Një ngjarje e pabesueshme zuri fill në qytetin e ashtuquajtur “të kulturës” në Korçë. Romë dhe egjiptianë që gjatë muajve të verës merren me shitjen e misrave të pjekur u përballën me terrorin e punonjësve të policisë bashkiake. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë vetëm për terror psikologjik dhe fizik, por edhe për një vepër tjetër penale, atë të rrezikimit të jetës së tjetrit. Policia bashkiake u hodhi mbi fytyrë prushin e nxehtë të mangajve ku piqeshin misrat. Sigurisht, romët dhe egjiptianët mundën t’i shmangeshin rrezikut të zjarrit të provokuar nga policia në fjalë, por këtë fat nuk e pati Zana Tushini, e cila mbeti e lënduar. Thëngjijtë e zjarrit që përvëlonin mundën t’i prekin fytyrën. Fatmirësisht dëmtimet janë të lehta, pasi edhe kjo grua mundi t’i shmangej deri diku agresionit të policisë bashkiake, por gjithsesi ajo vijon të mbetet e lënduar. Megjithatë i papranueshëm dhe jashtë çdo logjike njerëzore mbet akti i punonjësve të kësaj policie. Lajmi i përhapur mbi gjithçka kishte ndodhur, me pjekësit e misrave, la të tronditur qytetin e Korçës, i quajtur ndryshe, qytet i mësonjëtores së parë shqipe. “Policia bashkiake “e rilindur” po vjen me një stil dhe metodë punë të re, e cila të bën të marrësh vrapin që në momentin e parë që sheh njerëz të veshur me uniformën e policisë bashkiake”. Të paktën kështu u shprehën romët dhe egjiptianët që kishin mbetur të terrorizuar nga përballja me policinë bashkiake të Korçës.
Nuk kemi ku ankohemi
Romët dhe egjiptianët e terrorizuar nga policia bashkiake i gjetëm para Bashkisë së Korçës, të cilët ishin mbledhur aty të gjithë për t’u ankuar te kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, por së paku, përsa kohë që ne ishim aty, zoti Filo nuk u pa të vinte. Gjatë kësaj kohe ne patëm mundësinë të merrnim emrat e romëve dhe egjiptianëve që ishin përballur me policinë bashkiake. Ata janë: Zana Tushini, Hajri Kovaçi, Engjëll Halili, Ilir Nake, Vasilika Dhëmbeli, Teuta Nake, Luan Fusha, Vjollca Tushini, Mensur Goskova, Kostaq Lika, Nazmi Naço si dhe shumë të tjerë. Që të gjithë tregonin të njëjtën gjë: sjelljen brutale të policisë ndaj njerëzve më të vobektë të qytetit të Korçës. “Nuk kemi ku të ankohemi, ishte shprehja e tyre e vetme, ndaj kemi vendosur të presim ardhjen e kryetarit të bashkisë Sotiraq Filo, Sigurisht do t’ia bëjmë të njohur sjelljen e punonjësve të policisë, por në të njëjtën kohë do t’i lutemi sërish të na lejojë të pjekim misra, pasi nuk kemi të ardhura të tjera dhe nuk mund t’i lemë fëmijët tanë të vdesin për bukë. Lekët që fitojmë nga shitja e misrave të pjekur është e vogël, sepse ne i blejmë te fshatarët, por gjithsesi në mbrëmje arrijmë ta blejmë një bukë për fëmijët. Bashkia nuk na ofron asnjë mundësi punësimi dhe ne nukdimë sit a nxjerrim bukën e gojës. Jemi njerëzit më të varfër të qytetit të Korçës, na ndodh shpesh të flemë edhe pa darkë. Mos vallë shitja e misrave të pjekur është ndonjë korrupsion i madh dhe bashkisë poi dëmtohet buxheti?, përpiqen të argumentojnë romët dhe egjiptianët.
Varfëri deri në dhimbje
Për të treguar se sa të varfër ishin realisht, dhe që në të njëjtën kohë të ishin po kaq të besueshëm edhe kur të gjendeshin përballë me kryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filo, shumë prej tyre kishin marrë me vete edhe faturat e papaguara të ujit dhe të energjisë elektrike. “Kemi kohë që jemi pa drita dhe pa ujë, pohuan ata, sepse me shumë vështirësi sigurojmë bukën e përditshme, ndërsa nuk na mbetet asnjë qindarkë për pagesën e dritave dhe të ujit, ndërsa nuk bëhet fjalë për blerje rrobash të reja, për një kafe në lokal (sepse edhe ne njerëz jemi si gjithë të tjerët) apo për ndonjë dhuratë ditëlindjeje për fëmijët tanë. Të gjitha këto për ne janë të pamundura. Jeta jonë është një dhimbje e madhe. Punësimi ynë i vetëm janë dy-tre tre muajt e verës, ku na jepet mundësia të shesim misra të pjekur, sepse pas kësaj na duhet ose të dalim në rrugë e të lypim, ose të mbledhim sende nëpër kazanët e plehrave. Çfarë mund të bëjmë tjetër, na duhet të jetojmë.
Brutaliteti policor
Megjithatë, ajo që mbetej e papranueshme për këta njerëz të varfër ishte sjellja brutale e policisë bashkiake, e cila kishte tentuar të përdorte forcën dhe t’u hiqte nga përdorimi edhe mangajt e zjarrit, ku gjatë kësaj tentative kishin rrezikuar edhe jetën e njerëzve fatkeq, të cilët për të mbrojtur dy misra të pjekur kishin rrezikuar jetën e tyre, madje edhe dritën e syve, siç kishte ndodhur edhe me zonjën Zana Tushini. “Nuk kam as kohë dhe as lekë të vete në spital, tha e nderuara zonja Tushini, sepse fëmijët e mi presin që unë të kthehem në shtëpi me bukën e blerë, ndërsa përpiqem të mjekohem në kushtet e shtëpisë. Për ditën e sotme një gjë është e sigurtë: fëmijët e mi nuk do ta kenë fatin të kenë bukë për drekë. Ne nuk mund të dalim të pjekim misra, pasi policia bashkiake do të na turret sërish me të njëjtin agresivitet. Ne e dimë shumë mirë, që gjysma e biznesve nuk paguajnë taksa dhe tatime, sepse ata kanë miq në bashki, kanë të njohur, ndajnë lekët, ndërsa për dy misra të pjekur janë gati “të na pjekin” edhe ne. Atëherë, bukën le të na i blejë Bashkia deri sa të na gjejë një punë tjetër ku mund të punojmë, nuk kemi pretendime, pastrojmë edhe haletë e qytetit, vetëm të mos na lenë pa bukë, pasi edhe pa drita mund të jetojmë, netët me hënë janë falas, edhe pa ujë mund të jetojmë.