Gjykim i shkurtuar për “Treblovën” dhe lidhja me Habilajt

505
Gjykata për Krime të Rënda vendosi të marrë në shqyrtim me gjykim të shkurtuar dosjen kundër katër të pandehurve të çështjes “Treblova”, për të cilët prokuroria dyshon se kanë lidhje me grupin e Habilajve, të vënë nën hetim në Itali. Të akuzuarit për kultivim të kanabisit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal janë Taulant Haxhiraj, Shkëlqim Koçiaj, Xhovalin Baço dhe Marjus Bajrami. Prokuroria ishte dakord me kërkesën për gjykim të shkurtuar të të pandehurve. Për të kërkuarin tjetër të grupit Rexhat Radhima, gjykata vendosi të pezullojë gjykimin për një vit, për shkak se ndryshimet në ligj përcaktojnë se nuk mund të zhvillohet një proces gjyqësor ndaj dikujt që nuk është njoftuar paraprakisht. Për shkak se në një seancë paraprake në mbyllje të hetimeve dosja është kthyer pas për 3 të dyshuar të tjerë, mes tyre edhe për efektivin e policisë, Renato Avdyli, gjykata kërkoi që të sqarohej pozita e këtyre të dyshuarve. Prokurori u shpreh se ndaj Avdylit dhe dy të tjerëve po vijojnë hetimet nga Krimet e Rënda, pasi ata shikohen si bashkëpunëtorë në grup. Dosja “Treblova” ka lidhje me një operacion antidrogë në vitin 2016 gjatë të cilit u asgjësuan 18 parcela me kanabis në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë, një aksion ky që asokohe hapi debat për sasinë e sekuestruar. Por, siç tha prokurori në seancë, referuar përgjimeve rezulton se për të realizuar mbarëvajtjen e kultivimit të hashashit, grupi i kultivuesve ishte lidhur me zyrtarë policie, nga të cilët kishte marrë garanci. Të dhënat tregojnë se oficeri Avdyli, ndaj të cilit ka një masë sigurie në mungesë, ka lidhje familjare me Gjergj Kohilën, ish-shefi kundër krimit të organizuar në Policinë e Vlorës, i cili kërkohet gjithashtu, së bashku me dy zyrtarë të tjerë policie. Prokuroria dyshon gjithashtu se grupi “Treblova” ka lidhje me Habilajt, për të cilët dosja u veçua në vjeshtë dhe vijon të hetohet.
Sigal