Ilir Meta mban me shpresa Ramën dhe Berishën

624
Sigal

Kreu i LSI analizon situatën aktuale politike dhe pritshmërinë: “Do marrim përgjigje pozitive nga BE për statusin”

Kryetari i LSI, Ilir Meta u shpreh dje rreth situatës politike, zgjedhjes se prokurorit të përgjithshëm, vlerësimin e tij për rolin e Nishanit si president, integrimin e vendit, shitjes se “Albpetrol”, si dhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm, sipas LSI.

Statusi

Kreu i LSI theksoi se shpreson se Shqipëria në 10 Tetor do të marrë përgjigje pozitive për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Por, sipas Metës, mbeten për t’u kaluar dhe reforma parlamentare dhe pr/ligji për Gjykatën e Lartë, ndërsa theksoi se është normale që BE të vendosë kushte që vendet të meritojnë statusin.

Qarku i Fierit

I pyetur se çfarë mendon rreth çështjes së Qarkut të Fierit që PS e ka vënë si kush për të votuar ligjet me 3/5, Meta tha se kjo çështje kërkon kohë. “Për rastin e Qarkut të Fierit, ajo që mund të them nuk bëhet fjalë, për një vendim të vetëm gjykate. Por për shumë të tilla, është një çështje shumë komplekse. Në këtë drejtim, palët kanë të drejtën e tyre të kërkojnë zbatimin e vendimit të gjykatave, dhe ajo që kam vënë re unë është se dhe Berisha është që të zbatohet vendimi i Gjykatës. Por nuk bëhet fjala se ekziston një vendim i vetëm, i qartë, i prerë që e zgjidh këtë çështje, për më tepër që ka çështje të tjera në proces lidhur me këtë rast. Ajo që ka rëndësi është se palët kanë vullnetin të bëjnë një gjykim dhe verifikim të vendimeve të deritanishme dhe të gjejnë një mënyrë për një zgjidhje përfundimtare”. Sipas Metës është e padobishme që të në këto momente kaq të rëndësishme për Shqipërinë të vendoset si kush nga PS, Qarku i Fierit.

Greva e ish-të burgosurve politikë

Pyetjes se pse qeveria po hesht në momentet që një klasë të persekutuarish nga diktatura, të ndëshkuar me burg sot po zhvillojnë grevë urie, Meta tha se grevat nuk u japin gjithmonë zgjidhje problemeve.

Prokurori i Përgjithshëm

Nëse në nëntor është koha për të zgjedhur prokurorin e përgjithshëm siç pretendon PD, apo vitin tjetër siç thekson institucioni i Prokurorit mbaron mandati, Meta tregon një shembull. “Mu kujtua një ekspert i OSBE kur bëri debatin hapje apo mos hapjen e kutive dhe në një takim që pata me ambasadorin e OSBE dhe ishte dhe ky ekspert që kishte gjetur një zgjidhje, që të hapen kutitë, por të ruhen fletët dhe i befasuar që kishte gjetur një zgjidhej me nenin, 178. Edhe në këtë takim ishte dhe kolegu dhe Sokol Dervishi, dhe i interesuar si u gjet kjo zgjidhje më thotë se ky neni nuk është dhe aq i rëndësishëm se është nga fundi”. Kreu i LSI thekson se, Presidenti ka përgjegjësi për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, theksoi faktin që duhet zbatuar kushtetuta, ndërsa shton se LSI nuk ka në mend emra, por dëshiron të shohë në këtë post, një njeri me integritet. “Për mua nuk është i rëndësishëm emri thjesht, as mënyra sesi vjen, por të jetë njeri me integritet dhe të garantojë pavarësinë politikë të institucionit”, tha Meta.

Konsultat me Berishën

I pyetur nëse me konsultat që ka pasur me kryeministrin Berisha ka pasur propozime apo emra që janë hedhur poshtë nga Berisha apo e kundërta, Meta solli në vëmendje rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës gjatë këtij viti. “Është një çështje e mbyllur, një çështje që duhet zgjedhur ndryshe. Presidenti duhet të zgjidhet nga qytetarët dhe ky do ishte proces tepër transparent dhe nuk do kishte spekulime. Ne nuk e shtuam si klauzolë së bashku me çështjen e imunitetit këtë sepse duhet vullnet më i gjerë politik”.

Takimi me Ramën në Bruksel

I pyetur në lidhje me detajet e takimit mes tij dhe kryetarit të PS-së Edi Rama, në Bruksel, Meta tha se gjatë këtij takimi janë shkëmbyer mendime vetëm për çështjet e aktualitetit dhe hapësirat për të gjetur zgjidhje në të mirë të vendit. “Nuk ka shume detaje, kemi qenë në disa aktivitete të përbashkëta, kemi pasur rastin të shprehim ide apo mendime në tryezën e zhvilluar në Bruksel, ku mori pjesë dhe komisioneri Fule. Kemi shkëmbyer mendime vetëm për hapësirat për të gjetur zgjidhje përfundimtare për disa çështje të aktualitetit. Bëra të ditura qëndrimet e mia për këto çështje.”- u shpreh Meta.

Më tej kreu i LSI-së theksoi se komunikimi me kryetarin e opozitës është konstruktiv dhe i duhuri që duhet të jetë në raportet midis politikanëve.

Koalicion PS-LSI?

Kryetari i LSI-së e anashkaloi disa herë pyetjen për një koalicion të mundshëm mes partisë që ai drejton dhe PS-së, duke theksuar se kjo do të vendoset në pranverën e ardhshme. “Hamendësimet janë pjesë e krijimtarisë së cilitdo, por ajo që ne kemi shkëmbyer mendime kanë qenë çështjet që përmenda deri tani. Ne jemi në një koalicion qeverisës, i cili vazhdon të funksionojë, pavarësisht hamendësimeve. Për zgjedhjet e 2013-ës nuk kemi ende një qëndrim, sepse nuk ka ardhur koha për këtë qëndrim.”- u shpreh Meta. Sipas kreut të LSI-së, pozicionimi për zgjedhjet e ardhshme do të diskutohet në fund të pranverës. Ndërsa theksoi se, koalicioni qeverisës funksionon sipas marrëveshjes, Meta tha se, LSI ka vullnet për bashkëpunim dhe arritje, dhe nuk shikon vend për kriza apo ndryshime.

Bashkëpunimi pas zgjedhjeve të 2013-s

Ndër të tjera Meta theksoi se, LSI do të jetë më pranë bashkëpunimit me ato forca që do të bëjnë përpjekje më të mëdha për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë. “Në Shqipëri koalicionet i vendosin qytetarët, ne do të respektojmë votën e qytetarëve. Ata e dinë se çfarë përcakton LSI dhe çdo forcë tjetër. Nuk na kanë kapur ende ethet elektorale. Çdo gjë do të jetë produkt i kohës dhe i momentit kur do të merret një vendim”,- tha Meta.