Grupi anti-Basha: Demokratizimi i PD-së domosdoshmëri, në vjeshtë projekt statuti i ri

549
“PD duhet të ndryshojë. Humbja në 25 qershor dhe zgjedhjet farsë brenda PD-së sollën domosdoshmërinë e reformimit të partisë” 
Anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së Partisë Demokratike, si dhe anëtarë të kësaj partie në të gjithë degët e vendit kanë shprehur nevojën për një demokratizim të brendshëm të PD-së. Ata kanë mbajtur një qëndrim lidhur me nismën për ringritjen dhe demokratizimin e Partisë Demokratike pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Ne duhet të kthehemi në forcën kryesore opozitare në vend dhe të ringjallim shpresën e humbur tek shqiptarët ashtu siç kemi bërë 27 vite më parë. Humbja e mbi 230.000 votuesve tanë kërkon një analizë të thellë dhe serioze që duhet të kalojë nga forumet tona të ngritura me kaq mund ndër vite. Këto forume duhet të mblidhen dhe të nisin në çdo degë të partisë anembanë vendit analizën e humbjes dhe rikthimin e besimit tek votuesit tanë e më tej”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për shtyp. Gjithashtu ata kanë sjellë mendimet e tyre me propozime se si duhet të jetë statuti i ri i Partisë Demokratike, që nga kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për kryetar e deri edhe tek marrëveshjet që PD-ja mund të lidhë me subjektet e tjera politike në vend. Duke iu referuar gjendjes brenda Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe atyre brenda saj për kryetarin në 22 korrik, grupi i kritikëve shprehet në deklaratën për shtyp se është nevojë madje domosdoshmëri, të bëhet një përpjekje serioze e konstruktive brenda PD-së për demokratizimin e brendshëm të partisë, për rikthimin në vlerat e saj themelore, për konsolidimin e saj ideologjik, për të dhënë së bashku shpresë për PD-në dhe vendin. Ata shprehen të vendosur. “Vetëm brenda radhëve të saj dhe brenda strukturave të Partisë do të mund të sjellim bashkimin rreth shtëpisë sonë politike dhe të krijojmë mundësinë për të ringritur partinë mbi baza statutore dhe besimin tek strukturat tona dhe elektorati ynë”, thuhet në deklaratë. Më tej shkruajnë se PD ka nevojë për një platformë të qartë politike dhe për rivendosjen e saj në shina ideologjike të djathta. “Partia Demokratike duhet të rikthehet sa më parë tek shtyllat e saj: anti-komunizmi, liria e individit dhe fjala e lirë, e drejta e pronës dhe tregu i lirë, familja dhe. Ne duhet të luftojmë fort për të mposhtur qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit që është përfaqësuese e vetëm 20% të shtetasve shqiptarë, krimin, drogën, kanabizimin e vendit, korrupsionin marramendës, varfërimin e vendit, oligarkinë, abuzimin me anë të populizmit të shfrenuar, largimin e shqiptarëve të pashpresë për një jetë të re larg vendit”, vazhdon deklarata. Kritikët janë të bindur se do t’ia arrijnë qëllimit, madje shprehen se do të punojnë si një lëvizje e strukturuar brenda partisë me një platformë të qartë politike dhe në muajin shtator do të paraqesin një projekt-statut të ri për t’u vendosur më pas nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokratike jo më vonë se fundi i vjeshtës së këtij viti. Pas paraqitjes së projekt propozimit për statutin e ri të Partisë, do të duhet të ngrihet menjëherë një komision i posaçëm për përgatitjen e projektit final të Statutit të ri. Ky statut do të duhet të diskutohet më pas në një Kuvend të Jashtëzakonshëm të Partisë.

Rruga përmes bashkimit dhe demokratizimit të partisë si dhe ringritja e Partisë Demokratike të Shqipërisë duhet të nisë nga qartësimi i profilit të saj politik, si një parti që në themel të saj ka lirinë e individit dhe garën e barabartë e të bazuar në kushtetutën tonë që është Statuti i Partisë Demokratike. Bashkimi ynë rreth siglës sonë dhe idealeve të Partisë Demokratike e dhjetorit 1990, është e vetmja rrugë e drejtë, e urtë, e përshtatshme, mbi interesin e çdo pale apo personi, e vetmja rrugë për një PD të aftë e të gatshme për sfidat e reja euroatlantike dhe për reformat e thella që duhet të ballafaqojë vendi. Ne jemi të vendosur për sa sipër, ne do ta bëjmë detyrën tonë ndaj partisë dhe vendit; natyrisht këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm, por së bashku.
Projekt statutit i ri do të duhet të përmbajë:
a) Rregulloren, procedurën, kriteret dhe standardet për zgjedhjen e kryetarit të PDSH.
b) Rregulla të qarta mbi sistemin e karrierës dhe meritës në të gjitha nivelet e organizimit dhe hierarkisë së Partisë.
c) Përcaktimin e procedurës, kritereve e modaliteteve në miratimin e kandidaturave për deputetë dhe kandidaturave të tjera elektorale nga organet vendimmarrëse kolegjiale të partisë dhe shqyrtimin e propozimin e tyre nga anëtarësia.
d) Ndalimin e çdo marrëveshjeje për bashkëqeverisje me kundërshtarin politik pa vendimmarrjen e organit më të lartë të partisë, Kuvendit Kombëtar.
e) Krijimin e gjykatës së partisë me përbërje edhe të figurave historike të partisë, për kontrollin formal të vendimmarrjes së organeve të të gjitha niveleve të Partisë.
f) Këshillin e të Urtëve të Partisë Demokratike, i cili duhet të jetë një organ i përhershëm këshillimor dhe me autoritet moral i PDSH-së, i përbërë nga personalitete të Partisë Demokratike ndër vite.
g) Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë mes anëtarëve të tij kryetarin e Këshillit Kombëtar, me kompetenca për thirrjen dhe drejtimin e Këshillit Kombëtar.
gj) Përcaktimin e detyrimit statutor për mbledhjen e Këshillit Kombëtar rregullisht dhe periodikisht.
h) Në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare kryetari i PD-së të japë dorëheqjen e menjëhershme;
i) Në rast të humbjes së dy palëve zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike të japë dorëheqje të parevokueshme.
j) Në rast se Partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare më tepër se herën paraardhëse, kryetari i saj të japë dorëheqje të parevokueshme.
Sigal