Helmut Hoffman, opozita konstruktive, pozita nuk e ka administratën pronën e vet

483
Sigal

Bashkëpunimi mes opozitës dhe maxhorancës si dhe reformat e shëndetshme në të gjitha fushat, janë kushtet që ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman këshilloi për rrugën e integrimit në BE të Shqipërisë. Kjo, sipas tij do t’i bëjë përshtypje Këshillit të Europës. Këto deklarata ambasadori i bëri gjatë forumit me temë ‘Perspektiva gjermane për zgjerimin e BE-së”. Duke u ndalur në vendin tonë, ambasadori i Gjermanisë vlerësoi se po bëhet një punë e mirë, por ka ende rrugë për të bërë. “ A do jetë qeveria e re e aftë për të depolitizuar administratën? A do jetë efektive lufta ndaj korrupsionit?…etj. Këto janë disa nga pikëpyetjet që Bashkimi Europian ka lidhur me Shqipërinë, por ne jemi optimistë”- nënvizoi Hoffman. Ndër të tjera, Hoffman vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë, por këshilloi të mos ecet me ankesa ndaj KiE-s. “Shqipëria ka bërë mjaft progres, qeveria e re hapa inkurajues, por mos ecni në rrugën e pafundme me ankesa për KiE”. Duke ftuar qeverinë dhe opozitën të marrin rolet që ju takojnë, Hoffman tha, “Nuk më inkurajon pamja e fundit. Qeveria dhe opozita të kryejnë rolet që iu takon, Opozita nuk është vetëm sulm, Qeveria e re të ndalojë praktikat e vjetra”,- tha ai ndër të tjera. Ambasadori i Gjermanisë theksoi se ndryshimet kërkojnë bashkëpunim, “duhen dy për të kërcyer tango”, tha Hoffman. Sipas tij, polarizimi politik ka qenë i keq për vendin. Ne nuk e dimë nëse do të vijojë apo jo. Duhet bashkëpunim  i ri, por deri tani pamja nuk më kënaq. Kjo nuk vlen vetëm për qeverinë, por edhe opozitën. Ambasadori Hoffman theksoi ndër të tjera se me rëndësi është edhe reformimi i gjyqësorit.