Greqia e kënaqur: Shqipëria pranoi zgjerimin e kufirit detar

837
Ministri i Jashtëm grek njofton shtyrjen e zonës bregdetare deri në 12 milje. Opozita, kundër Ramës: Fali detin për pak mëshirë. Gati protestat në Tiranë
Shpërthen sërish çështja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Rreth 10 vjet pas marrëveshjes së famshme Basha-Bakojanis, të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, opinioni publik është tronditur dje nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të qeverisë greke, të cilët njoftuan dakordësinë me Tiranën zyrtare për zgjerimin e kufirit detar. Ishte ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotcias, ai që deklaroi se është arritur dakordësi me Shqipërinë për sa i takon vijës së kufirit detar mes dy vendeve dhe tha se Greqia do të përfitojë nga kjo 12 milje detare. “Për Zonën Ekonomike Ekskluzive bëmë 13 orë negociata në fazën përfundimtare. Kishim filluar të diskutonim më përpara dhe më pas i pamë gjërat më hollësisht në Kretë në negociatat katërditore dhe në Korçë”, tha kryediplomati grek në një bisedë me gazetarët në televizionin ERT. Ai sqaroi se bëhet fjalë për zgjerimin e zonës bregdetare kombëtare deri në 12 milje. “Sa për Zonën Ekonomike Ekskluzive mund ta shpallim, pasi pala tjetër ka pranuar që gjithsesi kemi të drejtë 12 milje dhe këtë e ka pranuar pala shqiptare”, u shpreh ministri i Jashtëm grek, i cili zhvilloi dy raunde negociatash me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, në Kretë dhe Korçë. Shqipëria dhe Greqia u duk se afruan qëndrimet e tyre pas disa seancash bisedimesh, por deklaratat e Kocias kanë sjellë jo pak tension në Tiranë, këtë herë jo në pjesën qeveritare, por në opinionin publik. 

“Jo çështje çame”
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotcias, ka deklaruar edhe njëherë se nuk është diskutuar çështja çame gjatë bisedimeve mes delegacioneve në Kretë dhe Korçë. “Nuk e diskutuam. Pala shqiptare e shtroi, pala greke tha nuk e diskutojmë dhe aty mbaruam”, deklaroi ai. Kotcias ka thënë gjithashtu se në marrëveshjet e bëra është edhe ajo e korrigjimit në bazë të udhëzimeve të komisioneve dypalëshe të teksteve shkollore në Shqipëri, që do të fillojnë të qarkullojnë nga shtatori i këtij viti. I pyetur për ndryshimin e qëndrimit të Kryeministrit shqiptar brenda pak muajve, Kotcias ka shtuar se kjo është pasojë e negociatave që u bënë me qartësi dhe durim, ndërsa ka mohuar zërat për ndërhyrje nga faktorë të huaj. Duke quajtur arritje të mëdha çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, rindërtimin e Kishës në Himarë dhe dhënien e nënshtetësisë kryepeshkopit Anastas, Kotcias ka bërë me dije se vizita e Cipras në Tiranë për t’u takuar me homologun e tij shqiptar do të bëhet pak ditë para Pashkës Ortodokse në muajin prill.

Kryeministrat Rama dhe Cipras patën një takim mes tyre edhe pak ditë më parë në Davos, vetëm pak kohë pas mbylljes së dy raundeve të negociatave mes ministrave të Jashtëm. Siç u njoftua, kryeministrat ranë dakord për të firmosur një marrëveshje të re partneriteti, që do të zgjidhte mes të tjerash edhe çështjen e famshme të Ligjit të Luftës. Nga ana tjetër, në Shqipëri ka nisur procesi i gërmimit për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke 7 dekada më parë. 

Biseda
Nikos Kotcias: “Për Zonën Ekonomike Ekskluzive bëmë 13 orë negociata në fazën përfundimtare. Kishim filluar të diskutonim më përpara dhe më pas i pamë gjërat më hollësisht në Kretë në negociatat katërditore dhe në Korçë”.
Gazetari: Për Zonën Ekonomike Ekskluzive?
Nikos Kotcias: “Kemi rënë dakord”.
Gazetari: “…sepse ka bërë deklarata z. Bushati që bënte përgjegjëse për marrëveshjen qeverinë e kaluar. Pra kur thoni keni rënë dakord, do të zgjeroni kufirin detar në 12 milje?”
Nikos Kotcias: “Bëhet fjalë për zgjerimin e zonës bregdetare kombëtare. Po do ta bëjmë, por këto janë zonat bregdetare kombëtare”.
Gazetari: “Dhe më pas do të shpallni Zonën Ekonomike Ekskluzive?”
Nikos Kotcias: “Sa për Zonën Ekonomike Ekskluzive mund ta shpallim, pasi pala tjetër ka pranuar që gjithsesi kemi të drejtë 12 milje dhe këtë e ka pranuar pala shqiptare”.
Çfarë ishte marrëveshja e vjetër
Në marrëveshjen e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese për delimitimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ekspertët patën kundërshtuar disa momente të rëndësishme, ku Shqipëria sipas përllogaritjeve të tyre humbiste territor 335 kilometra katrorë. Kjo sepse ishulli Othonoi ishte skaji i territoreve tokësore greke nga ku janë përllogaritur dhe koordinatat e kufirit zyrtar. Nëse palët do të mbështeteshin në parimin e paanësisë ishullit të banuar Othonoi mund t’i jepej një det territorial vetëm me 12 milje detare dhe pjesa tjetër do t’i takonte brigjeve të Karaburunit përballë. Në kundërshtim me Konventën e Detit u konsiderua dhe prirja e Greqisë për t’u futur në ngushticën e Otrantos, pasi asnjë shtet i tretë nuk ka të drejtë të vendosë vija të drejta bazore, për të ndërprerë detin shtetëror, hapësirën e afërt vijimore dhe hapësirën ekskluzive ekonomike të shtetit tjetër. Pabarazia në matje u konstatua pikërisht në mes të kanalit të ngushtë të Korfuzit, ku largësia është shumë e vogël dhe janë përdorur dhe shkëmbinjtë nënujor si pika referuese. Shkëmbi Barketa është konsideruar si pikë skajore duke afruar kufirin pranë bregdetit shqiptar. Kjo bëri që me marrëveshjen e 2009-s, Shqipëria në kanalin e Korfuzit mos të merrte gjysmën e kanalit; në disa pjesë vetëm çerekun e tij. Kjo pasi si pika referuese u përfshinë dhe shkëmbinj që herë dalin mbi ujë dhe herë zhdukën, të cilët u barazuan me ishujt e mëdhenj. Ekspertët patën kontestuar si përllogaritej në cenim të territorit shqiptar edhe atë në gjirin e Sarandës, pasi matja ka nisur ka nisur nga muri historik i qytetit dhe jo nga vija ujore që do bashkonte kepin e Qefalit me Kepin e Mërtesës, ku duhej përcaktuar vija e mesme e baraslarguar. Humbja e përllogaritur në këtë pikë është 15 km katror. Nga pikëpamja procedurale ky pakt i lidhur në 2009-ën dhe rrëzuar në 2010-ën nga Gjykata Kushtetuese nisi pa marrë plotfuqinë për negociim tek Presidenti i Republikës.

Reagime

Edi Rama, kryeministër: 

“Patriotë me çizme e çamëristë të sapongjizur në kazanin politik e mediatik, pasi i lanë poturet për çerekshekulli varur në telin e fqinjit dhe harruan edhe detin në shtëpinë e tij, na janë ndezur sot flakë e zjarr për të bërë shkrumb e hi qeverinë, në turrën e akuzave për tradhti! Janë të mjerë që meritojnë veç mëshirë, po kujt ndër ju shqetësohet prej çizmeve të patriotizmës së tyre pa din e as iman, i them bëj durim edhe pak e prit, sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentet e marrëveshjes së re me fqinjin. Dhe ndërkohë mos dysho hiçfare se ne që ditëm t’i hapim me kurajë e dinjitet, hesapet e 70 vjetëve me fqinjin, ne dimë edhe t’i mbyllim me dinjitet e mirëkuptim, në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim e padiskutim”.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI: 

“A ka më qartë se kaq?! Ky njeri për karrigen e tij shet gjithçka. Nuk njeh as moral e as ndjesi për atdheun. Ky njeri, pasi shkatërroi marrëdhënien me Greqinë, duke prishur Kishat si në kohën e komunizmit, tani fal detin për pak mëshirë nga Greqia. Ky njeri ka shqyer edhe portat e Shqipërisë për të larguar të rinjtë dhe për të sjellë gjithë plehrat e botës. Dhe në fund e ka të qartë se shqiptarëve nuk u duhet më as deti, as mali, as fushat dhe asnjë pasuri tjetër, sepse kështu si e ka katandisur Shqipërinë dëshira e çdo të riu është të largohet nga vendi. Ky satrap nuk pyet më për asnjë vlerë njerëzore, qytetarie apo atdhedashurie. Sepse për të ka vlerë vetëm karrigia e tij, për të cilën po paguajmë të gjithë çmimin më të shtrenjtë, atë të shitjes së territorit shqiptar. Atë që nuk e bënë dot as diktaturat dhe pushtuesit, Edi Rama po e nënshkruan me gjakftohtësi të madhe”.

Kreshnik Spahiu, ish-kryetar i AKZ: 
“Arrestoni politikanët që sapo cenuan integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese! “Rilindja”, qeveria shqiptare konfirmoji aktin e tradhtisë kombëtare duke zyrtarizuar ndarjen e kufirit detar me Greqinë. Rama, sot, puth atë çka pështyu 6 vite më parë, “Marrëveshjen që inicioi Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis”. Falja e 12 000 milje në detin Jon është një krim i parashikuar në Kodin Penal dhe Prokuroria duhet të hetojë urgjentisht ministrin Bushati dhe Kryeministrin Rama. Askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund të cenoi integritetin territorial të Shqipërisë. Akti i shitjes apo i dhurimit të detit u parapri nga çelja e gërmimeve për të gjetur eshtrat e ushtarëve grekë si pjesë e paketës anti-shqiptare. Pafytyrësisht dje ministri Bushati mburrej në Komisionin e Punëve të Jashtme se sot mund të flasim për “Çështjen Çame” ndërkohë që Shqipëria është gjunjëzuar plotësisht, pasi dhe opozita e Bashës është 100% në sinkron me këtë tradhti dhe krim kombëtar”.
Shoqata “Çamëria”: Kush është Kali i Trojës?
Shoqata “Çamëria” reagoi për deklaratat e fundit të palës greke lidhur me çështjen çame. “Kemi ndjekur me shumë vëmendje takimet për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Për Çështjen Çame ka një ligj të Kuvendit të Shqipërisë qe ne vitin 1994 për njohjen e 27 Qershorit si dita e Gjenocidit mbi Shqiptarët e Çamërisë. Parlamenti i Shqipërisë e ka përcaktuar qartë, pa ekuivoke si Gjenocid atë çka ndodhi mbi shqiptarët e Çamërisë. Po ashtu, ka dhe një rezolutë të miratuar në vitin 2012 për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë detyruese për çdo qeveri. Të gjithë forcat kryesore politike e kanë në program zgjidhjen e çështjes çame si çështje e të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratë. Sipas shoqatës “Çamëria”, Ministria jonë e Jashtme është paqartë në verbin e saj publik për çka ka biseduar për çështjen çame. “Kërkojmë publikisht nga Kryeministri dhe Ministria e Jashtme të informojnë shqiptarët dhe në veçanti ata çamë – për ecurinë e bisedimeve për një nga çështjet më të ndjeshme për mbi 300 mijë qytetarë të tyre, të cilët presin që autoritetet shqiptare të trajtojnë me detyrim kushtetues e reciprocitet zgjidhjen e kësaj çështje, ku u masakruan 20 për qind e popullsisë dhe 80 për qind e saj u shpërngul në një pastrim etnik të paparë në Evropë”, theksohet në deklaratë. Aty renditen edhe disa kërkesa për qeverinë. “Duke ndjekur të gjithë hapat e duhur ligjore, padyshim dhe protestat e çdo formë tjetër të arsyeshme e demokratike jemi gati t’ia tregojmë se çështja çame ekziston e kërkon drejtësi evropiane, por edhe çdokujt që mendon se mund ta përdorë sipas interesave të ditës apo të bëjë pazar me këtë çështje apo çdo Kali Troje që harron që asnjë nuk mund të negociojë për ne, përveçse Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU”, theksohet në njoftim, që mbyllet me një deklaratë: “Urojmë shumë si gjithë shqiptarët që ky të jetë viti i Skënderbeut dhe jo i Hamzait!”.
Athina zyrtare: Asnjë diskutim për çamët
Ministria e Jashtme e Greqisë reagoi me forcë ndaj deklaratave të politikanëve shqiptarë se çështja çame është diskutuar në takimet e Kretës dhe Korçës. “Ne mohojmë deklaratat kategorike të zyrtarëve shqiptarë të përfshirjes së supozuar të çështjes “çame” në diskutimet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ne i bëjmë thirrje palës shqiptare që të mos ngrejë çështje që bien ndesh me dialogun e vazhdueshëm, të sinqertë dhe konstruktiv. Dialogu që ndihmohet falë investimit dhe përpjekjet e të dyja palëve. Klima e rëndësishme në marrëdhëniet shqiptaro-greke ka prodhuar tashmë rezultatet, për të mirën e përbashkët të të dy vendeve dhe popujt e tyre”, theksohet në deklaratë.
Sigal