Ish-ministri Marko Bello: Në Shqipëri elitat politike nuk qarkullojnë, politikanët kapen me thonj pas kolltukut të pushtetit

512
Sigal

Marko Bello, ish-ministër i PS-së

Vendi ynë i ka shanset për t’u anëtarësuar, por jo duke i fshehur problemet, por duke i luftuar ato. Qytetarët të kenë më tepër besim se me votën e tyre mund të ndryshojnë shumëçka. Të shikojnë më larg, në interes të fëmijëve të tyre. Vetëm ne mund ta ndryshojmë për mirë Shqipërinë

Në Shqipëri elitat politike nuk qarkullojnë, politikanët kapen me thonj pas kolltukut

 

Marko Bello, ish ministri dhe ish deputet i PS-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” “skanon” zgjedhjet e Parlamentit Evropian, duke evidentuar, që të humburit janë socialdemokratët, që nuk kanë më interes tek elektorati, ndërsa të djathtët, janë më realistë, më konsekuentë në ruajtjen e traditave, luftojnë për familjen, besimin, pronën, ekonominë. Zoti Bello, duke bërë edhe analogjinë me krizën e thellë politike në Shqipëri, thekson se elitat politike mbahen akoma, duke mbajtur kolltukët me thonj.

– Zoti Bello, evropianët me votat për Parlamentin Evropian çfarë shprehën?

– Këto zgjedhje priteshin me interes për një sërë arsyesh. Pjesëmarrja mbi 50 % e zgjedhësve, më e lartë në 20 vitet e fundit ishte tregues se Bashkimi Evropian, me gjithë vështirësitë dhe sfidat dëshmon se mbetet ende projekti më ambicioz dhe mundësia e vetme që Evropa e bashkuar të përballojë konkurrencën e aktorëve të tjerë në skakierën botërore si Kina, Rusia e SHBA. Ka shumë pakënaqësi, ka mjaft probleme që kërkojnë zgjidhje, por megjithatë ka edhe shpresë dhe perspektivë të përbashkët evropiane.

– Kush janë të fituarit dhe të humburit?

– Grupimet tradicionale, me gjithë rënien që pësuan mbeten sërish dominante në skenën politike evropiane. Kështu, partitë popullore të djathta, socialistët me socialdemokratët, ndonëse nuk e kanë shumicën absolute (179 dhe 150 vende), bashkë me liberalët (107) arrijnë shumicën absolute të Parlamentit me 751 anëtarë .Partitë ekstremiste, me gjithë rritjen, nuk e rrezikojnë dot këtë konfigurim. E majta në shumë vende ka pësuar rënie të theksuar, duke mbetur fituese vetëm në pak syresh si Spanja, Holanda, Suedia …

– Pse forcat e ekstremit të Djathtë, konservatorët fitojnë besimin e votuesve? Pse dështon Socialdemokracia?

Duket se Socialdemokracia nuk ka ditur t’i përshtatet kushteve të reja të epokës globaliste dhe nuk ngjall më interes tek elektorati. Më keq akoma, në shumë vende me traditë si Gjermania, Franca, Italia apo Greqia, e majta mbetet e përçarë, ndërsa elita e majtë është kthyer në atë që njihet si elita e kaviarit, pra të pasuruar, të shkëputur nga elektorati dhe hallet e qytetarëve, ndërsa oferta dhe programet e tyre politike janë të shpëlara, të lodhshme dhe me problematika periferike. Për ta, rëndësi kanë ardhja e emigrantëve, të drejtat e minoriteteve seksuale, aborti, të cilat kanë rëndësinë e tyre, por nuk mund të eklipsojnë problemet e rënda ekonomike, papunësinë, polarizimin e madh, plakjen e popullsisë, rrezikun e dështimit të skemës së pensioneve, shëndetësinë, arsimin etj. Prandaj, elektorati i tyre po shkon drejt ofertave të tjera, sidomos tek të gjelbrit, ekologjistët, etj. Ndërkohë të djathtët, janë më realistë, më konsekuentë në ruajtjen e traditave, luftojnë për familjen, besimin, pronën, ekonominë, vlerat e qytetërimit të tyre shekullor, të cilat thonë ata po kërcënohen nga globalistët, kapitali transnacional, financat botërore, grupet okulte, masoneria. Multilateralizmit po i kundërvihen adeptët e multipolarizmit, me në krye Donald Trump. Rritje të madhe fitoi Salvini në Itali, Marinë Lë Pen në Francë, të fuqishëm të djathtët në Poloni, Viktor Orban në Hungari. Dështim për partitë tradicionale në Francë, Britaninë e Madhe, Itali…

– Fitorja e kancelarit austriak, edhe pse para disa ditësh dha dorëheqjen, për shkak të video-skandalit, Tzipras shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse humbi në zgjedhjet europarlamentare çfarë leksione u japin lidershipit shqiptar?

– Këto vende janë shembull për vende si yni, për të kuptuar sesi funksion demokracia. Dëshmuan se dinë të lexojnë votën, të reagojnë sa nuk është vonë. Te ne, elitat politike nuk qarkullojnë, politikanët kapen me thonj pas kolltukut, kërkojnë të mbeten në krye me të gjitha mundësitë, duke vënë dorë mbi zgjedhjet dhe deformuar vullnetin e zgjedhësve, e paimagjinueshme kjo në vendet demokratike. E pastaj, kur bien, dërrmohen fare dhe e kanë të vështirë të ringrihen, aq të madh e kanë bërë zullumin. Sikur të kishim institucione të forta dhe të pavarura, nëse ligji do të ishte i shenjtë dhe do të aplikohej me ndërgjegje dhe devocion nga organet dhe institucionet, shumë drejtues që kanë abuzuar ndër vite, sot do të ishin prapa hekurave…

– Çfarë ndikimi për negociatat me Shqipërinë do të kenë këto zgjedhje Europarlamentare?

– Sigurisht që do të kenë ndikim, pasi në krye të institucioneve evropiane do të vijnë figura të reja, presioni i atyre që nuk janë në favor të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor do të rritet dhe me siguri do të vijnë kohë të vështira. Megjithatë, dëshiroj të mbetem optimist i matur se, vendi ynë i ka shanset për t’u anëtarësuar, por jo duke i fshehur problemet, por duke i luftuar ato. Nga ana e tyre, qytetarët votues duhet të jenë më mendje hapur dhe pragmatistë, të kenë më tepër besim se me votën e tyre mund të ndryshojnë shumëçka që nuk ecën mirë në vend. Të votojnë me mendje e jo me emocion dhe llogari të ditës. Të shikojnë më larg, në interes jo vetëm të vetes së tyre, por edhe fëmijëve të tyre. Në fund të fundit, vetëm ne mund ta ndryshojmë për mire Shqipërinë.

-Faleminderit!