Hetime kryesisht për kreun e ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj

457
Sigal

Konfirmohet zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme

Som

Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar procedimin penal kryesisht dhe pa autorë, me dyshimin se ILDKPKI nuk ka vepruar në hetimin dhe denoncimin e rasteve të përfshirjes në konflikt interesi të zyrtarëve të lartë 

Tashmë është zyrtare. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetim kryesisht për kreun e ILDKPKI Shkëlqim Ganaj, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Procesi ka nisur këtë mesditë ndërsa dy oficerë të policisë gjyqësore, me një urdhër sekuestrimi të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës u paraqitën në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Misioni i tyre ishte sekuestrimi i të gjitha dosjeve të pasurive të deklaruara nga zyrtarë të lartë, që kur në krye të ILDKPI-së është emëruar Shkëlqim Ganaj. Grupi i Taks-Forcës së Prokurorisë së Tiranës ka dyshime, se kreu i këtij institucioni ka shpërdoruar detyrën, pasi në tre vjet nuk ka konstatuar dhe nuk ka denoncuar asnjë rast konflikti interesi të zyrtarëve të lartë. Më herët, Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar procedimin penal kryesisht dhe pa autorë me dyshimin, se ILDKPKI nuk ka vepruar në hetimin dhe denoncimin e rasteve të përfshirjes në konflikt interesi të zyrtarëve të lartë. “Regjistrimi penal është nisur kryesisht pasi ka indicje dhe fakte të njohura publikisht për përfshirje të zyrtarëve të lartë në konflikt interesi, të cilat nuk janë hetuar dhe denoncuar nga ILDKPKI”, tha për mediat Albi Serani, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme. Si raste të njohura publikisht, ku zyrtarë të lartë janë akuzuar për konflikt interesi për pasuritë e tyre, Serani përmend dosjet e deputetëve Rakip Suli, Valentina Leskaj dhe të ish deputetit Koço Kokëdhima. Për shkak të konfliktit të interesit, Kokëdhima humbi mandatin e deputetit në Gjykatën Kushtetuese. “Për të hetuar, nëse kemi të bëjmë dhe me raste të tjera, organi i akuzës ka vendosur sekuestrimin e të gjitha dosjeve të zyrtarëve të lartë, që nga shkurti i vitit 2014”, shtoi Serani.  Kryeinspektori Shkëlqim Ganaj ka shmangur kontaktet me median gjatë gjithë ditës, pavarësisht se hetimi u lajmërua nga disa media në vend. Ganaj erdhi në krye të Inspektoriatit përmes një procedure të dyshimtë në Parlament duke shmangur institucionin e Presidentit, i cili bën propozimin për kreun e Inspektoriatit. Sapo mori në dorë drejtimin e Institucionit ai bëri disa padi për shkelje të ligjit për deklarimin e pasurisë, duke goditur fillimisht tre poetë.