Went: Do të punojë që Shqipëria të përmbushë objektivat e aleancës për rritjen e shpenzimeve ushtarake
Mbështetja ndaj Shqipërisë në përballjen me korrupsionin, krimin e organizuar transnacional dhe kartelet e drogës do të jetë një nga objektivat kryesore të mandatit të tij, nëse konfirmohet në detyrë. Një tjetër prioritet i shpallur nga Wendt ishte mbrojtja dhe bashkëpunimi ushtarak në kuadër të NATO-s.
I nominuari i Presidentit amerikan për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric G. Wendt, ka paraqitur para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë prioritetet që synon të ndjekë në Tiranë, duke vendosur në fokus luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe karteleve të drogës. Në deklaratën e tij para senatorëve amerikanë, Wendt paralajmëroi se mbështetja ndaj Shqipërisë në përballjen me korrupsionin, krimin e organizuar transnacional dhe kartelet e drogës do të jetë një nga objektivat kryesore të mandatit të tij, nëse konfirmohet në detyrë. “Linja e parë e veprimit është ajo që e bën Amerikën më të sigurt, duke mbështetur Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar transnacional dhe karteleve të drogës”, deklaroi ai gjatë seancës. Një tjetër prioritet i shpallur nga Wendt ishte mbrojtja dhe bashkëpunimi ushtarak në kuadër të NATO-s. Ai u zotua se do të punojë që Shqipëria të përmbushë objektivat e aleancës për rritjen e shpenzimeve ushtarake, si dhe për forcimin e sigurisë kibernetike.“Do të ndihmojmë në rritjen e sigurisë kibernetike për Shqipërinë dhe Amerikën, si dhe do të zhvillojmë iniciativa në fusha të ndryshme ushtarake”, u shpreh ai. Në fjalën e tij, Wendt kujtoi edhe eksperiencën personale me trupat shqiptare gjatë shërbimit në NATO. Ai tha se forcat speciale shqiptare kanë qenë pjesë e komandës së tij dhe i vlerësoi ato si “shembull i shpirtit luftarak dhe i heroit të tyre, Skënderbeut”.“Shqiptarët janë njerëz krenarë, punëtorë dhe mikpritës”, deklaroi i nominuari për ambasador.Përveç çështjeve të sigurisë, Wendt prezantoi edhe prioritetet ekonomike të mandatit të tij. Ai përmendi energjinë, inteligjencën artificiale dhe industrinë minerare si sektorë strategjikë ku SHBA synon të zgjerojë bashkëpunimin me Shqipërinë.Një tjetër element i planit të tij ishte investimi në kapitalin njerëzor. Wendt deklaroi se synon të mbështesë zhvillimin e burimeve njerëzore në Shqipëri përmes metodave tradicionale dhe atyre inovative.
Went: Do të ndihmojmë në rritjen e sigurisë kibernetike për Shqipërinë dhe Amerikën, si dhe do të zhvillojmë iniciativa në fusha të ndryshme ushtarake
Në pjesën personale të dëshmisë së tij, ai foli edhe për familjen, duke theksuar lidhjen e saj me shërbimin ushtarak amerikan. Wendt tregoi se vajza e tij ndodhet në Okinawa të Japonisë së bashku me bashkëshortin, një kapiten i Forcave Ajrore amerikane, ndërsa djali i tij, oficer në ushtrinë amerikane, ishte i pranishëm në sallë gjatë dëshmisë.“Ne jemi një familje që e duam Amerikën dhe jemi mirënjohës për mundësinë për t’i shërbyer një vendi kaq të veçantë”, deklaroi ai.




















