INTERVISTA/ Flet Agron Duka: Kjo qeveri duhet të largohet. Inferioriteti ndaj Greqisë, qëndrimi i PAA-së dhe reforma në drejtësi

729
Jakup B. GJOÇA

Edi Rama duhet të dorëhiqet si kryeministër
Agron Duka, Kryetar i PAA
Kryeministri Rama negocion me Greqinë, si inferior, nga halli i votës për në BE, protesta e 3 shkurtit, qëndrimi i PAA, Reforma në Drejtësi, Kryeprokurorja e Përgjithshme, implikimi i ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të drogës, roli i ambasadorëve dhe Kodi i ri Zgjedhor …
Në bisedat paraprake midis palëve, Kotzias ka kuptuar që Ramës i duhet vota e Greqisë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Nisur nga ky avantazh, grekët do të përfitojnë sa më shumë, jo vetëm në tryezën e negociatave, por edhe nga pikëpamja e imazhit. Le të kujtojmë se në Greqi, shumë shpejt, do të ketë zgjedhje, dhe Kotzias synon të maksimizojë mbështetjen rreth tij. Pra ky avantazh e bënë palën shqiptare të kërcënueshme
Agron Duka, Kryetari i PAA, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon qartazi se Kryeministri Rama duhet të japë dorëheqjen, sepse mban përgjegjësi të plotë politike për moskontrollimin e territorit të Shqipërisë në kultivimin masiv të Hashashit, si edhe për implikimin e ministrave të tij në trafiqe ndërkombëtare të Hashashit. Zoti Duka thotë për gazetën “Telegraf”, se ministri i jashtëm Grek e ka kuptuar që kryeministri Rama është inferior në bisedimet dypalëshe, për nevojën që ka për votën greke për hapjen e negociatave, ndaj edhe përpiqet të përfitojnë sa më shumë. Zoti Duka, duke iu referuar pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë së Ramës për shitjen e territorit shqiptar Greqisë, thotë se ne, si popull po humbasim kulturën e të protestuarit. Zoti Duka, thotë se, tashmë është domosdoshmëri që në zgjedhjet e ardhme parlamentare të bëhen me Kod të ri Zgjedhor, por akoma nuk mund të thotë me siguri, nëse kryetari i PD-së do të këmbëngulë fort, që Opozita të kërkojë njëzëri ndryshimin e Kodit aktual Zgjedhor. Ndërsa, për Reformën në Drejtësi, zoti Duka pohon se po spekulohet në ndarjen e “peshqve” të mëdhenj dhe të vegjël, por në drejtësi duhet të japin llogari të gjithë fajtorët, pa përjashtim. 

-Zoti Duka, sipas jush, përse të shtunën më 3 shkurt kishte shumë herë më pak protestues, të cilët protestuan para Kryeministrisë për marrëveshjen Detare të Kryeministrit Rama me Greqinë, në krahasim me 27 janarin 2018? 
— Protesta u thirr nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, dhe duhet të ishte një protestë apartiake, pra pa praninë e partive politike dhe unë gjykoj se është një zgjedhje e duhur, pasi nuk mund të partitizojmë çdo segment të jetës së vendit. Fatkeqësisht duhet të pranojmë se jemi një shoqëri që po humb gjithmonë e më shumë kulturën e protestës; e shprehjes së mendimit tonë të lirë për gjërat që nuk shkojnë mirë. Qytetarët po preferojnë të largohen nga Shqipëria, sesa të qëndrojnë këtu për të fituar të drejtat e tyre ekonomike dhe politike. Prandaj, kur protestojmë, e bëjmë vetëm kur na preken interesat tona të ngushta dhe drejtpërdrejta. Thënë kjo, mund të kuptohet, pse protesta e 27 janarit erdhi si pasojë e shumë faktorëve, duke filluar nga pakënaqësia e prekshme e qytetarëve për çështje që i shqetësojnë çdo ditë, si kriza ekonomike, varfëria, krimi dhe korrupsioni. Ndërsa protesta e 3 shkurtit, ndonëse prek tema të ndjeshme për Protesta erdhi edhe si pasojë e një organizimi të shtrirë në kohë, ndërsa protesta e djeshme nuk pati kohën e duhur. Ndërkohë, edhe mungesa e pasqyrimit nga mediat audiovizive të thirrjeve të bëra nga organizatorët, bëri që mos të kishte një masë optimale qytetarësh. Gjithsesi, protesta u bë, u zhvillua në mënyrë qytetare, u dha një mesazh i qartë dhe kjo ka më shumë rëndësi se numri i të pranishmëve. 

– Nuk është çështje politike e Opozitës thelbi i protestës së qytetarëve kundër marrëveshjes Detare të kryeministrit Rama me Greqinë? 
– Sigurisht që shqetësimet për këtë marrëveshje të mbështjellë nga mungesa e informacionit janë të mëdha, dhe janë të të gjithë qytetarëve, përfshirë këtu edhe Opozitën. Në këtë kontekst, detyra e Opozitës është ajo e mbikëqyrjes dhe denoncimit të çdo akti antikombëtarë dhe kundër interesave të qytetarëve shqiptarë. Por përpara se protesta të tejkalojë aksionin e shoqërisë civile, dhe në atë të marrin pjesë edhe partitë politike, duhet një vëmendje e madhe ndaj hapave institucionale që po ndiqen nga qeveria. Duhet kuptuar saktësisht përmbajtja e marrëveshjes dhe cilat do të jenë pasojat e saj. Sigurisht jo çdo gjë që ndodhi këtë javë i vendos fjalën fund paktit detar me Greqinë; do të ndjekim në mënyrë rigoroze hapat e palëve dhe do të jemi zëri më i fortë në sheshe, por edhe në institucionet juridike përkatëse, ku padrejtësitë mund të adresohen.

-Zoti Duka, qytetarët greke protestojnë masivisht në Selanik dhe Athinë për çështjen e emërtimit të FIROM, duke kritikuar fort edhe qeverinë greke. Atëherë, si e shpjegoni pasivitetin dhe shpërfilljen e shqiptarëve për kufijtë detarë? 
-Sikurse thashë më sipër, shpirti protestues tek ne është zbehur. Gjithsesi në rastin e protestuesve grekë, ndonëse më të mëdhenj në numër, nuk do të thotë se kanë të drejtë për kërkesat e tyre. Gjithashtu protestat nuk janë përgatitur në vetëm tre ditë, si ajo e 3 shkurtit në Shqipëri, por mbi të gjitha bëhet fjalë për një çështje që atje vlon prej dy dekadash. Protestuesit grekë, në këtë rast, janë nxitur, jo vetëm nga ndjenjat patriotike, por kanë marrë mbështetje financiare nga grupe të diasporës greke dhe gëzojnë mbështetjen e Kishës Ortodokse greke, që është një institucion fetar me një rëndësi dhe ndikim të madh për qytetarët e vendin fqinj. Pra, nuk do të ngrija paralele aq të kollajta midis dy protestave.

– Ju vetë, mendoni se ministri i Jashtëm grek Kotzias deklaroi kufijtë e rinj detarë të Shqipërisë me Greqinë, pa arritur në marrëveshjen përfundimtare me Kryeministrin Rama?
– Edhe pse jo të gjitha deklaratat politike nuk duhet të merren për të mirëqena, pasi secila palë kërkon të bindë elektoratin e vet, në këtë negociatë pala greke është e favorizuar. Në bisedat paraprake midis palëve, Kotzias ka kuptuar që Ramës i duhet vota e Greqisë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Nisur nga ky avantazh, grekët do të përfitojnë sa më shumë, jo vetëm në tryezën e negociatave, por edhe nga pikëpamja e imazhit. Le të kujtojmë se në Greqi, shume shpejt, do të ketë zgjedhje, dhe Kotzias synon të maksimizojë mbështetjen rreth tij. Pra ky avantazh e bën palën shqiptare të ndihet e kërcënuar. 

– Ju, ç’mendim keni, përse nuk e përgënjeshtroi publikisht qeveria shqiptare deklaratën e ministrit të Jashtëm grek? 
– Nuk e përgënjeshtron dot, pikërisht sepse është inferior enë këtë negociatë. Për këtë arsye duhet një vëmendje e madhe në këtë fazë, nga mediat, qytetarët, shoqëria civile dhe partitë politike. Nuk duhet të lejojmë që një negociatë e dobishme për Shqipërinë të transformohet në një dorëzim pa kushte nga ana e qeverisë. 

– Ju, si PAA çfarë qëndrimi politik keni për marrëveshjen e Kryeministrit Rama me Greqinë për Kufijtë detarë? 
– Sikurse mund të kuptohet nga debati për emrin e Maqedonisë dhe marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë, jemi përballë një momenti historik që vjen si pasojë e proceseve integruese. Maqedonia është e detyruar të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë, pikërisht sepse ka ardhur momenti që të integrohet në NATO dhe në BE. Gjithashtu, edhe Shqipëria duhet të zgjidhë disa çështje me Greqinë, të cilat janë peng i mosmarrëveshjeve shumëvjeçare, pikërisht për t’i garantuar vetes hapjen e negociatave. Nisur nga këto premisa, ne mbështesim çdo lloj marrëveshje që të garantojë hapjen e negociatave dhe, njëkohësisht, të respektohet barazia dhe sovraniteti midis negociuesve. Për këtë arsye, ne kërkojmë transparencë dhe përzgjedhjen e një ekipi negociues në lartësinë e vlerave dhe detyrave që Kushtetuta e Shqipërisë dikton në këto raste delikate.

– Kanë të drejtë qytetarët shqiptarë që e quajnë “Shitje të territorit të Shqipërisë” marrëveshjen e kryeministrit Rama me Greqinë, për Kufirin Detar?
– Qytetarët kanë të drejtë të jenë dyshues dhe kërkues ndaj Ramës. Ka një hipokrizi të thellë në trajtimin e kësaj çështjeje nga ana e mazhorancës. Kur ishte në opozitë, Rama, mbante lart flamurin e patriotizmit, duke denoncuar marrëveshjen e vitit 2009. Sot, kur është në pushtet, marrëveshja me Greqinë nuk i duket një gjest antikombëtar. Ky është një spektakël i mjerë për të gjithë ne që kemi kujtesën e mirë. Për këtë ka një mungesë besimi ndaj kësaj çështjeje, por edhe ndaj qeverisë në përgjithësi. Qytetarët kanë të drejtë kur përdorin terma pexhorativë ndaj kësaj marrëveshje, sepse në këtë rast, pas betejës së 2009, janë gati të shkelin mbi parimet e tyre. Këtë nuk po e bëjnë për Shqipërinë, jo. Po e bëjnë për interesa politike. Nëse Rama nuk merr dritën jeshile nga Greqia për hapjen e negociatave, do të gjendet përballë një dështimi total, pasi të gjitha indekset e matjes së qeverisjes së tij janë me minus. Brishtësia e Ramës e detyron atë të çedojë në këtë moment, por kjo nuk duhet të ndodhë në kurriz të humbjes të sovranitetit tonë. 

– Cili është mendimi juaj për Reformën në Drejtësi? 
– Mendoj se Reforma në Drejtësi është një hap i domosdoshëm në përmirësimin e shtetit ligjor, dhe si pasojë e rregullimit të dinamikave ekonomike, politike dhe shoqërore. Mirëpo ajo ende po vonon, madje po merr nuanca të rrezikshme politike. Ne e votuam Reformën në korrikun e vitit 2016, për t’i dhënë vendit një drejtësi të pavarur nga politika. Më duket, të paktën në këto hapat e para, se jemi në një moment kritik, sepse po shohim tentativa konkrete të mazhorancës për të influencuar drejtësinë. Në momentin që kjo ndodh, Reforma bie, sepse bie dhe pavarësia e gjyqësorit. 

– Po premtimet për “Peshqit e mëdhenj”, “peshkaqenët”, a mendoni se me Gjyqësorin e Reformuar dhe me Kryeprokuroren e Përkohshme, do të përfundojnë në rrjetën e Drejtësisë? 
– Është krijuar një keqkuptim i madh me këtë çështje. Drejtësia duhet të veprojë e pavarur dhe të kapë ata “peshq” që gjen fajtorë, nuk ka rëndësi madhësia e tyre. Të kuptohemi qartë, Reforma duhet të përmirësojë cilësinë e gjyqësorit. Duhet të krijojë kushtet për një drejtësi më cilësore dhe efikase për të gjithë qytetarët. Ky devijim dhe thjeshtëzim i saj me “peshq”, “peshkaqenë”, po tjetërson dhe banalizon kuptimin e saj. Madje disa po presin, duke fërkuar duart, arrestime dhe prangosje të të gjithë klasës politike. Por drejtësia nuk funksionon kështu; madje, nëse merr këtë formë bëhet luftë për pushtet nëpërmjet përdorimit politik të drejtësisë. Ditën që kjo do të ndodhë, duhet t’i vendosim një notë ngelëse reformës që të gjithë e votuam, por që pak e deshën.

– Zoti Duka, ju vetë, mendoni se kryeministri Rama ka përgjegjësi politike për implikimin e ministrit të tij të Brendshëm në trafiqe ndërkombëtare të drogës? 
– Në cilësinë e Kryeministrit, është përgjegjës për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e kabinetit të tij. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë justifikim pasi opsionet janë vetëm dy. Opsioni i parë është që Kryeministri, i cili deklaroi se ka vendosur kontrollin e shtetit mbi territorin, dhe të gjithë mbajmë mend që nuk ndërtoje dot një tendë pa leje, thotë se nuk kishte dijeni për mbjelljen spektakolare të Shqipërisë me hashash në vitin 2016. Opsioni i dytë është që ai e ka toleruar këtë përshkallëzim drastik të mbjelljeve, madje duke toleruar pjesëmarrjen në këtë fushë të të gjitha strukturave të rendit. Në të dyja këto opsione, një person që ka përgjegjësi të drejtojë një shtet, është fajtor, pasi në rastin e parë do të ishte i paaftë dhe në të dytin bashkëfajtor. Pra, në të dyja rastet Rama nuk duhet të ishte Kryeministër.

– A mjaftonte vetëm kjo, që kryeministri Rama të dorëhiqet? 
– Në çdo vend demokratik, ose në secilin nga ato vende të familjes evropiane ku ne dëshirojmë të jemi pjesë, kjo qeveri duhet të ishte larguar në vitin 2016. Madje, shumë prej përfaqësuesve të saj duhet të ishin larguar përgjithmonë nga politika. 

– Ju, si e shpjegoni që ambasadori Lu, Ambasadorja e BE Vllahutin, e disa ambasadorë të shteteve kryesore të BE ende i japin përkrahje politike kryeministrit Rama, me gjithë korrupsionin dhe përfshirjen e ministrave të kryeministrit Rama në trafiqe ndërkombëtare të drogës?
– Në gjykimin tim, ambasadorët, kanë marrë përsipër të çojnë përpara agjendën e vendeve që përfaqësojnë, përtej anomalive që politika shqiptare prodhon. Gjatë mandatit të tyre në Shqipëri, kanë ndjekur objektiva të qarta, si reforma në drejtësi, dhe kanë zgjedhur të merren me përmirësimin e një dege të rëndësishme të shteti tonë, sesa të fusin duart në atë “llum” që ishte ky pesëvjeçar politik. Duhet të kujtojmë se ata janë këtu për të kryer deri në fund detyrën e tyre, por gjithsesi nuk mund të zëvendësojnë qytetarët dhe politikanët e ndershëm, të cilët duhet të bënin më shumë në këtë drejtim.

– Si do ta karakterizonit Ju qeverisjen e Kryeministrit Rama, tani që ka plotësisht në dorë edhe Timonin e Qeverisjes? 
– Është ngelës. Kërkoni një statistikë që të jetë në rritje. Vetëm numri i qytetarëve që lënë vendin është në rritje, çdo gjë tjetër është në një gjendje ngërçi. Investimet e huaja, drejtësia, korrupsioni, varfëria, bujqësia, mjedisi, janë pjesë e “tepsisë” që ai ka mbushur në këto pesë vite. Arroganca që karakterizon këtë mazhorancë e bën edhe më të hidhur këtë bilanc. Kjo situatë është ilustrimi më i mirë i arsyes pse Rama është kaq i dëshpëruar për mbështetjen greke në procesin e hapjes së negociatave, dhe gjithashtu është rreziku më i madh për vendin tonë. Kjo situatë kërkon një ndryshim drejtimi. Për këtë arsye, ne si Opozitë, duhet të jemi në lartësinë e duhur në këtë moment të vështirë. 

– Zoti Duka, ju e dini se edhe kryetari i Opozitës Lulzim Basha deri tani nuk ka dashur që të ndryshojë Kodi aktual Zgjedhor për arsyet politike të ditura. Pyetja është: A keni marrë ju aleatët e tij politikë, garancinë politike se tashmë edhe kryetari i Opozitës do të këmbëngulë deri në fund për ndryshimin e Kodit Zgjedhor?
– Po, me z. Bashën kemi një marrëveshje për sa i përket Kodit Zgjedhor. Gjithsesi kjo nuk është vetëm një marrëveshje që mund të bëhet vetëm midis disa partive të spektrit politik, kërkohet një mbështetje e gjerë për t’i vënë fjalën fund deformimeve që pëson rregullisht vota e qytetarëve. Detyrimin moral për një Kod Zgjedhor më të mirë e kemi ndaj atyre si fillim. Duhet t’i japim fund kontestimit të zgjedhjeve, pasi prodhon një proces politik të cunguar, jashtë normalitetit. Të bazuar mbi një krizë të vazhdueshme besimi, e cila nuk prodhon asnjë përmirësim për jetën politike të vendit, por deri më tani ka prodhuar vetëm destabilitet. Beteja për një Kod Zgjedhor të ri, për një sistem më të drejt ndaj partive alternative, për votim dhe numërim elektronik, do të tregojnë nëse përfaqësuesit e dy partive më të mëdha duan apo jo zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

– Shpresoni se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen me Kod të ri Zgjedhor? 
– Ne duhet të punojmë të gjithë bashkë, me mbështetjen e ndërkombëtarëve, për të krijuar kushtet e nevojshme për votimin dhe numërimin elektronik për zgjedhjet lokale të vitit 2019; dhe sigurisht duhet që Kodi i ri zgjedhor të jetë gati përpara zgjedhjeve parlamentare. Nëse nuk vendosim në qendër të debatit që tani nevojën për Reformën Zgjedhore, dhe nuk prodhojmë në kohë një Kod të ri, do të thotë se jemi të dënuar të përsërisim historinë. Pra do të kemi, jo vetëm tjetërsim të votës, por kontestime që do të prodhojnë qeveri jo legjitime. Duhet të përveshim mëngët për përmirësimin e Kodit, duke filluar nga dy partitë e mëdha.
1
Kryeministri Rama nuk e përgënjeshtron dot deklaratën e ministrit grek për kufijtë detarë, pikërisht sepse është inferior në këtë negociatë. Për këtë arsye duhet një vëmendje e madhe në këtë fazë, nga mediat, qytetarët, shoqëria civile dhe partitë politike. Nuk duhet të lejojmë që një negociatë e dobishme për Shqipërinë të transformohet në një dorëzim pa kushte nga ana e qeverisë 

2
Thjeshtëzim i Reformës në Drejtësi, me “peshq”, “peshkaqenë”, po tjetërson dhe banalizon kuptimin e saj. Madje disa po presin, duke fërkuar duart, arrestime dhe prangosje të të gjithë klasës politike. Por drejtësia nuk funksionon kështu; madje, nëse merr këtë formë bëhet luftë për pushtet nëpërmjet përdorimit politik të drejtësisë

3
Beteja për një Kod Zgjedhor të ri, për një sistem më të drejt ndaj partive alternative, për votim dhe numërim elektronik do të tregojnë, nëse përfaqësuesit e dy partive më të mëdha, duan apo jo zgjedhje të lira dhe të ndershme
Sigal