Ish-kryeministri Sali Berisha: Soros nëpërmjet Fondacionit Shoqëria e Hapur, ka instaluar një sistem komunist në Shqipëri

301
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha intervistë për mediat amerikane

Drejtësia, degë e ish-partisë komuniste

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat amerikane në lidhje me zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe rolin e George Soros. Në një intervistë për gazetarin Todd Wood, Berisha u shpreh se Soros  nëpërmjet Edi Ramës po instalon një sistem të ri komunist në Shqipëri duke kapur  Drejtësinë. Sa i përket përplasjeve me multimiliarderin, Berisha theksoi se ai i ka dalë kundër zbatimit të vjetër të Milosheviçit që po jetëzohet sot me bekimin e Soros. Lideri historik Sali Berisha ka dhënë një tjetër intervistë për mediat në SHBA, ku i është përgjigjur interesit të gazetarit Todd  Wood  mbi zhvillimet politike në Shqipëri, ndikimit të Georg Soros.

Soros nëpërmjet Fondacionit Shoqëria e Hapur, ka instaluar një sistem komunist në Shqipëri

I ftuar në emisionin ‘Information Operation’ në City Media, Berisha u shpreh se, Soros nëpërmjet Fondacionit Shoqëria e Hapur, ka instaluar një sistem komunist në Shqipëri, nisur që nga kapja e Shoqërisë Civile dhe ndërtimit të një sistemi gjyqësor të kapur nga partia shtet.‘Është e vërtetë. Kur dolëm nga epoka e errësirës, një aspekt që mungonte në Shqipëri ishte shoqëria civile. Ne kishim shoqëri civile në diktaturë, por që kontrollohej tërësisht nga qeveria dhe partia. Kështu që unë e mirëprita George Sorosin, duke pasur në konsideratë rëndësinë jetësore të shoqërisë civile. Ai sponsorozoi shoqëritë civile në Shqipëri. E vlerësova, por pas disa vitesh kuptova se ai vepronte tërësisht në mënyrë të njëanshme. Ai ndërtoi një rrjet të shoqërisë civile dhe e vendosi tërësisht nën ombrellën e Partisë Socialiste. Ne u kthyem në një sistem monist. Për këtë arsye, unë u mërzita nga veprimet e tij. Kalova në opozitë, – është shprehur ish-kryeministri Sali Berisha.

Instaluan në ligj një mekanizëm për të kapur drejtësinë

‘Edi Rama ka qenë i ftuar në dasmën e Sorosit. Janë miq të ngushtë. Komiteti parlamentar e dërgoi draftin në Komisioni i Venecias dhe ky i fundit e rrëzoi si të papajtueshëm me parimet ndërkombëtare të gjyqësorit. Hartuan draftin e dytë, pa opozitën. Komisioni i Venecias e rrëzoi përsëri dhe në fund, u detyruam të uleshim së bashku. Konsensusi ishte që të votonim së bashku për ndryshimet kushtetuese dhe ligjin organik të gjyqësorit. Ata nuk lejuan votimin e ligjeve organike, kthyen në to të gjitha nenet që i hoqi Komisioni i Venecias dhe opozita. Instaluan në ligj një mekanizëm për të kapur drejtësinë. Dhe po bënte çmos për ta kthyer gjyqësorin në Shqipëri në një degë të ekzekutivit të ish-Partisë Komuniste’, u shpreh ish-kryeministri Berisha gjatë intervistës.

Sorosi ka politikën e vet të jashtme. Ai nxiti ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës

Një tjetër çështje e diskutuar në këtë intervistë ishte edhe qëndrimi i ish-kryeministrit Sali Berisha për ndryshimin e kufijve në Ballkan që binin ndesh me misionin e George Soros, që kishte një plan për ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. ‘Përveç kësaj, kontradikta ime me Sorosin lidhej me politikën e tij të jashtme në Ballkan. Sorosi ka politikën e vet të jashtme. Ai nxiti ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, duke hapur kështu Kutinë e Pandorës dhe duke shfrytëzuar projektet e vjetra të Millosheviçit për të bërë këtë ndryshim. Unë e kam kundërshtuar fuqishëm’, – deklaroi ish-kryeministri.

Unë kam besim se Shqipëria do të ketë një opozitë të vërtetë të fuqishme dhe jo fasadën e narko-shtetit që ka aktualisht

Megjithatë, vullneti i shqiptarëve do të mbizotërojë. Unë kam besim se Shqipëria do të ketë një opozitë të vërtetë të fuqishme dhe jo fasadën e narko-shtetit që ka aktualisht. Anëtarët e partisë demokratike po kërcënohen duke u thënë që nuk do t’u japim viza. Shumë prej tyre e dinë që janë nën kërcënim, por ata kanë vendosur të më mbështetin’,-  është shprehur ish-kryeministri Sali Berisha gjatë intervistës së tij.