Ish-Presidenti Alfred Moisiu: Serbia e përfshirë kokë e këmbë në sulmin e Banjskës

42
Sigal

Kreu i shtetit shqiptar gjatë viteve 2002 – 2007 ish-Presidenti Alfred Moisiu kritikoi ashpër qasjen e Serbisë ndaj Kosovës. Qëndrimet kritike të tij u bënë nga Shkupi ndërsa ish-Presidenti i Shqipërisë mori pjesë në konferencën e lidërëve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e panelit ku diskutohej tematika “Integrimi në Bashkimin Evropian, sfidat dhe perspektiva”. Nga Shkupi, ish-Presidenti ngriti me shqetësim situatën e ndodhur nga sulmi terrorist në Banjskë. Ai u shpreh qartazi se Serbia është e përfshirë në këtë sulm. “Në fillim duhet të bëjmë Ballkanin Perëndimor më të sigurtë dhe pastaj të flasim për integrim. Pasi gjithë jemi të shqetësuar për pasigurinë e krijuar në vazhdimësi…Më 24 shtator plasi sulm në rajonin e Banjskës. Jo vetëm plasi por ndodhën disa gjëra për mua çuditërisht të pakuptueshme, kur Beogradi i cili të paktën formalisht është dukur se po kujdesej që problemet mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidheshin paqësisht dhe drejtësisht, po mbante qëndrim shumë shqetësues. Ngjarja që na tronditi të gjithëve jo vetëm që nuk u dënua nga drejtuesit e Serbisë, por u shpall një dite zie për ata që u vranë, të cilët më të drejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Bashkimi Evropian u quajtën terroristë… Pra, duket qartë se këtu është e përfshirë kokë e këmbë edhe shteti serb. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për t’u ulur në bisedime palët, vetëm se ndaj Serbisë duhet të kërkohet më shumë. Këtë nuk e them thjesht si shqiptar. Jo! E them duke gjykuar me zhvillimet reale në rajonin tonë. Mendoj se pikë së pari është e domosdoshme që Kosova të njihet nga anëtarët e Bashkimit Evropian, të cilët deri tani nuk e kanë njohur, janë 5 anëtarë dhe si mund të pretendosh dhe të kërkosh nga të tjerët që të mbajnë qëndrim ndryshe ndaj Kosovës. Por kjo më duket se në situatën e tillë do na krijoj një të ardhme të pashpresë në rast se nuk realizohet. Rruga e vetme për të gjithë janë bisedimet, dy ose shumë palëshe por duhet vendosshmëri e cila deri tani ka munguar. Është më se e nevojshme që për Vuçiç të bëhet e njohur se nuk mund vazhdojë të qëndrojë në dy karrige. Është e pamundur. Historia gjithmonë ka treguar se qëndrimi në dy karrige nuk është largpamës, nuk është dobi-prurës, dhe nuk ndihmon në zgjidhje e problemeve”, tha Moisiu.