Hoyt Brian Yee: Angazhimi i Uashingtonit në Ballkan, vazhdon të jetë i fortë

615
“Angazhimi i Uashingtonit në Ballkan, vazhdon të jetë i fortë”. Kështu është shprehur Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee , në prag të vizitës që nënpresidenti amerikan Mike Pence do të zhvillojë në Mal të Zi ku do të mbajë bisedime me udhëheqësit e Ballkanit. Ky mesazh është lajm i mirë për udhëheqësit e vendeve të rajonit, mes shqetësimeve se shkurtimet e thella të parashikuara në projekt-buxhetin e Departamentit të Shtetit mund të dobësojnë rolin e Uashingtonit në këto demokraci të brishta të ekspozuara ndaj ndërhyrjes ruse. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarët e Zërit të Amerikës. Zoti Yee thotë se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të bashkëpunojnë me Rusinë në fushat me interes të ndërsjellë si anti-terrorizmi, por kur kanë pikëpamje të kundërta…“Shtetet e Bashkuara, do të mbrojnë interesat dhe vlerat e veta dhe të aleatëve të tyre me shumë vendosmëri. Dhe ne këtë po bëjmë”, thotë ai. Për sa i takon Ballkanit Perëndimor, zoti Yee thotë se Uashingtoni nuk do që ta ekzagjerojë seriozitetin e ndërhyrjes së Rusisë, por mendon se është e rëndësishme të ruhet vigjilenca. “Po marrim masa aty ku mundemi që të forcojmë vendet e Ballkanit Perëndimor, përballë ndikimeve me synime keqdashëse, qoftë nga Rusia apo, burime, vende dhe faktorë të tjerë”, thotë zoti Yee. Zyrtari i lartë veçon rastin e Malit të Zi, ku ai thotë se siç tregojnë të gjitha të dhënat, Rusia ndërhyri për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.

“Vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë shumë të kujdesshme, duhet të ndjekin me vëmendje se ç’bën Rusia dhe edhe ne po bëjmë të njëjtën gjë”, thotë ai.
Sigal