mandati 9 vjeçar; c) jep dorëheqjen; ç) deklarohet nga gjykata i paaftë për të përmbushur funksionin e tij. d) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose vendim përfundimtar në një procedurë disiplinore. 2. Mbarimi i mandatit të anëtarit deklarohet me vendim të ILD. Kur anëtari i ILD jep dorëheqjen, ia paraqet atë Inspektorit të Përgjithshëm, i cili menjëherë njofton organin e emërtesës për plotësimin e vendit vakant, sipas nenit 147/d, pika 2/3/4. 3. Kur vendi i anëtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar anëtarin paraardhës, sipas nenit 147/d, emëron një anëtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të larguar. 4. Kur mandati i anëtarit përfundon për shkaqet e parashikuara në pikat c), ç) dhe d) të këtij neni si dhe për shkelje disiplinore sipas nenit 147/e, procedura e emërimit të anëtarit të ri fillon menjëherë dhe përfundon brenda 60 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit që deklaron mbarimin e mandatit të anëtarit paraardhës. Neni 47: Pas nenit 147/e shtohet neni 147/dh, me këtë përmbajtje: Neni 147/e. Anëtari i ILD mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Inspektimi në këtë rast kryhet nga Ministri i Drejtësisë. Neni 48: Pas nenit 147/e shtohet neni 147/ë, me këtë përmbajtje: Neni 147/ë. Qënia anëtar i ILD nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligji. Neni 49: Pas nenit 147/ë shtohet neni 147/f, me këtë përmbajtje: Neni 147/f. 1. Tribunali Disiplinor i Drejtësisë (TDD) shqyrton rastet e shkeljeve disiplinore dhe vendos masa disiplinore për anëtarët e KLGJ, KLP dhe për Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarët e ILD, anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe punonjësve të këtij Komisioni si dhe shqyrton ankimet kundër masave disiplinore të vendosura ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga KLGJ dhe KLP. 2. TDD përbëhet nga Kryetari i GJK, Kryetari i GJL, Kryetari i GJLA, Prokurori i Përgjithshëm, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, anëtari më i vjetër i GJK, anëtari më i vjetër i GJL dhe anëtari më i vjetër i GJLA. 3. Kryetari i GJK është Kryetar i TDD. Kryetari i GJL është Zëvendës Kryetar i TDD. 4. Organizimi dhe funksionimi i TDD rregullohet me ligj. 5. Ankimet kundër vendimeve te TDD shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.
Sigal