Emisari amerikan për dialogun, Richard Grenell ka konfirmuar anulimin e vizitës së presidentit te Kosoves, Hashim Thaçi në Uashington, ndërsa ka dhënë detaje se cilët do të jenë pjesëmarrësit e takimit të shtunës në Shtëpinë e Bardhë. Zyra e Prokurorëve Specialë në Hagë ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte në Kosovë. E kjo ka bërë që kreu i vendit të anulojë vizitën e planifikuar për sot në SHBA. Grenell ka bërë të ditur se kreu i Thaci e ka informuar se ka anuluar udhëtimin në Uashington, pas njoftimit të bërë nga Zyra e Prokurorëve Specialë. “Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa çështjet ligjore të atyre pretendimeve të zgjidhen”, ka shkruar Grenell. Ai ka bërë të ditur se bisedimet e 27 qershorit do të drejtohen nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. “Ne mezi presim diskutimet e së shtunës të cilat do të drejtohen nga presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti”, ka shkruar Grenell në Twitter.