“Grupi i strukturuar që drejton vendin është PPPd”, çfarë janë “deep state” dhe “state capture” që përmendi Meta

319
Sigal

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, presidenti i Republikës, Ilir Meta, u shpreh se ka një grup të strukturuar që drejton vendin, që e quajti “PPPb”, duke shpjeguar më pas edhe kuptimin e akronimit. “PPPd është grupi i strukturuar që do të kapë shteti.

P-ja e parë janë politikanët, P-ja e dytë është propaganda e dini ju. P-ja tjetër është policia, por jo në kuptimin e Policisë së Shtetit por rrugët policeske që ndiqen për të bërë shantazh ndaj politikanëve, sipërmarrësve etj, forma këto në kundërshtim me shtetin ligjor.

Ndërsa “d”-ja e vogël janë disa nga diplomatët që kanë braktisur detyrën dhe misionin e tyre dhe që raportojë sipas qejfit të Ramës.”- tha Meta.

Teksa foli për grupin e strukturuar, kreu i shtetit përdori termat “Deep state” dhe “state capture”.

“Deep state” njihet si “shtet brenda shtetit” dhe konsiderohet një formë klandestine e qeverisjes, që përbëhet nga rrjete të mbuluara apo të fshehura, ku këto të fundit veprojnë të pavarura nga lidershipi politik i shtetit, duke ndjekur qëllimet dhe agjendat e tyre.

Deep State mund të marrë edhe formën e korporatave qeveritare ose kompanive private që veprojnë në mënyrë të pavarur nga kontrolli rregullator dhe qeveritar. Ky koncept është përdorur për herë të parë në Turqinë e Qemal Ataturkut.

Ndërsa, “state capture” apo kapja e shtetit nënkupton korrupsionin sistematik politik, në të cilin interesat private ndikojnë ndjeshëm në proceset e vendimmarrjes së shtetit në favor të tyre.

Përkufizimi klasik i kapjes së shtetit i referohet mënyrës se si procedurat formale (siç janë ligjet dhe normat shoqërore) dhe burokracia qeveritare, manipulohen nga individë dhe firma private, me qëllim që të ndikojnë në politikat dhe ligjet e shtetit në favor të tyre.

Termi “state capture” është përdorur për herë të parë nga Banka Botërore në fillim të viteve 2000, për të përshkruar situatën politike dhe ekonomike në shtetet e Azisë Qendrore, që ishin futur në procesin e tranzicionit pas rënies së regjimit komunist.