Heqja e pasaportave diplomatike, reagon Andi Lila: Hakmarrje e ulët e qeverisë, edhe në sport ka ardhur koha për ndryshim

223
Sigal

Ditën e sotme, u publikua në media shkresa e dërguar sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku ndër të tjera kërkohej që futbollistët e Kombëtares Shqiptare, të dorëzojnë pasaportat diplomatike të marra në vitin 2016-të.

Pas këtij vendimi ka reaguar Andi Lila, pjesë e kombëtares së kualifikuar në Europian, i cili së fundmi i është future politikës, si pjesë e strukturave të Partisë Demokratike. Në postimin e tij, ish-futbollisti kavajas, shkruan se është ulur afati nga 10 në 5 vite dhe e ka cilësuar këtë gjë si sjellje inatçore të qeverisë aktuale.

Reagimi i Andi Lilës:

Të nderuar miq.
Ky është njoftimi që më ka ardhur mua sot, por edhe të gjithë lojtarëve të kombëtares Shqiptare që dërguan Shqipërinë në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”.
Sipas këtij njoftimi, të gjithë ne duhet të dorëzojmë pasaportat diplomatike që na skadojnë në Qershor 2026 pasi vlefshmëria e tyre është shkurtuar deri në 30 qershor 2021.
Këtë shqetësim po e ndaj me ju, jo vetëm për faktin se futbollistëve po ju hiqet pasaporta diplomatike, por për të treguar mënyrën e sjelljes, trajtimit dhe vlerësimit që ka për sportistët elitarë mazhoranca e sotme.
Në 2016 nga Kryeministri u pritëm me ceremoni shtetërore për rezultatin historik sportiv, pasi dërguam Shqipërinë në Europian.
Ndërsa sot, vetëm për faktin se futbollistët e kombëtares i dhurojnë bluzën e kombëtares z.Lulzim Basha, ju kërkohet nga zyrtarët e kësaj mazhorance që të dorëzojnë pasaportat diplomatike.
Kjo sjellje inatçore nuk mund të jetë standarti i sjelljes së një shteti demokratik që aspiron për tu bërë anëtar i BE-së.
Sigurisht që ata që tallen me sportistët, që i duan ata vetëm për ti përdorur sportistët si fasadë për propagandën e tyre të dështuar do të marrin ndëshkimin me votë nga sportistët.
Këto pasaporta, që si një hakmarrje e ulët po ju hiqen sot futbollistëve , do t’ju rikthehen menjëherë në shtator 2021 si një nga vendimet e para që do të marrë qeveria e Kryeministrit Basha.
Sot çdo sportist e ka kuptuar se, edhe në sport ka ardhur koha për ndryshim, ndryshim që do të vijë më datë 25 Prill.