Ilir Meta: LSI e mban fjalën, kërkohet paqe sociale

425
Kryetari i LSI-së mori pjesë në një takim me vajza dhe gra, banore të Njësisë 2 në Tiranë: Fuqizimi politik i gruas të sjellë fuqizim ekonomik e social 
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me vajza dhe gra, banore të Njësisë 2 në Tiranë, ndërsa theksoi, se Lëvizja Socialiste për Integrim e mban fjalën dhe familjet shqiptare duan paqe sociale. Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Meta u shpreh se për një shoqëri të shëndetshme na duhet një familje e shëndetshme dhe, se për këtë roli i grave, i vajzave, i nënave, është i jashtëzakonshëm, sepse përgjegjshmëria e tyre është maksimale në familje, në komunitet, në rrethin familjar dhe shoqëror. “Është shumë e rëndësishme që fuqizimi politik i gruas të sjellë një fuqizim ekonomik dhe social që është edhe themeli dhe i një dinjiteti njerëzor të sigurt të çdo gruaje dhe të çdo nëne”, tha Meta, duke theksuar se në të ardhmen gratë do të jenë edhe më të përfaqësuara në vendimmarrje. “LSI kujdeset për vendin. LSI kujdeset për njerëzit. LSI mban fjalën. LSI është një shans për të gjithë. Ne do të bëjmë maksimumin në të ardhmen për t’u përfaqësuar me sa më shumë gra dhe vajza”, tha ai. Më tej, kryetari i LSI-së u shpreh, se fokusi duhet vendosur te çështjet që kanë të bëjnë me të rinjtë, me nënat e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë në familjet tona, që ato të kenë një të ardhme më të mirë. “Në qoftë se për një fëmijë garantohet një e ardhme më e mirë, kjo është për të gjithë familjen, kjo është për të gjithë shoqërinë. Është detyra jonë që të tregojmë, që familjet shqiptare, që nënat shqiptare që gratë shqiptare duan paqe sociale në vend, sepse në radhë të parë duan paqe sociale në familjen e tyre, duan një të ardhme të qetë dhe të sigurt për fëmijët e tyre”, u shpreh Meta, teksa nënvizoi se një mundësi më e mirë ekonomike dhe sociale rrit mundësinë e pavarësisë të forcimit të dinjitetit të gruas, të nënës në familje dhe në shoqëri. “Natyrisht që kjo kërkon edhe një përkrahje më të madhe për të investuar në formimin profesional dhe njëkohësisht për të përshtatur aftësitë dhe kapacitetet e tyre me vendet e reja të punës që duhet të jenë më të mirëpaguara dhe kjo natyrisht që kërkon një politikë më konkrete dhe më aktive”, deklaroi ndër të tjera kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar një qeveri të besimit për zgjidhjen e krizës politike në vend, ndërsa opozita refuzuan të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën si kryeministër. Në të njëjtën kohë, LSI ka shprehur gatishmërinë edhe për firmosjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me PS-në për katër vitet e ardhshëm, por duke e kushtëzuar atë me gjetjen e një zgjidhjeje politike për të përfshirë edhe opozitën në zgjedhje. Për këtë, Meta deklaroi dy ditë më parë se do të kërkohet edhe ndërmjetësimi i Partive Popullore Evropiane për të gjetur një kompromis me Partinë Demokratike.
Sigal