Kërcënimi, ushtria turke mund të sulmojë ushtarët amerikanë në Siri

550
Ushtarët amerikanë, me uniforma të njësive për vetëmbrojtje popullore të kurdëve në Siri mund të vihen në cak të operacioneve të forcave turke brenda territorit sirian. Ketë kërcënim e bëri zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag.
Ai me këtë rast tha se nëse kryengritësit kurdë nuk largohen nga qyteti sirian Manbixh, atëherë forcat turke do të fillojnë operacionin ushtarak në këtë rajon në lindje të lumit Eufrat, duke qartësuar se nëse kjo ndodh, atëherë edhe ushtarët amerikanë, të cilët veprojnë në kuadër të njësive kurde, mund të jenë cak i operacioneve të forcave të armatosura të Turqisë.
Bozdag gjatë javës i bëri thirrje Uashingtonit që të bëjë përpjekje për të parandaluar konfliktin e mundshëm mes forcave amerikane dhe turke në veri të Sirisë.
Sipas fjalëve të tij, Ankaraja po bën çmos për të parandaluar një gjë të tillë, por shtoi se përpjekje duhet të bëjnë të dy palët.
Ndërkohë, ushtria turke ka njoftuar se tetë ushtarë turq janë vrarë gjatë operacioneve në enklavën Afrin në Siri.
Pesë ushtarë u vranë pas sulmit kundër një tanku të forcave turke, e në të njëjtin rajon, gjatë një sulmi të ndarë, u vranë edhe tre ushtarë tjerë të forcave të armatosura të Turqisë. Që nga fillimi i ofensivës turke në rajonin e Afrinit deri me tani janë vrarë 14 ushtarë turq.
Ushtria turke ka theksuar se deri me tani ka vrarë rreth 900 kryengritës kurdë, ndërsa kurdët nga ana e tyre thonë se gjatë operacioneve të ushtrisë turke janë vrarë 150 civilë, ndërsa 300 të tjerë janë plagosur.
Sigal