Islami: SHBA i korrigjojnë qëndrimet me kohën, nëse shohin se populli e do Sali Berishën, dalëngadalë…

54
Sigal

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-deputet dhe ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, bëri një parashikim të fortë sot lidhur me qëndrimin që mund të mbajë SHBA-ja ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë, në rast se në krye të saj do të rikthehet zoti Sali Berisha, i shpallur “person non grata” nga Sekretari amerikan i Shtetit.

Në një intervistë z Islami si profesionist me përvojë në diplomaci, u ftua të japë gjykimin e tij mbi deklaratat e debatueshme të ambasadores amerikane Yuri Kim në këto momente delikate për partinë më të madhe të opozitës, por sidomos për atë që pritet të ndodhë pas Kuvendit të PD-së më 11 Dhjetor.

 

Z. Islami, si ka mundësi, që ambasadori i SHBA, zonja Yuri Kim në këtë rast, të paktën sipas asaj që thonë analistë, politikanë e gazetarë, duket se i ka tejkaluar disa vija të kuqe të kompetencave të saj e në një mënyrë ose tjetër, duke ngjallur një lloj rebelimi apo dhe fyerje e pakënaqësi tek pjesë të ndryshme të popullsisë shqiptare. A kemi një tejkalim të kompetencave të përfaqësueses së SHBA-së në Shqipëri? Nëse po, përse nuk kemi ndryshim ose reagim të SHBA-së ndaj kësaj që po ndodh në Shqipëri, për këtë që po ndodh me zonjën Yuri Kim?

 

Kastriot Islami: Ajo që ju përshkruat dhe pyetja që ju përshkruat ka disa kënde, le të themi. Këndi i parë është “marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, që formalisht midis shteteve kanë filluar në 1991 dhe ka 30 vjet që Shqipëria në të gjitha dokumentet zyrtare, pra në programet e partive politike kryesore dhe në programet e qeverive, qoftë parti e vetme, qoftë koalicion, është shpallur partneri kryesor strategjik i Shqipërisë. Pra, kjo nuk ka më asnjë ndryshim. Ka një pjesë votuesish shqiptarësh që janë kryesisht ata të persekutuar, që SHBA-në e kanë pasur në zemër edhe para viteve ‘90. Kanë gati 90 vjet ose më shumë që janë orientuar nga SHBA-ja dhe këtë gjë e kanë në qenien e tyre. Që shtetet kanë këtë marrëdhënie, sigurisht që është vullneti i shqiptarëve sepse, po të ishin shqiptarët që s’donin, asaj partie që donte ta bënte këtë gjë, i thoshin që ne nuk votojmë për ty për këtë arsye dhe, edhe partitë e tjera do ta hiqnin. Pra, politikanët kanë ndjekur një vullnet të shqiptarëve për të pasur SHBA-në si partnerin e tyre kryesor. Ky këtu është konteksti i marrëdhënieve Shqipëri – SHBA.

Po si është përkthyer ky kontekst në marrëdhëniet midis qeverive?! Mund të ketë raste kur qeveritë e ndryshme e kanë tejkaluar masën e këtyre marrëdhënieve. Për shembull, kur ishin zgjedhjet e vitit 2016, Edi Rama u fut në punët e brendshme të SHBA-së duke thënë që kandidati për President, z. Trump, është turpi i njerëzimit. Është shumë e rëndë. Normalisht në këtë rast, SHBA-ja, ambasadori në Tiranë të paktën duhej të thoshte vetëm kaq që “unë nuk lejoj të futeni në punët e brendshme. Ju mund të keni mendimin tuaj, mbajeni atë mendim, thuajani votuesve tuaj, por mos ejani në CNN e SHBA-së apo në New York Times ta thoni këtë gjë”!

E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ambasadoren në Shqipëri, e cila sigurisht nuk ka bërë asnjë deklaratë “eksplicite”, le të themi, por me veprimet e saj ka krijuar ndjesinë, perceptimin, tek një pjesë e madhe e votuesve, kryesisht votues të djathtë dhe kryesisht votues që kanë vuajtur gjatë regjimit komunist…

Deklaratë eksplicite është edhe “konsumi i barit” si ushqim për interesat e një individi të vetëm…

Ju lutem, mund të bëj një parantezë shumë të vogël pse e bëra pyetjen? E bëra pyetjen që SHBA-ja, a e vë re këtë lloj pakënaqësie të dukshme? I referohem asaj në rrjetet sociale, sepse bëhet fjalë për të ruajtur marrëdhënien me SHBA-në, që kam përshtypjen se ngacmohet pak në rastin e zonjës Kim.

Kastriot Islami: Konteksti është që shqiptarët dhe amerikanët midis dy vendeve tona, të kenë marrëdhënie partneriteti e kjo përkthehet në marrëdhënie midis shteteve, qeverive. Pastaj, a e shkelin qeveritë këtë në mënyrë të sofistikuar apo eksplicite?! Unë ekslipicite them “me emra konkretë”, siç është deklarata që thoni ju që “ne toleruam vjedhjen e zgjedhjeve nga Edi Rama” (kjo është eksplicite) sepse  unë (Kryetari i PD) nuk u distancova nga Sali Berisha.” Kjo është eksplicite. Nëse është thënë në mënyrë eksplicite, për mua është e gabuar dhe kam bërë analizë.

Nëse ajo ka thënë atë frazë, që nuk është eksplicite, por nxit, prek ndjenjat e shqiptarëve siç është rasti i barit apo që kanë bërë reagime disa analistë për sa i përket Festës së 29 Nëntorit që e ka vendosur në faqen e saj, të tilla deklarata natyrisht prishin: e para, imazhin e Amerikës në sytë e shqiptarëve dhe e dyta, duke prishur këtë imazh, nxisin një farë antiamerikanizmi. Nuk është sekret që në një sondazh që është bërë, 57% e shqiptarëve janë të orientuar më shumë nga Europa. Po të bëhej kjo pyetje para një viti do të ishim 90% të orientuar nga SHBA-ja.

Sjelljet që kanë prekur ndjenjën (sepse sondazhet matin ndjesinë, perceptimin e qytetarëve) nuk masin sa e vërtetë është. Po t’i pyesësh të gjithë ata çfarë ka të vërtetë, pse u mërzite etj. është, e kanë të vështirë ta përshkruajnë dhe në këtë jetë që jemi tani, ku propaganda, marketingu, ka më shumë vlerë, më i rëndësishëm është perceptimi sesa realiteti dhe dallimi është vështirë të gjendet ku është.

Megjithatë, do të vijmë tek një situatë reale. 11 Dhjetori do të shënojë Kuvendin e thirrur nga delegatët. Kemi z. Soreca që ka deklaruar hapur se do të ketë marrëdhënie normale me PD-në në rastin e marrjes së kryesisë së saj nga zoti Berisha, ndërkohë zonja Kim ka qenë ambige në këtë moment, madje ka pasur edhe qëndrime të kundërta. Sipas jush, raporti i ambasadës amerikane, veçanërisht nën udhëheqjen e zonjës Kim, me PD-në e udhëhequr nga Berisha, si do të jetë?

Kastriot Islami: Që të jemi të sinqertë dhe të hapur me publikun, ka dy qëndrime. Një të shprehur nga zoti Soreca që është përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë dhe një tjetër, disa qëndrime dhe deklarata të ambasadores amerikane në Tiranë e që duhet të jemi të ndërgjegjshëm: është përfaqësuese e Presidentit dhe e DASH-it. Pra, nuk është thjesht ambasadorja. Sigurisht ajo ka një rol personal, por të gjitha këto deklarata nuk janë brenda hapësirës së rolit personal. Ta themi troç, qartë: ka dy qëndrime, një të BE-së dhe një të SHBA-së nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Tiranë dhe një dallim midis këtyre dy qëndrimeve.

I pari, si të thuash, pranon vullnetin e lirë të qytetarëve ose demokratëve shqiptarë për të zgjedhur kryetarin apo kryesinë apo drejtuesin,  kurse SHBA-ja i qëndron konseguent atij qëndrimi i cili e ka nxitur zotin Berisha të ngrejë “Foltoren”, që “Berisha është një person ‘non grata’ dhe ne nuk mund të njohim  një person që e kemi shpallur ‘non grata’, nuk mund ta njohim, nuk do ta njohim më si kryetar të kësaj…”

Se si do të shkojë pasi të zhvillohet kjo… sepse, kini parasysh që SHBA-të janë një shtet i fuqishëm, por edhe që ndryshojnë qëndrime me kohën. Nuk janë perfekt, por korrigjojnë gjatë gjithë rrugës qëndrimet e tyre për t’u adaptuar më mirë për atë që është kryesorja. Kryesorja është që ata duan të kenë marrëdhënie partneriteti me Shqipërinë! Në qoftë se ata shikojnë që populli ka një vullnet tjetër dhe fillimisht ata kanë menduar se nuk ishte ky vullneti i popullit, por tani populli e do Sali Berishën në krye të demokratëve, ata dalëngadalë do të përshtaten.

Për shembull, është një rast i fundit që ju e keni pasqyruar në TV, është FARC në Kolumbi. Dikur ishte një organizatë terroriste, tani pranohet nga SHBA-ja si një bashkëpunëtore, si një e drejtë sovrane e popullit kolumbian për ta vendosur në peizazhin politik të këtij vendit dhe SHBA-të janë të detyruara. Për shembull, SHBA-të ka pranuar në vendin e tyre edhe Fidel Kastron, edhe kryetarin e Iranit, Ahmedinexhad. Pse?! Sepse ky është vullneti i këtij populli.   Nuk i pëlqen ai, e kanë të shpallur “non grata”, por kur vjen puna për ta pranuar, e kanë pranuar.

Nuk e di se çfarë do të ndodhë konkretisht, por tani për tani kemi dy qëndrime që të jemi të hapur dhe të sinqertë me publikun: Kemi një qëndrim të BE-së që është që “ne nuk futemi në punët e brendshme të Shqipërisë dhe ne respektojmë çdo vendim sovran të një partie politike apo të popullit shqiptar dhe në rastin konkret për të PD-së, në qoftë se do të zgjidhet zoti Berisha ne do të bashkëpunojmë njësoj, cilido të ishte ai.

Kemi dhe një qëndrim deri tani konseguent me atë që kanë mbajtur deri para disa kohësh, të SHBA-së që me një “non grata” që ne kemi shpallur, nuk do të kemi. Por, a do të kenë në të ardhmen?! Duhet ta shikojmë dhe të presim.