‘Rilindja Urbane’ përmbyt çdo vit Shqipërinë dhe zgjon qytetarët e alarmuar

284
Sigal

Shqipëria “ nën ujë” në dimër dhe “në zjarr” në verë: realiteti që shkatërron më shumë se 150 mijë familje çdo vit

 

Përmbytjet janë kthyer në një refren social, politik, ekonomik e natyrisht edhe mediatik çdo nëntor e dhjetor përgjithësisht që nga viti 1990. “Shqipëria nën ujë” në dimër dhe “në zjarr” në verë është jo thjesht metaforë, por një realitet që shkatërron më shumë se 150 mijë familje çdo vit. Njerëz që përmbyten rregullisht në dimër, në pranverë presin dëmshpërblimet e qeverisë, për të pritur përmbytjen e radhës në dimrin që vjen. Prej vitesh “elita politike qeverisëse” i shikon qytetet me të njëjtat probleme sikurse qytetet europiane, në një kohë kur qytetet shqiptare kanë domosdoshmëri për projekte infrastrukturore inxhinierike dhe sociale, dhe jo për fasada të tipit “Rilindja Urbane”. Mjafton të hapësh faqet e internetit dhe të kërkosh, do të shikosh dhe shijosh fotot e qendrave të qyteteve tona, të “Rilindura” nga ajo që kryeministri e quan “Urbane”, dhe që pjesë e projekteve të tilla kanë qenë jo pak, por mbi 350 milionë euro. Edhe pa qenë nevoja të jesh projektues, inxhinier, arkitekt, konstaton me dhimbje se, jo vetëm punimet janë bërë sa për sy dhe faqe. Sa herë që nisin reshjet , vendi përmbytet. Prej gati 48 orësh Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe dëbore në zonat malore. Si çdo herë edhe tani, situata paraqitet problematike në disa qytete të Shqipërisë. Problem janë përmbytjet në Vlorë dhe shirat e rëndë në Gjirokastër, që kanë nxjerrë nga shtrati disa përrenj. Ndërkaq në veri, reshjet e dëborës dhe shiut në qarkun e Kukësit kanë sjellë rrëshqitje të dherave, duke krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve në disa akse të zonës.

 Balta pushton rrugët e Vlorës, qytetarët: Jemi sëmur nga lagështira

Vlora është një ndër qytetet kryesore që përballet me situata problematike për shkak të motit të keq. Reshjet e shiut të pranishmë gjatë mesnatës dhe mëngjesit të sotëm, kanë bërë që lagjet kryesisht periferiket të jenë nën pushtetin e baltës. Lagjia “1 Maj”, pasqyron problematika pas përmbytjeve, uji vijon të jetë prezent, ndërsa rrugët e brendshme janë të pakalueshme për shkak të baltës dhe llumit.Banorët edhe këtë herë ankohen për kushtet ku jetojnë, ndërsa kjo është një situatë që përsëritet sa herë ka shi.“Që në vitin 1992 është ky muhabet, bie pak shi e krijohen përmbytje.16 vite ditë për ditë në ujë, fillojnë shirat dhe jemi sëmurur nga lagështira. Çfarë t’i them unë asaj Bashkie? Po të më japë një kasolle bashkia do u jap shtëpinë komplet, futu e shiko çfarë është bërë! Morëm shtëpinë me kredi e tani po vuajmë këto, Edi Rama po ta dijë ja heq dhëmbët një nga një atij, kryetari i Bashkisë Vlorë i bie çiftelisë dhe i çon informacione të panevojshme”,- mësohet të ketë thënë një banor.

 

Reshjet e dendura, Vjosa del nga shtrati

Lumi Vjosa del nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura gjatë dy ditëve të fundit. Konkretisht nga shtrati lumi ka dalë në pjesën e pazarit te tregu i gjësë së gjallë në Novoselë. Lumi Vjosa, në vitet e fundit ka shkaktuar disa herë dëme në shtëpitë dhe tokat bujqësore të banorëve të zonës së fierit dhe Vlorës, për shkak të prurjeve të mëdha të ujit dhe daljes nga shtrati.

Reshjet e dendura të shiut, bllokohen disa fshatra në Librazhd

Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë në orët e fundit kanë bërë që të bllokohet qarkullimi i banorëve në rrugën Gostimë-Polis Sheh. Si pasojë e prurjeve të shumta të lumit Gostimë, mësohet se kanë mbetur të bllokuara fshatrat Polis Sheh, Fushë Bullë, të cilët lidhen me njësinë Administrative të Polisit. Gjithashtu mësohet se ka shembje toke në rrugën Polis-Sheh, lagjia Gjerë, ndërsa banorët kanë mbetur të bllokuar. Po ashtu, ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike.

Shpërthejnë pusetat

Reshjet e rëna në ditën e sotme, kryesisht pasdite, kanë krijuar, përsëri probleme në kryqëzimin e qytetit. Rruga e Policisë, rruga e Spitalit, rruga që futesh në qendër të qytetit raportohet se janë përmbytur ku edhe ka pasur një shpërthim të ujërave të zeza.

Bllokohen në ujë makinat te nënkalimi i autostradës Fushë-Mamurras

Reshjet e shumta të shiut të pranishme që nga mesdita e ditës së djeshme, kanë sjellë problem pranë nënkalimit të autostradës në Fushë-Mamurras. Mësohet se ujërat e shiut kanë përmbytur pjesën e nënkalimit duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Niveli i ujit arrin në kuota të larta duke bllokuar terësisht kalimin, ndërsa drejtuesit e automjeteve zgjedhin rrugë alternative. Ky është një rast i përsëritur dhe shkak mbetet bllokimi i zgarave të kullimit të ujërave, neglizhencë e sektorit të mirëmbajtjes në këtë aks.

Rrezikojnë të përmbyten disa zona në Gjirokastër

Prej dy ditësh, rrethi i Gjirokastrës, por edhe vendi ynë, është përfshirë nga shiu me intensitet të lartë. Për pasojë, janë shfaqur problemet e para në rrugët e fshatit të Lazaratit. Në këtë fshat, përroi i Sopotit ka sjellë me vete edhe inerte nga më të ndryshmet. Në vendngjarje ka shkuar edhe grupi i emergjencës e administratori i fshatit. Nëse reshjet vazhdojnë me këtë intensitet të lartë, rrezikohet që të shembet edhe ura e Aznakut. Zona e Lunxhërisë po ashtu është përshirë nga moti me reshje të shumta shiu. Prej dy ditësh, rrethi i Gjirokastrës, por edhe vendi ynë, është përfshirë nga shiu me intensitet të lartë. Për pasojë, janë shfaqur problemet e para në rrugët e fshatit të Lazaratit. Në këtë fshat, përroi i Sopotit ka sjellë me vete edhe inerte nga më të ndryshmet. Në vendngjarje ka shkuar edhe grupi i emergjencës e administratori i fshatit. Nëse reshjet vazhdojnë me këtë intensitet të lartë, rrezikohet që të shembet edhe ura e Aznakut. Zona e Lunxhërisë po ashtu është përshirë nga moti me reshje të shumta shiu.

Elbasan

Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në qarkun e Elbasanit. Burime zyrtare pranë shtabit të emergjencave civile bëjnë me dije se si pasojë e reshjeve dhe erërave në disa zona ka probleme sa i takon furnizimit me energji elektrike. Rrëshqitje dherash raportohen edhe në fshatin Bersnike të Gramshit. Mësohet se për shkak të reshjeve gjatë dy ditëve të fundit ka edhe rritje të nivelit të ujit në lumin Shkumbin, por deri më tani nuk raportohen probleme.

Fier

Reshjet e rëna në 24 orët e fundit nuk kanë qenë problematike në bashkitë e Fierit. Në bashkitë Roskovec e Patos nuk ka pasur shqetësime as përmbytje banesash, tokash, as dëme në sera sikundër në shkarje tokash e pengim qarkullimi apo mosfurnizim me energji elektrike e ujë të pijshëm.