Gjykata Kushtetuese nuk mund të zëvendësohet nga partizanët e KQZ

547
Sigal

Analizë nga Prof. Dr. Kastriot Islami: Vendi është në prag të zgjedhjeve të parkohshme. Ndërkombëtarët do të ushtrojnë presion maksimal mbi ideatorin e krizës, Edi Rama për një qeveri tranzitore. Kuvendi nuk është legjitim dhe përgjimet tregojnë se janë blerë votat e sovranit me paratë e korrupsionit dhe kërcënimit…

Nga Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-Kryetar i Parlamentit

Kriza e thellë dhe e paprecedentë, nëse s’analizohet e menaxhohet me maturi e përgjegjshmëri, ndryshe nga sesi është vepruar deri më sot, mund të çojë ose në përplasje civile mes qytetarëve dhe shtetit, ose në rrënim politik e ekonomik me pasoja shumë të rënda, të paimagjinueshme e të paperceptueshme

Ndërkombëtarët do të ushtrojnë presion maksimal mbi Edi Ramën për një qeveri tranzitore

Jakup B. GJOÇA

Nga Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-Kryetar i Parlamentit në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se ky parlament nuk është legjitim, sepse votat janë blerë. Prof. Islami thotë se KQZ, e ka të pamundur të veprojë të marrë përsipër të zgjidhë ngërçin duke përcaktuar opozitë të re. Prof. Islami parashikon se zgjidhja do të vijë, përmes një qeverie tranzitore me mbështetje të gjerë politike, dhe se ndërkombëtarët do të ushtrojnë presion maksima mbi mazhorancën dhe Edi Ramën

-Prof. Islami, a mund të jetë funksional parlamenti kur nuk ka 140 deputetë, sikurse e përcakton edhe Kushtetuta e Shqipërisë?

Situata është shumë e rëndë, ekstreme dhe e paprecedentë dhe aspak s’bëhet fjalë për krizën e radhës siç përpiqet ta trajtojë Edi Rama apo disa persona të papërgjegjshëm pranë tij. Opozita ka dorëzuar mandatet dhe ky është një rast ekstrem dhe i paprecedentë; edhe në këtë aspekt s’bëhet fjalë për një situatë të ndërlikuar të radhës që mund të zgjidhet me mjetet e mënyrat tradicionale. Arsyet që situata politike dhe ajo e demokracisë kanë arritur nivel ekstrem janë të paprecedentë dhe aspak të radhës, prandaj kërkohet një analizë e thellë dhe reflektim ndryshe nga të gjithë rastet e mëparshme.

– Çfarë pasojash mund të kishte kjo krizë?

– Kriza e thellë dhe e paprecedentë, nëse s’analizohet e menaxhohet me maturi e përgjegjshmëri, ndryshe nga sesi është vepruar deri më sot, mund të çojë ose në përplasje civile mes qytetarëve dhe shtetit, ose në rrënim politik e ekonomik me pasoja shumë të rënda, të paimagjinueshme e të paperceptueshme deri më sot për të ardhmen e çdo qytetari e të demokracisë, ose në diktaturë me pasoja të paparashikueshme për të gjithë pa përjashtim. Kështu që do të refuzoja ta trajtoja këtë krizë të paprecedentë me naivitet, me lehtësi e në mënyrë të papërgjegjshme, pra të jepja argumente teknikë e juridikë qoftë për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja, qoftë për të analizuar situatën qoftë për të dizenjuar zgjidhjen që më duket e rrallë dhe shumë e vështirë jo vetëm për t’iu përcaktuar e pranuar por edhe për t’u implementuar, nëse do të mungonte vullneti, dëshira, maturia dhe përgjegjshmëria e aktoreve kryesore që apriori më duket se mungojnë.

-Përse kjo krizë është e paprecedentë?

Kuvendi s’është legjitim sepse janë blerë votat e sovranit me paratë e korrupsionit e të trafiqeve dhe janë kërcënuar zgjedhësit nga individët me rekorde kriminale, pra është tjetërsuar rezultati i zgjedhjeve me mjete ekstra-kushtetuese, ekstraligjore, ekstrademokratike. Thënë më ndryshe, kjo që shfaqet si maxhorancë aktualisht jo vetëm s’është mazhoranca legjitime por me kokëfortësi tenton të mbrojë e madje të zgjerojë ilegjitimitetin e saj. Edhe qeveria e dalë prej saj jo vetëm nuk është legjitime por tentojë të dalë nga kjo gjendje absurde me mënyra e mjete ilegjitime duke thelluar ilegjtimitetin e saj. Edhe kryeministri i dalë prej saj jo vetëm nuk është legjitim por tenton të shpëtojë në mënyrë qesharake e idiotekse, duke bërë cirk e hara-kiri, ndërkohë që po zhytet për ditë gjithnjë e më thellë në marrëzitë e zullumet e tij. Këtë realitet të zymtë e njihnin shumë nga shqiptarët që në momentin kur janë zhvilluar zgjedhjet; tani, pasi e kanë parë me zë e me figurë, janë bindur shumica e shqiptarëve por edhe një numër jo i vogël nga ndërkombëtarët.

– A ka të drejtë mazhoranca që e trajton këtë situatë si krizë të pallatit?

– Pasojat do të ishin të tmerrshme e deri kriminale nëse neglizhohet kjo situatë, apo më saktë nëse gjithçka ka ndodhur trajtohet me lehtësi e naivitet si një krizë e pallatit dhe nëse mazhoranca tenton ta tejkalojë atë duke menduar se qytetarët do të lodhen apo do të dorëzohen se nuk kanë ku të shkojnë, Apo se opozita do të dorëzohet e do të detyrohet të bëjë pazar, kompromis apo të tolerojë. Qoftë përmes presionit direkt të qeverisë, qoftë përmes marifeteve e mashtrimeve tradicionale të Edi Ramës, madje qoftë duke vënë në lëvizje ndonjë segment të ndërkombëtareve.

– A mundet që një parti parlamentare të marrë mandatet e deputetëve nga lista e partisë tjetër, kur ato nuk kanë qenë në koalicion elektoral?

Për shkak të eksperiencës dhe formimit racional e integritet moral refuzoj t’i përgjigjem drejtpërdrejtë kësaj pyetjeje apo më saktë të jap shpjegime juridike. Sepse, përsëris, që çështja e tjetërsimit të mandateve në kushtet aktuale është më shumë politike e morale sesa juridike apo teknike. Ndërkohë që opozita legjitime është në protestë dhe ka dorëzuar mandatet, me argumentin se janë blerë votat e pra mazhoranca është ilegjitime, është minimalisht e pakuptimtë dhe normalisht marrëzi të diskutohet teknikisht/juridikisht sesi do të zëvendësoheshin mandatet. Thënë më shkoqur: ndërkohë që opozita, me fakte e prova akuzon mazhorancën për ilegjitimitet, dhe qytetarët kanë dalë në protesta masive, mazhoranca tenton t’i shpëtojë kësaj akuze duke eliminuar opozitën dhe duke emëruar opozitën fasadë.

– Si do ta cilësonit këtë veprim të Edi Ramës e të mazhorancës?

Ky është thjesht një veprim i papërgjegjshëm e kokëfortë i Edi Ramës dhe i mazhorancës ilegjitime i cili mund të trajtohet si një kundërargument apo si një argument shtesë në favor të opozitës, jo vetëm kundër legjitimitetit të mazhorancës, por edhe si një veprim ilegjitim që synon jo vetëm t’i japë legjitimitetin një mazhorance ilegjitime, pasi ajo ka blerë votat e ka kërcënuar votuesit, por edhe si një përpjekje për të emëruar një opozitë të re apo për të krijuar një opozitë fasadë me mjete ilegjitime, pavarësisht arsyeve të ndryshme, qoftë edhe personale që mund të paraqesë çdo individ. Kjo s’do të ndodhte në një vend, qoftë edhe me nivel shumë të ulët demokracie dhe është shenjë e një sëmundjeje shumë të rëndë të sistemit të demokracisë shqiptare e cila po degjeneron çdo ditë. Në realitet, tentativat e Edi Ramës, pavarësisht sjelljeve individuale të kandidatëve opozitarë, s’duhet të trajtohen thjesht si çështje e vendimmarrjes individuale, teknike apo juridike, e kandidatëve të partive opozitare por si përpjekje antidemokratike të Edi Ramës e të mazhorancës aktuale për të dalë nga qorrsokaku ku janë futur. Gjykoj se kjo sjellje e mazhorancës me shumë gjasa do të dështojë turpërisht.

– Me sistemin tonë aktual elektoral, a mundet KQZ, që t’u japë mandatin e deputetit kandidatit të listës së Partisë, kur partia e ka tërhequr vullnetin politik të përfaqësimit të saj në Parlament?

Edhe një herë tjetër ngul këmbë, se s’jemi në kushtet e një debati me natyrë juridike apo teknike, pra nuk jemi në kushtet e normalitetit, kur na duhet të përpiqemi të gjejmë zgjidhje juridike, duke interpretuar dispozitat kushtetuese e ligjore. Por edhe sikur të ishim në kufijtë e normalitetit, do të ishte e pamundur të jepej një përgjigje adekuate në kushtet kur mungon edhe Gjykata Kushtetuese, e cila është institucioni i vetëm që ka për detyrë të moderojë qëndrimet apo interpretimet e ndryshme juridike, të mbështetura nga partie politike apo qytetarët. Thelbi i pamundësisë së vendosjes së këtij debati në planin juridik e kushtetues lidhet me faktin se kriza është mbi të gjitha e në radhë të parë morale e politike, madje edhe institucionale e deri e demokracisë, dhe sigurisht e çiftuar edhe me një ngërç kushtetues. Për t’iu përgjigjur më direkt pyetjes suaj: Në kushtet kur opozita ka dorëzuar mandatet me akuzën se mazhoranca ka vjedhur votat, se qeveria është ilegjitime dhe se Edi Rama s’është kryeministër ilegjitim e Gjykata Kushtetuese ka vdekur, KQZ, ky organ partizan, e ka të pamundur të veprojë, dhe aq më pak të marrë përsipër të zgjidhë ngërçin duke përcaktuar opozitën e re për të nxjerrë nga bataku e qorrsokaku mazhorancën ilegjitime.

– Prof. Islami, deri sa larg mund të shkojë qëndrimi i ndërkombëtarëve se “kjo qeveri është e ligjshme, dhe parlamenti është i ligjshëm”, pa opozitën në Parlament?

Ndërkombëtarët e kanë të qartë situatën. Dhe po veprojnë. Ata gjithnjë në fillim tentojnë të bindin opozitën të pranojë realitetin, qoftë edhe kur ai është i përkeqësuar in ekstremis. Aq më tepër që evropianët janë në prag të zgjedhjeve për parlamentin evropian, thënë ndryshe përballë shumë të papriturave, pra kanë edhe hallet e problemet e tyre kolosale. Në ditët dhe javët në vijim do të ndryshojë kjo sjellje.. Do t’i kërkohet Edi Ramës dhe vetëm atij të gjejë zgjidhjen, pra presioni maksimal do të ushtrohet mbi mazhorancën dhe Edi Ramën. Thënë më shkoqur për qytetarët, do të kërkohet Edi Ramës të reflektojë ndaj kërkesës së opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme. Sepse ndërkombëtarët, veçanërisht ata që kanë edhe angazhimin më të madh për agjendën evropiane të vendeve të BE, e njohin shumë mirë situatën politike në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit dhe të lidhjeve të qeverisë së Edi Ramës me mafian shqiptare e krimin ndërkombëtar e trafiqet, sesi janë blerë zgjedhjet dhe sesi është tjetërsuar rezultati zgjedhor, madje shumë më mirë sesa opozita shqiptare. Për t’ju përgjigjur më direkt pyetjes suaj, së pari nuk do të ketë më një qëndrim apo presion mbi opozitën si në vitin 2017. Së dyti, në ditët apo javët e ardhshme, qëndrimi i ndërkombëtarëve do të ndryshojë duke tentuar t’i afrohet qëndrimit të opozitës, Dhe së treti, shumë shpejt shqiptarët do të njihen me qëndrimin e ndërkombëtarëve, të ndryshëm nga ai që është dëgjuar deri më sot.

– Ju besoni, se shqiptarët dhe ndërkombëtarët do të pranojnë zgjedhje vendore, pa marrë pjesë edhe opozita?

-Unë vazhdoj të besoj dhe të jem optimist se do të gjendet zgjidhja për të realizuar zgjedhje të përgjithshme dhe vendore, të lira e të ndershme, dhe të gjithëpranuara, qoftë nga të gjithë forcat politike, qoftë nga shqiptarët por edhe të certifikuara nga ndërkombëtarët. Afatet dhe detajet teknike janë për tu negociuar dhe vendosur nga një tryezë negocimesh politike. Dhe jam besimplotë se zgjidhja do të vijë në ditët e javët në vijim, përmes respektimit të standardeve demokratike, që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe kjo zgjidhje kalon vetëm përmes një qeverie tranzitore me mbështetje të gjerë politike, pa Edi Ramën, i cili duke qenë përgjegjësi kryesor për krizën s’mund të jetë pjesë e zgjidhjes.

Cilat mund të jenë pasojat për Shqipërinë dhe shqiptarët, nëse kryeministri s’bën zgjedhje të reja të parakohshme, por, do të vazhdojë të qeverisë, meqë ka “kontratë” me elektoratin deri në 2021?

-E vetmja zgjidhje e qëndrueshme mund të garantohet pa Edi Ramën dhe kjo besoj shumë se do të ndodhë. Sepse çdo opsion tjetër, përsëris, do të çonteose në përplasje civile mes qytetarëve dhe shtetit, ose në rrënim politik e ekonomik me pasoja shumë të rënda, të paimagjinueshme e të paperceptueshme deri më sot për të ardhmen e çdo qytetari e të demokracisë, ose në diktaturë me pasoja të paparashikueshme për të gjithë pa përjashtim. Dhe këtë nuk do ta lejonin as vetë shqiptarët dhe as ndërkombëtarët të ndodhte për të realizuar ambiciet për pushtet të një personi të vetëm, të Edi Ramës…

– Sa e pranueshme mund të jetë një Gjykatë Kushtetuese nëse anëtarët e saj zgjidhen dhe votohen pa konsensusin e opozitës?

Gradualisht do të do të duhet të gjithëpranohen dy të vërteta që aktualisht duket sikur s’janë kompatibël për të gjithë. Së pari, reforma në drejtësi s’do të mund të pengohet dhe do të arrijë objektivat e saj. Së dyti, institucionet e reja të drejtësisë, veçanërisht Gjykata Kushtetuese, dhe sidomos SPAK e BKH, s’do të lejohen apo s’do të mund të kontrollohen as nga partitë politike as nga drejtuesit politikë, kushdoqoftë ai.

A ka shpresë që kriza e rëndë të gjejë zgjidhje dhe qytetarët të kenë shpresë se gjërat do të ndryshojnë në mënyrë që të mos kenë si zgjidhje të vetme emigrimin?

Zgjidhja e vështirë do të gjendet në ditët e javët në vijim. Ajo do të jetë e ndryshme nga zgjidhja e imponuar opozitës në 2017. Do të jetë një zgjidhje pa Edi Ramën. Një zgjidhje që garanton zgjedhje të lira e të ndershme përmes të cilave do të përcaktohen mazhoranca legjitime dhe opozita reale. Përmes së cilave do të realizohet përmbyllja e reformës në drejtësi që do të garantonte institucione të pavarura të institucioneve të drejtësisë nga politika që do të ndëshkonin korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga qeveria e politika e do të shkatërronin lidhjet e institucioneve të shtetit me korrupsionin, krimin e trafiqet. Dhe mbi të gjitha do t’i jepnin Brukselit mesazhin e qartë të ndryshimit që do të mundësonte hapjen e negociatave me BE në kohën më të shkurtër.