Gramoz Ruçi e lajmëroi Ramën dhe Ballën për dorëheqjen

310
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kryeministri Rama ishte informuar një javë më parë se të bëhej publike për dorëheqjen e Gramoz Ruçit nga mandati i deputetit, dhe nga çdo post në PS. Burime pranë kreut të Kuvendit kanë bërë të ditur se, ka qenë vetë kreu i Kuvendit që ka informuar kryesocialistin se, nuk do ta pranonte mandatin e fituar më 25 prill, por do të tërhiqej nga politika aktive. I njëjti burim ka theksuar se Ruçi e kishte informuar Ramën edhe në prani të kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

“Rama është befasuar nga ky vendim, por kryeparlamentari është shfaqur i vendosur për vendimin e tij”, thanë burimet pranë kreut të Kuvendit. Pas këtij vendimi, Rama, Ruçi e Balla kanë rënë dakord që tërheqja të bëhej në momentin e festimit të 30 -vjetorit. Tërheqjen e Ruçit nga mandati i deputetit dhe nga çdo post në PS, analistët e morën edhe si një “leksion politik” për ish-kreun e Partisë Demokratike, i cili po këmbëngul se do të jetë edhe më aktiv në politikën e përditshme. “Të dish të tërhiqesh në momentin e duhur nga politika, është art”, tha nga ana e tij kryeministri Rama, duke thumbuar kështu ish-liderin e PD-së.

Gramoz Ruçi ishte politikani që arriti të lidhte dy kohët në PS, “kohën Nano” dhe “kohën Rama”. Madje, ishte z. Ruçi ai që i dha Edi Ramës mundësinë të ripërsëriste votimin në Asamblenë e vitit 2005, duke e sjellë në krye të PS-së, në një konkurrim përballë ish-presidentit Meidani.