Habit zv.ministrja: Buxheti po rëndohet se pensionistët po jetojnë më gjatë

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani ia ka vendosur fajin jetëgjatësisë së pensionistëve për rëndimin e buxhetit.

Teksa fliste për skemën e pensioneve, Manjani u shpreh se të moshuarit po jetojnë më gjatë.

Sigal

Ajo theksoi se kjo rëndon mbi skemën e pensioneve, por uroi që jetëgjatësia të zgjasë sa më shumë.

“Një faktor i rëndësishëm; faktori më pozitiv është rritja e jetëgjatësisë.

Fatmirësisht rritja e jetëgjatësisë që lidhet me përmirësimin e kushteve ekonomike, me rritjen e standardeve të jetesës çon edhe në gëzimin për një kohë të gjatë të pensioneve për një kohë të gjatë.

Ne urojmë që ky të jetë rasti dhe jetëgjatësia të vijojë të rritet më tej, pavarësisht se na rëndon në skemën e pensioneve”,- tha zv.ministrja.

Ndërkohë Shqipëria numëron afërisht 791 mijë pensionistë prej të cilëve rreth 92% e tyre përfitojnë pensione nga skema e detyrueshme e sigurimit shoqëror, invaliditetit apo pensionet familjare.  8% përfitojnë pensione nga programet e veçanta të trajtimit në kategoritë e ish-ushtarakëve, punonjësit e minierave, naftëtarëve etj.