Hysen Osmanaj, ish anëtar i KQZ-së: Reforma Zgjedhore duhet të ketë qëllim kryesor amendamentet për ndalimin e korrupsionit zgjedhor dhe ndërhyrjet në manipulimin e votës

Hysen Osmanaj, ish anëtar i KQZ-së

Reforma zgjedhore është problematika parësore në momentet aktuale që po kalon vendi, opinioni publik ka arritur deri aty sa po mendon a do të ketë më zgjedhje të lira dhe demokratike, apo do të kalojmë edhe një herë në zgjedhje moniste njëpartiake. Zgjedhjet antiligjore monopartiake, dhe administrata zgjedhore monopartiake që administroi zgjedhjet e 30 Peshorit si dhe sjellja e disa organizmave ndërkombëtare e kanë rrënuar besimin se në Shqipëri do të kryhen zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, fatkeqësisht edhe besimi te organizmat ndërkombëtar për drejtësi është lëkundur shumë për të bërë rolin e interlekutorit (negociuesit’). Ambasadori Borchardt si përfaqësues i seksionit të OSBE në Tiranë me qëndrimet e tij hapur pro mazhorancës, i shpallur tani dhe person ‘non grata’ nga Presidenti i Republikës e bën të pa besueshëm në rolin e ndërmjetësit mes pozitës dhe opozitës reale për të hartuar e pranuar ndryshime në Kodin Zgjedhor. Duke vërejtur amendamentet e administratës zgjedhore të përgatitura nga ekspertët te shkon mendja se thembra e Akilit në administrimin e procesit zgjedhor ka qenë administratë zgjedhore, por nisur nga njohja dhe eksperienca e gjatë që kam për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe në shumë vende të botës me demokraci solide dhe të brishtë siç jemi ne, jam i mendimit se nuk është ky problem themelor i reformës zgjedhore për vendin tonë, madje në vendet postkmuniste administrimi i zgjedhjeve me përfaqësim politik ka qenë nga më efiktivët dhe për rrjedhojë reforma duhet të ketë qëllim kryesor amendamentet për ndalimin e korrupsionit zgjedhor dhe ndërhyrjet në përmirësimin e sistemit.

Sigal

Ambasadorin Borchardt si përfaqësues i seksionit të OSBE në Tiranë me qëndrimet e tij hapur pro mazhorancës, i shpallur tani dhe person ‘non grata’ nga Presidenti i Republikës e bën të pa besueshëm në rolin e ndërmjetësit mes pozitës dhe opozitës reale për të hartuar e pranuar ndryshime në Kodin Zgjedhor

Duke parë që forcat kryesore politike nuk janë për ndërrimin e sistemit zgjedhor, korrupsioni zgjedhor mendoj se është problemi themelor për reformën zgjedhore në momentet e vështira që po kalon vendi, një krizë e thellë politike, institucionale dhe shoqërore. Në vendet e vogla me një demokraci të brishtë ku nuk sundon shteti i së drejtës, me institucione demokratike të kapura nga mozhoranca, po qe se korrupsioni zgjedhor kthehet qëllim në vetvete është e kotë çdo reformë zgjedhore, sado e përkryer qoftë dhe me një administratë sa do profesioniste dhe e paanshme qoftë, nuk mund të realizohen standardet e kërkuara për zgjedhje te lira dhe demokratike. Një nga rekomandimet prioritare te OSBE-ODIR ka qene performanca e administratës zgjedhore dhe depolitizimi i saj, por më vjen keq që akoma nuk kanë kuptuar një gjë se në Shqipëri nuk gjen jo një institucion të pavarur por dhe një njeri të pavarur (një opinion ky i kahershëm i Komisionit të Venecias), pasi vijmë nga sistemi më “Stalinist” i Evropës pra jemi tejet të politizuar, pa bukë rrimë, por pa politikë kurrsesi. Nisur nga tensionet politike aktuale është jashtë realitetit të mendojmë për një administratë të pavarur e drejtuar nga një komisioner shtetëror ekzekutiv monokratik. Kushdo qoftë ky që në emërim është i paragjykuar, pasi kriteret që duhet t’i plotësojë janë të përgjithshme shumë më larg kritereve për të qenë anëtar i KQZ-së me ligjin zgjedhor të mëparshëm, me kriteret e kërkuara personi që ka të drejtë të kandidojë dhe ai që nuk ka të drejtë të kandidojë, ka një probabilitet shumë më të madh për të qenë më i politizuar se sa ish anëtari i KQZ-së, kompetencat e tij ekzekutive janë të tilla sa që Komisioni Rregullator dhe ai i Ankimimeve dhe Sanksioneve duken si punonjës të administratës së Komisionerit. Shqipëria ka një eksperiencë shumë të hidhur me “njishat”, madje e vuan shumë dhe në ditët e sotme e si rrjedhojë në duhet t’i largohemi sa më shumë “njëshit” dhe të jemi sa më shumë kolegjialë me rregulla të qarta lojë dhe pa boshllëqe ligjore, madje dhe të shkruara me shumë kujdes, atëherë nuk ka të çmendur që nuk e zbaton ligjin ose në të kundërt mban përgjegjësi penale personalisht. Sipas draftit administrata zgjedhore në nivelet e dyta e treta dhe grupet e numërimit duhen të jenë punonjës të shërbimit civil dhe në pamundësi të rekrutohen punonjës që i plotësojnë kriteret për të qenë të tillë të trajnuar dhe të certifikuar nga KQZ-ja.

Që të kemi një reformë zgjedhore të gjithëpranueshme, së pari – duhet të jetë vullneti politik për të ndërhyrë në ligjin zgjedhor

Edhe kjo është e pa mundur të jetë e gjithë pranuar, administrata do të jetë e pa besueshme, e pa depolitizuar aq më tepër kur në shërbimin civil janë rekrutuar nga mozhoranca aktuale punonjës partiak të pakualifikuar dhe janë hequr nga shërbimi civil punonjës jashtë çdo procedure ligjore, gjë të cilën e tregon fakti se e kanë fituar të drejtën e kthimit në punë mbi 80% e tyre ose shpërblimin për dëmin e shkaktuar nga kjo mazhorancë, buxheti vjetor për pagat e të pushuarve padrejtësisht nga puna është 113 milion dollarë në vit e fituar me vendime gjyqësore të formës së prerë. Referuar draftit të paraqitur nga “ekspertët” për diskutim në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe më gjerë për sa i takon administratës zgjedhore ky projekt është i pagjykuar të paktën nga mbi 50% e elektoratit, pasi nuk plotëson qëllimin kryesor depolitizimin, paanësisë dhe besueshmërinë e elektoratit, si rrjedhojë është i dështuar. Modeli më i pranueshëm i administratës zgjedhore duhet të jetë ky që kemi me sanksione të ashpra për shkelësit e ligjit ose përafrimi me modelet e shteteve të rajonit si Kosova e Maqedonia e Veriut, ose e disa vende postkomuniste si Moldavia dhe Gjeorgjia. Si përfundim, që të kemi një reformë zgjedhore të gjithëpranueshme, së pari- duhet të jetë vullneti politik për të ndërhyre në ligjin zgjedhor, duke pasur si qëllim kryesor masat kundër korrupsionit zgjedhor, kundër financimit të fushatës zgjedhore nga burime të dyshimta, kundër ndërhyrjes në procesin zgjedhor të grupeve kriminale, ngushtimin e kompetencave të subjekteve konkurruese për të ndërhyrë në proces sidomos në administratën zgjedhore si dhe të shihet më me përparësi përdorimi në proces i sistemeve të teknologjisë së informacionit, trajnimi i administratës dhe edukimi zgjedhor.

Qëllimi i Reformës Zgjedhore ka si objekt kryesor; masat kundër korrupsionit zgjedhor, kundër financimit të fushatës zgjedhore nga burime të dyshimta, kundër ndërhyrjes në procesin zgjedhor të grupeve kriminale, ngushtimin e kompetencave të subjekteve konkurruese për të ndërhyrë në proces sidomos në administratën zgjedhore si dhe të shihet më me përparësi përdorimi në proces i sistemeve të teknologjisë së informacionit, trajnimi i administratës dhe edukimi zgjedhor

Qëllimi i Reformës Zgjedhore

Në radhë të parë korrupsioni politik ku forcat politike kanë qëllim të vetëm fitimin me çdo kusht dhe me çdo mënyrë duke mos ndjekur asnjë rregull, ligj apo moral, pasi e quajnë jetike fitoren, me mentalitetin e vjetër komunist, që fitorja duhet të merret me çdo mënyrë, madje edhe me revolucion me dhunë, thënë shkurt për forcat politike vetëm fitorja është qëllim në vetvete, duke mos respektuar parimet për zgjedhje te lira dhe demokratike,

Së dyti shitblerja e votës e cila arriti kulmin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ku vota shitej dhe blihej si në tregjet e “fruta-perimeve”, gjë të cilën e konstatuan jo vetëm organet ligj zbatuese si policia dhe prokuroria, e cila nuk mori asnjë mas, por dhe raporti përfundimtar i OSBE-ODIR e theksoi se rreth 20% e votave u blenë.

Së treti korrupsioni shtetëror i kryer nga mazhoranca e cila aktivizoi të gjithë administratën shtetërore në fushatë madje dhe policisë iu bë thirrje publike nga kreu i mazhorancës të marrë pjesë në fushatën zgjedhore, përdorimi në masë i mjeteve dhe burimeve publike gjate fushatës gjë e cila u theksua përsëri në raportin përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë,

Dhe së katërti por jo e fundit, përdorimi i njerëzve të inkriminuar, ‘të fortëve’, krimit të organizuar për të intimiduar votuesit e konstatuar kjo nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe e cilësuar në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it.