Kuvendi, 11 orë në seancë plenare, debate të ashpra midis maxhorancës dhe opozitës

503
Sigal

Berisha: Policia kontrollon drogën. Braçe: Berisha të provojë akuzat që bën!

 Kuvendi i Shqipërisë nisi punimet e seancës plenare të ditës së enjte me shqyrtimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane, për programin “Fuqizimi i Agjencisë Shqiptare të Pagesave (AZHBR) për lëvrimin e Kontributeve në Bujqësi”. Në rendin e ditës të seancës u parashikua diskutimi edhe të dy marrëveshjeve të tjera me palën italiane në fushën e bujqësisë dhe më pas ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane KFW, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 KV Shqipëri-Kosovë (Tiranë – Prishtinë). Vendimi i qeverisë për të ndaluar qarkullimin e furgonave ka shkaktuar të ashpra debate në seancën e djeshme plenare.

Edi Rama: Sistemi i transportit duhet të riorganizohet, udhëtari kërkon siguri

Opozita e ka cilësuar si të padrejtë vendimin e qeverisë, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk është dhënë asnjë urdhër për të ndaluar furgonat. Ndërsa u shpreh i prerë se do të ketë transformim të transportit publik, Rama theksoi se, nuk do të lejohen më të qarkullojnë mjetet e palicencuara. “Qeveria nuk do të lejojë më qarkullimin e mjeteve të palicencuara, qeveria do t`u japë kohë për t`u riorganizuar të gjithë atyre që e kanë një licencë të rregullt dhe që do të bëjnë një zgjedhje bazuar në kushtet e tyre nëse do të kalojnë në shërbimin taksi normal apo nëse do të bëjnë shërbimin urban brenda rrethit të përcaktuar nga autoriteti që ka përcaktuar licencën për ta. Dhe së treti qeveria do të ndërmarrë projektin për inovacionin dhe transformimin e gjithë sistemit të transportit tonë publik. Për të bërë të mundur që mos të kemi autobusë të standardeve europiane vetëm në ato linja të Tiranës që u vunë në kohën kur ju bëtë të njëjtën protestë, të njëjtën rezistencë dhe nga ana tjetër të formalizojmë sektorin”,- u shpreh Rama. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën se gjatë 8 viteve që ka qenë në pushtet nuk ka bërë asgjë për transportin publik. Menjëherë pas kësaj debate të ashpra me doza ofendimesh dhe akuzash kanë pasuar ndërmjet deputetëve të opozitës dhe maxhorancës.

Berisha: Policia fsheh krimin, kontrollon drogën. Braçe: Berisha të provojë akuzat që bën!

Gjatë seancës plenare, ish-Kryeministri Berisha akuzoi policinë se fsheh ngjarjet e rënda në vend. Gjatë një fjalimi nga foltorja e Kuvendit, Berisha adresoi këto akuza në drejtim të policisë, ndërsa theksoi se uniformat blu sot kontrollojnë trafikun e drogës në vend.

Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi veç të tjerash se, shqiptarët janë kombi më i mashtruar në Europë, pasi qeveria e maxhorancës së 1 prillit erdhi në pushtet duke u rrëmbyer votat me mashtrim. Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve që ta shndërrojnë marshimin e datës 20 shkurt në ditën e protestës më të fuqishme që ka njohur Tirana. Menjëherë pas kësaj ka reaguar deputeti Erjon Braçe, i cili kërkoi që Berisha të provojë akuzat që bën. “Boll bëri zëdhënësin e paligjshmërisë në këtë vend, nëse ke fakte e prova denoncoji, por mos zër emra në gojë”,-u shpreh Braçe. Berisha ka akuzuar maxhorancën, duke thënë se, bosët e grupit të tritolit janë mes jush. Ndërsa në polici u vetëdorëzua “truri” i grupit të tritolit në Vlorë, për ish-kryeministrin Sali Berisha bosat e tritolit gjenden në mesin e maxhorancës qeverisëse. Nga foltorja e parlamentit Berisha akuzoi qeverinë e majtë se po rikthen bandat si në 2003-04. Kësaj akuze i është përgjigjur Ministri i mbrojtjes, Saimir Tahiri, i cili tha: “Nuk dua të bëj debat, për më tepër që unë besoj se niveli i diskutimit të ish-kryeministrit i kapërcen edhe kufijtë etik të parlamentit dhe të parlamentarizmit”. Ai i quajti akuzat e tij një gënjeshtër të radhës. Gjithashtu, në lidhje me çështjen e transportit, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka tha: “Ndodh aksident me furgon, këta dalin thonë do bllokojmë furgonat. Ndodhi dje aksident me “Benz”, do dalin nesër të bllokojnë “Benz”-at? Mao Ce Duni ka thënë “bajga është më e vlefshme se dogma, pasi bajga të paktën bëhet pleh”. Pas largimit të Kryeministrit Rama nga Parlamenti, kanë vazhduar akuzat nga opozita duke kërkuar ndërprerjen e seancës dhe e quajtur “i gjithëdituri”. Në lidhje me këtë kreu i Kuvendit Ilir Meta është shprehur se: “Këtë debat e kapërcyem edhe në respekt të Kushtetutës, ministri më i rëndësishëm është ai i Parlamentit”. Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi me 102 vota pro marrëveshjen me KfW-së për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV me Kosovën. Marrëveshja parashikon një ndryshim në Marrëveshjen e huasë dhe projektit mes Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), si agjencia e zbatimit dhe bankës gjermane KfW , të projektit “Linja e transmetimit 400 kv Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë), miratuar në parim nga Qeveria në 22 janar 2014. Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë votash tre projektligje në fushën e zhvillimit  të bujqësisë, të cilat janë; Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për programin “Fuqizimi i Agjencisë Shqiptare të Pagesave (AZHBR) për lëvrimin e Kontributeve në Bujqësi”. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit “Projekti pilot për krijimin dhe eksperimentimin e një sistemi sigurimesh të lehtësuara për mbulimin e rreziqeve në bujqësi”. Si dhe Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për programin “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Sektorit të Ullishtarisë Shqiptare (ZHQSU)”.