Mjeku i njohur Bledar Nonaj, i cili kandidon nën siglën e LSI për qarkun e Beratit, flet në një intervistë për gazetën “STANDARD” mbi zgjedhjet e 25 prillit. Ai shprehet optimist se LSI do dalë forcë e parë në çdo qendër votimi në mbarë qarkun, ndërsa theksoi se mandati i tretë në këtë qark është i padiskutueshëm . Po ashtu ai komenton problematikat me të cilat hasen banorët e Skraparit, ndërsa theksoi se pas triumfit në zgjedhje, qeveria e re do të rikthejë shpresën e humbur tek të gjithë shqiptarët. Po ashtu ai vlerësoi programin e LSI dhe sidomos pikën e titulluar “nga bebja në bebe”, për të cilën tha se: “synon të ndalojë shpopullimin, pikërisht duke mbeshtetur familjen shqiptare, duke krijuar një Fond Garancie, dhe duke akorduar çdo vit për 25 vjet rresht nga 1000 Dollarë për çdo bebe të sapolindur.”
Si erdhi vendimi për tu bërë pjesë e politikës dhe pse zgjodhët kandidimin nën siglën e LSI?
Vendimi për të kandiduar për zgjedhjet e 25 Prillit ka ardhur pas propozimit të strukturave drejtuese të LSI-së Skrapar. Sigurisht që nuk më është dashur të mendohem shumë pas kētij propozimi. Të kandidosh për LSI dhe njëkohësisht të kandidosh në vendlindjen tënde është një vlerësim i jashtëzakonshëm, vlerësim i cili shndërrohet në një mision të çmuar: t’i shërbesh vendit dhe bashkëqytetarëve të tu.
LSI është një forcë politike, e cila që nga themelimi i saj ka dhënë prova konkrete në shërbim të vendit, duke marrë vendime shumë të rëndësishme qoftë në drejtim të liberalizimit të vizave, zhbllokimit të krizave të forta politike në vend dhe hapave të rëndësishëm të Shqipërisë drejt procesit të integrimit europian.
Misioni i LSI-së drejt integrimit të plotë europian të Shqipërisë mbetet i palëkundur dhe unë personalisht do jem shumë krenar që do tē kem mundësinë të japë kontributin tim në këtë drejtim, si pjesë e Grupit Parlamentar të LSI në Parlamentin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, misioni për tju shërbyer njerezve merr një rëndësi edhe me të madhe, kur bëhet fjalë për bashkëqytetarët e tu, për burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, të moshuarit dhe të moshuarat e trevës nga e cila ti vjen, ke kaluar pjesë të rëndësishme të jetës tënde dhe ku familja jote është ngushtësisht e lidhur me të.
Por rëndësia e kandidimit merr një dimension edhe më të madh, pasi ai përfshin gjithë qarkun e Beratit, bashkitë Berat, Skrapar, Kuçovë, Poliçan dhe Urën Vajgurore dhe gjithë fshatrat përreth tyre. Të përfaqësosh në Parlament popullin patriot, mikpritës dhe punëtor të të gjithë Qarkut Berat është një përgjegjësi e madhe që kërkon përgjegjshmëri dhe angazhim të pandërprerë.
Ne duhet të rikthejmë shpresën e humbur në gjjthë Qarkun e Beratit, duhet të sigurojmë edukim dhe shërbim shëndetësor cilësor, duhet të sigurojmë hapjen e vendeve të punës së mirëpaguara për të rinjtë dhe të rejat, duhet të ulim taksat, të mbështesim biznesin e vogël dhe të mesēm, bujqësinë dhe blegtorinë, dhe të sigurojmë një proces të pandalshëm zhvillimi ekonomik për të gjithë Qarkun Berat. Ky është angazhimi ynë madhor dhe unë jam shumë i lumtur që pas 25 Prillit, si pjesë e LSI dhe e koalicionit aktual opozitar, do të jap kontributin tim për këto objektiva madhorë, që do të ndryshojnë për mirë të ardhmen e të gjithë Qarkut të Beratit.
Edhe pse është hera e parë që unë marr pjesë në një proçes zgjedhor, kandidimin tim nuk e shoh si objektiv për të qenë për 4 vjet në ulësen e Parlamentit, por si fillimi i një proçesi afatgjatë komunikimi me bashkëqytetarët e mi, për të qenë pranë tyre, për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre si dhe për të ngritur zërin fuqishëm në Parlament për ta.
Si po shkon deri më tani angazhimi në terren, cilat janë problematimat kryesore me të cilat hasen qytetarët e Skraparit?
-Janë të njëjtat problematika që ne hasim kudo, në çdo qytet, në çdo cep dhe fshat të Shqipërisë. Janë problematika që lidhen me
mungesën e shpresës dhe të ardhmes, që automatikisht kanë shkaktuar dhe emigrimin masiv të të rinjve. Janë problematika që lidhen me mungesën e punësimit, taksat e larta, mungesën e mbështetjes ndaj biznesit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Kudo hasim një panoramë të zymtë, por edhe një dëshirë të madhe për ndryshim dhe entuziasëm për ata çka do të ndodhë pas 25 Prillit.
Megjithatë, unë gjej rastin të falenderoj përzemërsisht të gjithë banorët e Skraparit, Beratit, Urës Vajgurore, Kuçovës dhe Poliçanit që më kanë mikpritur, që më kane hapur dyert e shtëpive të tyre, dyert e zemrave te tyre, duke ndarë bashkë me mua hallet dhe shqetësimet e tyre të përditshme, por njëkohësisht dhe dëshirën e palëkundur për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri. Shumica e njerëzve të thjeshtë dhe punëtorë të këtij vendi kanë zgjedhur Shqipërinë shtëpinë e tyre, kanë zgjedhur ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Kjo është edhe pikënisja e angazhimit tonë madhor, guri i themelit i asaj që LSI dhe opozita do të ndërtojnë në qeverisjen e re të pas 25 Prillit.
Ne duhet të rikthejmë shpresën dhe optimizimin tek të rinjtē dhe të rejat, të cilët duhet të shohin Shqipërinë dhe jo emigracionin si opsionin e parë për ndërtimin e të ardhmes së tyre. Dhe ne mund ta bëjmë këtë, duke i qëndruar fort angazhimit tonë para shqiptarëve për edukimin dhe shërbimin shëndetësor cilësor, për uljen e taksave, për punësimin e mirëpaguar dhe për mbështetjen ndaj sektorëve të rëndësishëm si biznesi i vogël dhe i mesëm, bujqësia, turizmi etj.
Unë jam i sigurt që ne do të kemi mbështetjen e gjjthë shqiptarëve në 25 Prill, ashtu siç jam i sigurt që pas 25 Prillit do të nis një kapitull i ri, një proces i pandalshëm zhvillimi që do të ndryshojë jo vetëm të tashmen e Qarkut Berat, por të gjithë Shqipërisë.
A po shkon LSI drejt mandatit të tretë në qarkun e Beratit në 25 prill? Cilat janë pretendimet tuaja?
Rezultatet e zgjedhjeve të 25 Prillit do të jenë spektakolare dhe suprizë, jo vetëm në Qarkun e Beratit, por në të gjithē Shqipërinë. Pjesë e padiskutueshme e këtij suksesi do të jetë LSI, e cila nga zgjedhje ne zgjedhje është një forcë politike që njeh vetëm rritje në rezultatin e saj zgjedhor.
Ne nuk kemi thjesht pretendime, por objektiva realë dhe plotësisht të realizueshëm: 3 Mandate të fituara dhe daljen e LSI-së forcë e parë politike në çdo qendër votimi në mbarë Qarkun e Beratit.
LSI prezantohet në Qarkun e Beratit me një ekip cilësor kandidatësh, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të arsimuar dhe të suksesshëm profesionalisht, të cilët gëzojnë reputacionin, respektin dhe mbështetjen e bashkeqytetarëve të tyre. Unë besoj fort tek ky potencial cilësor kandidaturash të LSI ne qarkun Berat. Potenciali i kandidaturave të LSI, dëshira e qytetarëve për ndryshimin e madh, entuziasmi i jashtëzakonshëm i tyre për fitoren e madhe të 25 Prillit, nuk e vë aspak në diskutim mandatin e tretë të LSI në Qarkun Berat!
Cili është vlerësimi juaj për një nder pikat kryesore te programit te LSI, ” nga bebja ne bebe”?
Një nga problemet më të medha, nga plagët që dhembin më shumë sot, është shpopullimi dhe emigrimi masiv, kryesisht i të rinjve!
Programi i LSI-së “Nga bebja ne bebe” synon të ndalojë shpopullimin, pikërisht duke mbeshtetur familjen shqiptare, duke krijuar një Fond Garancie, dhe duke akorduar çdo vit për 25 vjet rresht nga 1000 Dollarë për çdo bebe të sapolindur.
Padiskutim që Programin “Nga Bebja në Bebe” të prezantuar nga LSI do ta cilësoja si një nga risitë më pozitive të fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit, por njëkohësisht dhe më efikaset për të frenuar shpopullimin dhe për të mbështetur familjet e reja shqiptare.