Idajet Beqiri: Presidenti jo kryetar i KLD, të krijohet Gjykata e Kasiacionit, të zhbëhen ndryshimet kushtetuese të 2008

456
Av. Idajet Beqiri në intervisën te gazeta “Telegraf” ngre shpetësimin sepse nuk dihet se cilët janë specialistët që merren me reformën në drejtësi, dhe bën apel që politika të mos përzihet. Av Beqiri shprehet për “Telegraf”, se reforma duhet të prekë KLD, Gjykatën e Lartë e atë Kushtetuese dhe Prokurinë e Përgjithshme dhe të zhbëhen ndryshimet kushtetuese të 2008. 
– Zoti Beqiri kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi para disa ditësh pohoi që në hartimin e p.ligjit marrin pjesë 25 specialistë vendas dhe shumë të huaj. Ju dini gjë me çfarë kritere u përzgjodhën këta specialistë?
– Nuk jam në dijeni të emrave të këtyre 25 specialistëve vendas dhe të huaj. Ndërsa lidhur me kriteret e përzgjedhjes së tyre, së paku nga sa është diskutuar dhe debatuar në takimet dhe konsultat e shumta që janë bërë para hartimit të raportit analitik prej 320 faqe mbi gjëndjen në sistemin e drejtësisë dhe si e ku do bëhen ndërhyrjet, kriteri bazë i përzgjedhjes së tyre do të ishte profesionalizmi i lartë, përvoja e madhe në sistemin e drejtësisë dhe ligjbërje, profilizimi i tyre për shkak se reforma është gjithëpërfshirëse dhe do të prekë të gjitha skutat e sistemit të drejtësisë. Janë apo nuk janë të tillë 25 të përzgjedhurit, kur të njihemi me emrat e tyre, do të flasim. 
– Ju mendoni se këta specialistë janë jashtë ndikimeve partiake dhe a janë më kompetentët që të bëjnë projektligje cilësor e të pranueshëm nga të gjithë palët?
– Reforma e thellë në drejtësi është në radhë të parë dhe kryesyesit juridike, domethënë thellësisht profesionale. Politika duhet t’u jap specialistëve të jurisprudencës vetëm formën e shtetit. Forma e shtetit tonë si Republikë Parlamentare është dhënë. Hartuesit e drafteve të projektligjeve duhet të jenë specialistë të mirëfilltë juristë të specializuar të fushave të ndryshme që do preki reforma në sistemin e drejtësisë. Ata nuk duhet të kenë asnjë punë me politikën dhe politikanët, shqiptarë, nuk duhet të marrin “dorën e tyre” për asgjë, sepse kjo reformë është juridike dhe jo politike. Politika ka vetëm një rol: Pasi të marrë në dorë projekt draftet e reformës në drejtësi të përgatitura nga specialistët e mirëfilltë, t’ua përcjellë ato një rrethi masiv profesionistësh juristë dhe të fushave të tjera, grupeve të interesit, organizatave joqeveritare, shoqatave dhe asosacioneve të ndryshme, me qëllim që të vjel prej tyre mendime, vlerësime, konceptime, formulime, ndryshime etj, me qëllim që kjo reformë të bëhet aq gjithëpërfshirëse, sa të mos mbes shqiptar pa u bërë direkt apo indirekt pjesë përbërëse e mendimit, gjykimit dhe vendimarrjes për të. 
– Si i vlerësoni 7 shtyllat e reformës dhe 5 ndryshimet kushtetuese që prezantoi Xhafa si dhe platformën e PD për këtë reformë?
– Gara për të paraqitur “platforma” politika, në rastin konkret opozita, nuk është shenjë e mirë për kryerjen e kësaj reforme. Politika nuk është mirë, e madje nuk është e nevojshme të paraqes platforma për reformën në drejtësi. Ky do të ishte shëmbulli më i keq për ta sabotuar reformën në drejtësi. Platformën, këndvështrimet, projekt draftet, duhet t’i prodhojnë mendimi më i përparuar juridike dhe i fushave të tjera të shkencës, e pastaj politika kur t’i diskutoj ato, të jap vlerësimet e veta. Kjo do e bënte reformën efektive, të përparuar, të suksesshme dhe tepër dobiprurëse për shqiptarët dhe për efektivitetin e vet shtetit ligjor në vendin tonë. Ndryshe, të ashtuquajturat “platforma” të qeverisë apo të opozitës do të ishin haptaz “ruajtje e statukuos së sistemit të drejtësisë”, hedhje hi syve ndaj shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se gjoja po e bëjmë reformën në drejtësi, por që thelbin e saj për ta kontrolluar edhe në të ardhmen politika, për të qënë drejtësia mburoja e krimit dhe korrupsionit, të ruhet me fanatizëm. 
– Mendoni se do jetë e lehtë qasja e tyre politike për të arritur te konsensusi?
– Nëse reforma në drejtësi do të bëhet mbi bazën e parimeve të mirëfillta juridike, në dobi të qytetarëve të këtij vendi, në funksion të dekriminalizimit real të shoqërisë shqiptare, e cila është e tillë dhe me këto përmasa gjigandeske, sa që nuk ka mbetur skutë e jetës dhe e shoqërisë e pa prekur, në saj të sistemit të kalbur, të kapur dhe të korruptuar të drejtësisë, konsensusi arrihet shumë lehtë. Në të kundërtën do të çirren maskat, ç’ka do të jetë shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, dhe pastaj për të mos u mbajtur më ky vend dhe ky popull prej krimit dhe kriminelëve të politikës, forca e kartonit që populli u ka dhënë forcave politike duhet të anashkaloj “konsensusin” kriminal! 
– Ju cfarë mendimi keni për ndryshimet që duhet të bëhen për KLD, Gykatën e Kasiacionit dhe Këshillin Kombëtar të Magjistraturës?
– Të treja këto institucione të sistemit të drejtësisë duhen rikonceptuar dhe ndryshuar thelbësisht. KLD nuk duhet të drejtohet më nga kreu i shtetit. Në një republikë parlamentare, siç jemi ne, ku presidentin e propozojnë dhe e zgjedhin forcat politike sipas preferencave të tyre, qënia e tij në krye të KLD e politizon këtë organ dhe e bënë të varur nga politika. Mendimi që kreu i KLD të jetë kryetari i Gjykatës së Lartë, është konstruktiv, parimor dhe dobiprurës. Ligji për KLD duhet të jetë diametralisht i kundërt me këtë aktualin. Përzgjedhja e anëtarëve të KLD duhet të bëhet mbi baza të forta rigoroze kriteresh profesionale, përvoje pune, moshe, jetëshkrimi etj, të cilat të sjellin në këtë institucion të lartë që gjykon gjithë sistemin gjyqësor, juristët më të shquar ndër vite të këtij vendi. Qënia anëtarë i KLD duhet të jetë i papajtueshëm me çdo funksion tjetër, posaçërisht të gjyqtarit, e madje edhe të mësimdhënësit. Gjykata e Lartë duhet të rikonceptohet si gjykatë kasacioni, me kopetenca gjykimi dhe njësimi të praktikave gjyqësore rigorizisht të përcaktuara me ligj. Gjykata e Lartë nuk duhet të jetë me këtë përbërje skandaloze të sotme, ku veç më pak se 30 për qind të saj e justifikonë të qënurit anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërsa të tjerët të ikin nga sytë këmbët, sepse janë të paaftë dhe të politizuar në ekstrem! Me përcaktime të sakta ligjore të kritereve rigoroze, të cilat e mbajnë në shinat e profesionalizmit të lartë, të përvojës së madhe, të ndershmërisë së provuar ndër vite, duhet të jetë edhe Këshilli Kombëtar i Magjistraturës. Në këtë organizëm të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë duhet të gjenden “medikamente” të forta ligjore që e mbajnë atë larg ndikimit politikë, larg çdo lloj ndikimi e varësie nga kushdo qoftë. 
– Cili ndryshim në drejtësi mund të prodhojë gjyqtarë e prokurorë të pavarur e të pakorruptueshëm?
– Reforma në sistemin gjyqësor duhet të prek gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha shkallëve të gjykimit. Të prek madje edhe Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Pas përcaktimit të kritereve ligjore rigoroze se kush mund të jetë gjyqtar dhe prokuror i çdo shkalle gjykimi, pas pastrimit të sistemit nga “gjyqtarët e plepave”, në filtrat e testimeve para komisioneve tepër të specializuara duhet të kalojnë të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët pa përjashtim. 
– Çfarë roli dhe kompetenca duhet të ketë Presidenti në Drejtësi?
– Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë as kryetar, e madje as anëtarë i KLD. Në sistemin e një Republike parlamentare, Presidenti i Republikës është një partiak, sido që të zgjidhet. Ai nuk duhet të ketë asnjë kompetencë mbi organet e pavarura të drejtësisë, posaçërisht mbi prokurorët dhe gjyqtarët.
– Atëhere si duhet të zgjidhet Presidenti?
– Duhet t’i kthehemi Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008 për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ai duhet të zgjidhet me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit. 
Sigal