Gjykata Kushtetuese letër Nishanit e Metës: Ambasada e SHBA po na bën presion me revokim të vizave

424
TIRANE- Pas kryeprokurorit Adriatik Llalla, është Gjykata Kushtetuese që kërkon llogari nga ambasada amerikane për arsyet e revokimit të vizave për anëtarët e saj, të cilëve iu hoq mundësia për të hyrë ne territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një letre zyrtare, Gjykata Kushtetuese ka informuar Presidentin e Republikës, Bujar Nishani për revokimin e vizave të anëtarëve të saj, veprim që duket se e konsideron jodiplomatik. Lajmi konfirmohet për “News24” nga burime të besueshme të Gjykatës Kushtetuese, të cilat theksojnë se krahas kreut të shtetit është informuar edhe kryeparlamentari Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.
Gjykata kërkon që kreu i shtetit Bujar Nishani që në rrugë zyrtare të marrë informacion zyrtar nga ambasada, se përse disa nga anëtarët e saj janë shpallur “non grata” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burimet janë tejet te rezervuara për përmbajtjen e plotë të letrës, por disa nga anëtarët e konsiderojnë këtë veprim të ambasadës, si presion që po ushtrohet ndaj gjyqësorit në vend. Nga ana tjetër e shikojnë me mjaft shqetësim situatën e krijuar pas vendimit të ambasadës për t’iu revokuar vizat 23 gjyqtarëve dhe prokurorëve, me të cilëve dhe vetë prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Kjo letër dërgohet në klimën e krijuar pas revokimit të vizave të njerëzve të drejtësisë, që shkaktoi edhe përplasjen mes prokurorit të përgjithshëm të republikës dhe ambasadorit amerikan në Shqipëri.
Sigal