Konstitucionalisti Sokol Hazizaj, po në këtë emision me Adi Krastën, e cilësoi si një vakuum të rrezikshëm atë që po prodhon sot Reforma në Drejtësi, ku ata që e vuajnë janë qytetarët, të cilët për shkak të këtij vakuumi të krijuar, u duhet të kalojnë në një kalvar të gjatë gjyqësor. Sokol Hazizaj: “Pa dashur të kthej një opinion me një mesazh politik, që jep dikush, që është kryeministër, apo ambasador. E vërtetë është që parimet, mbi të cilat ecën drejtësia, janë disa parime të gjithënjohura, që është pavarësia e gjykatave, që do të thotë jo njëanshmëria, standardi ligjor, që do të thotë e kundërta jo gjykim mbi standarde jo ligjore, hetimi procedurial, që do të thotë e kundërta, jo hetim procedurial mbi mesazhe poltike të varura plotësisht, edhe si ndihmëtare flagrante të frymës së pushtetit dhe ndikimit arbitrar. Të gjitha këto janë ato që ne themi perceptim i sotëm mbi drejtësinë, të paktën nga aktorë dhe faktorë, që janë në procesin e gjykimit. Në fund të fundit, po ta shikosh me vëmendje gjithë ky vakuum i krijuar në system, u krijua për shkak të perceptimit. Dhe ne e kemi thënë atë kohë, që nuk mund ta rregullojë perceptimi i 50 përqindshit, që humbet gjykimin, duke bërë vakuum të gjithë sistemin. Ne sot, kemi më pak se gjysmën e funksionimit të Gjykatës së Lartë, më pak se 2/3 e Gjykatës Kushtetuese, jemi më pak se gjysma e korpusit të gjykatës së Apelit, kemi gjysmën e gjykatave të rretheve gjyqësore, dhe të tre apo katër gjyqtarëve të Gjykatës së Krimit të Organizuar, tani, më falni, cili është perceptimi. Perceptimi vjen nga realiteti, ku ndodhemi. Jemi në një derexhe të turpshme, ku kalvari i qytetarëve për të ndjekur gjyqet do vite.”





















