Gruaja e kryebashkiakut të ri të Patosit, ish-drejtoreshë e Kadastrës, e shpallur në kërkim për korrupsion

Kozeta Statha, ish-drejtoreshë e Kadastrës Sarandë, vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Por ky fakt, duket se nuk e pengoi Kryeministrin Edi Rama, që bashkëshortin e Kozeta Stathës, Fation Duro ta kandidonte për kryetar bashkie në Patos. Duro fitoi zgjedhjet në këtë bashki në 14 maj, në një kohë që bashkëshortja e tij është me masë sigurie arrest me burg. Për këtë fakt, Fation Duro ka zgjedhur të hesht, ndonëse moralisht do të duhet të mbante një qëndrim para zgjedhësve. Bashkia e Patosit drejtohet prej Fation Duros, i cili fitoi zgjedhjet e 14 majit në siglën e Partisë Socialiste. Por, kryebashkiaku i ri i Patosit, rezulton se është njëkohësisht bashkëshorti i Kozeta Stathës, ish-drejtoreshë e Portit dhe më pas e Kadastrës në Sarandë. Kozeta Statha, duket se nuk ka qenë e pranishme në betimin e bashkëshortit të saj si kryebashkiak në Patos, pasi është shpallur në kërkim prej një viti për shpërdorim detyre dhe dyshimet për korrupsion. Pra, bashkëshortja e kreut të ri të Bashkisë Patos, prej vitit 2022 është në arrati, pasi ndaj saj ka një urdhër arresti të prokurorisë, pasi dyshohet se si drejtuese e kadastrës në Sarandë, është përfshirë në abuzim me dosjet e pronave. Kozeta Statha u shpall në kërkim në mars të vitit 2022 gjatë operacionit “Heshtja”, ku u arrestuan disa zyrtarë të tjerë të kadastrës së Sarandës, pasi legalizuan disa objekte pa leje. Prej marsit të vitit të kaluar dhe deri më tani, Policia nuk ka arritur të arrestojë Kozeta Stathën. Ndërsa fakti që ajo është person në kërkim me urdhër arresti, duket se nuk e pengoi kryeministrin Edi Rama, që pikërisht bashkëshortin e Kozeta Stathës, ta kandidatonte për të drejtuar bashkinë e Patosit. Portali Ditar.al. ka risjellë në vëmendje pikërisht këtë lajm, ku sipas burime nga prokuroria e Sarandës, Kozea Statha vijon të jetë me masë arresti me burg në mungesë, ndërsa dyshohet se ajo është larguar drejt Britanisë së Madhe. Kryebashkiaku i Patosit, njëherazi bashkëshorti i Kozeta Stathës, ka refuzuar të përgjigjet për këtë rast. Gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 majit, ishte kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha që denoncoi faktin se Partia Socialiste kandidonte në Patos Fation Duron, bashkëshortja e të cilit është në kërkim. Duro ka zgjedhur të hesht për këtë fakt, ndonëse moralisht do të duhet të mbante së paku një qëndrim para zgjedhësve.

Sigal