Gjykata e Strasburgut: Prokuroria nuk mund të ndalojë botimin e përgjimeve

500
Sigal

Prokurorët e Krimeve të Rënda Dritan Prençi dhe Vladimir Mara nxorën dje një urdhër, me atë të të cilit ndalojnë të gjitha mediat të publikojnë çfarëdo materiali të Dosjes 339, duke përfshirë edhe përgjimet.

Urdhrin e dy prokurorëve e ka komentuar Ledi Bianku, ish-gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strazburg.

Në një koment, zoti Bianku i kujton prokurorisë shqiptare dy çështje të GJEDNJ-së, që vënë përballë lirinë e shprehjes dhe kufizimin e botimeve. Vendimet tregojnë se urdhri i djeshëm i prokurorëve bie ndesh me të drejtat e njeriut.

Në cështjen “Sunday Times k. Mbretërisë se Bashkuar (1979)” gjykata theksoi se, bazuar në lirinë e shprehjes, media ka për detyrë të botojë informacione që kanë interes publik.

Vendimi nënvizon rëndësinë e parimit të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike, i cili duhet zbatohet edhe në fushën e administrimit të drejtësisë.

GJEDNJ pohon se jo vetëm që media ka për detyrë të komunikojë informacione dhe ide mbi problemet që shqyrtojnë gjykatat, por edhe se publiku ka të drejtë t’i marrë ato.

Ajo shprehet se për të përcaktuar nëse një ndërhyrje në lirinë e shprehjes justifikohet sipas Konventës Evropiane pë të Drejtat e Njeriut, duhen pasur parasysh rrethanat e çështjes dhe, në veçanti, çdo aspekt që lidhet me interesin publik. “Faktet nuk reshtnin së qeni një çështje me interes për publikun, sepse ato sqaronin rrethanat e mosmarrëveshjes në vazhdim e sipër,” – sqaron vendimi i GJEDNJ-së.

Çështja e dytë e cituar nga zoti Bianku është “Observer dhe Guardian k. Mbretërisë së Bashkuar” e vitin 1991. Në këtë vendim, gjykata ka deklaruar se kufizimi i publikimeve duhet të përfshijë kriteret e detajuara për këto kufizime, si dhe arsyetimin e detajuar, në përputhje me konventat dhe ligjet.

Vendimi, gjithashtu, nënvizon se çdo kufizim i të drejtës së shprehjes duhet të marrë parasysh nëse në rastin e veçantë dhe në rrethanat konkrete kufizimet në botim janë të nevojshme në një shoqëri demokratike.

Në rastin e urdhrit të dy prokurorëve kriteret për kufizimet e botimit nuk janë detajuar, arsyetimi nuk është shtjelluar në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe kombëtare.

Përgjime nga kjo dosje janë publikuar edhe më parë, por prokurorët nuk kanë nxjerrë të tillë urdhër. Ajo që ka ndryshuar tani është vetëm presioni i shtuar publik ndaj autorëve të dyshuar për vjedhje votash në bashkëpunim me krimin, si dhe presioni politik i shtuar ndaj Kryeministrit Edi Rama për të mos penguar prokurorinë të hetojë.

Si rrjedhojë, sipas vendimit të GJEDNJ, urdhri i prokurorisë nuk e justifikon nevojën për kufizim të botimit në një shoqëri demokratike.

Zoti Bianku shprehet se, për sa kohë gazeta gjermane BILD apo media të tjera i publikojnë përgjimet, urdhri i prokurorëve për të ndaluar publikimin e tyre në mediat shqiptare “nuk i përgjigjet testit të nevojës në një shoqëri demokratike dhe përbën shkelje të Nenit 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), i cili mbron lirinë e shprehjes.

Ish-gjyqtari i përgjigjet edhe pyetjes nëse ky urdhër ndalon edhe gazetën BILD për të publikuar përgjigjimet. Bianku thotë se sipas një vendimi të para dhjetë ditëve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Luksenburg, autoriteti që kërkon një ndalim të tillë në shkallë evropiane, në këtë rast Prokuroria e Krimeve të Rënda e Shqipërisë, duhet të jetë i pavaruar nga qeveria. Zoti Bianku vlerëson se “vështirë më duket që prokuroria shqiptare ta plotësojë këtë test”.