Gjykata Amerikane dënon me burg “burrin” e Edi Ramës

630
Sigal

Edi Rama së shpejti para drejtësisë amerikane. Rihapet dosja për kompaninë lobuese në SHBA. William Argeros pendohet dhe pranon fajësinë në gjykatë, duke deklaruar se për 80 mijë USD ka vepruar në emër të Edi Ramës. Roli i Kongresit, kapja e Ramës dhe shpresa tek amnistia për t’i shpëtuar burgut

Amerikanët e kapën Ramën, të shohim kush do ta shpëtojë këtu!

Poli Hoxha

Gjatë javës së fundit ka pasur mjaft zhvillime të forta, për politikën dhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi. Me afrimin e datës për fatin e negociatave të vendit tonë me BE-në, parlamenti gjerman nën `okelion` e 9 kushteve faktikisht i bëri realitetit tonë, një skanim të hollësishëm.

Vendi është në krizë të thellë, korrupsioni dhe krimi i organizuar po bën kërdinë dhe rikthim i votës së lirë është një emergjencë për demokracinë. Ndërkohë që kokaina vazhdon të rrjedh në portin e Durrësit, heroina po bën kërdinë, det-det, duke shmangur doganat. Kurse kanabisi për `para xhepi` po korret, thahet dhe po magazinohet.

Frytet e gjithë kësaj janë miliarda të zeza, të cilat vazhdojnë që të vërshojë në vend, duke bërë euron e shkretë të lëngojë e të tkurret dhe `biznesin strategjik` të lulëzojë. Një `fryt` tjetër është Shqipëria e ngratë, që po zbrazet frikshëm. Por edhe për këtë qeveria e ka një zgjidhje; është gati ligji i ri për punëtorë të huaj nga vende të botës së tretë, sepse ashtu siç thotë edhe vetë Rama; punë ka, por shqiptarët janë dembelë.. Në këtë situate, plasi e ashtuquajtura `bomba Venecia`. Kjo javë e emisioneve politike, si e kontrolluar nga një `shkop magjik` nisi dje mbrëma me çmontimin e kësaj `bombe` e cila në fakt është vetëm një shashkë. Komisioni i Venecias e tha qartë dhe saktë opinionin e vet; Presidenti ka tejkaluar kompetencat për shtyrjen e zgjedhjeve (d.m.th i ka kompetencat), por nuk duhet të shkarkohet. Venecia dha opinion si për kushte normale të një shteti me demokraci funksionale, kurse presidenti Ilir Meta veproi, si në një situatë anormale. Kaq e thjeshtë është, por dikujt i intereson që të shmangë vëmendjen nga mina me sahat mbi të cilën gjendet vendi dhe që Bundestagu, e skanoi perfekt. Dhe në këtë kurth, veç atyre që janë futur me dëshirë, kanë rënë edhe disa mediave kritike me qeverinë, madje edhe vetë institucioni i Presidentit. Shqipëria nuk ka kauzë dhe emergjencë se si do të zgjidhet `lufta`, Rama-Meta, por betejën mes shqiptarëve të ndershëm me organizatën kriminale, Rilindja, e cila po e rikthen vendin në vitet 90-të. Por sërish Edi Rama, e ka kapur mirë fijen. Ai po kërkon amnisti dhe për këtë nuk ka shumë pretendime si fillim; thjesht ta qasin në një ulëse të tavolinës, ku do të dialogohet dhe do të zgjidhet kriza-kusht nga ndërkombëtarët. Duket se si çelës për këtë, po përdor edhe Ilir Metën. Po e shantazhon me intensitet, duke shpresuar te ndikimi i tij i fortë te partia që ka themeluar vetë dhe te një pjesë e rëndësishme dhe ndikuese e PD-së. Dhe nuk po ecën keq, në rrugën e këtij plani. Si kryetar i PS-së (e cila në fakt nuk ekziston) tashmë është amnistuar nga kundërshtarët dhe denoncuesit. Tani pret që të shtrëngojë duart me `armiqtë` e opozitës, edhe si kryeministër.

Por ja që nuk qenka e thënë, që plani të shkojë vaj. Nuk e kam idenë se si do ta zgjidh Endri Fuga këtë, por një bombë prej vërteti e gatuar në Tiranë në vitin 2012, plasi dje në SHBA.

Dënoi dy `levat` (që kishte nën juridiksion) sepse ndihmuan realizmin e këtij mashtrimi për ligjet vendase; `shoqëruesen` e Ramës shqiptaro-amerikanin Bilal Shehu dhe paguesin formal të 80 mijë eurove, greko-amerikanin, Wiliam Argeros. U mbyll dje në SHBA me dënimin me 4 muaj burg për `ditëziun` Argeros, i cili kërkoi falje dhe mëshirë, duke qarë përpara gjyqtarëve amerikanë. Ky dënim pasoi atë të taksixhiut Bilali për të njëjtën çështje në vitin 2017, por kjo vepër e rëndë që u kopsit përtej oqeanit hapet pikërisht tani, për drejtësinë shqiptare.

Nëse prokurorisë së drejtuar nga Arta Marku i ka mbetur ende një fije dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi për të zbatuar ligjet, nëse ambasadorët këtu në Tiranë kanë një rast `për të futur hundët` e bërë `presion`, ai ju erdhi si elefant nga SHBA. Sot pas publikimit të lajmit te “Zëri i Amerikës`, duhet që të nisë urgjentisht hetimet për pjesën shqiptare të asaj çështje, për të cilën gjykata përtej oqeanit e dha verdiktin. Sepse në gjithë këtë histori u dënuan dy `leva` të operacionit `Foto me Obamën`, por ende është i pa penalizuar financuesi, përfituesi dhe koka e tij.

Prandaj sipas ligjit, prokurorët shqiptarë duhet të nisin urgjentisht procedimin (sipas kushtetutës së re, e bëjnë edhe pa pyetur eprorët), të dërgojnë letër-porosi në SHBA për të tërhequr dosjen e hetimit dhe të gjitha dëshmitë në gjykatë të dy të dënuarve. Pas kësaj hapi i parë që ka për detyrë që të hedhë organi i akuzës në Shqipëri është ai, i marrjes në pyetje të Edi Ramës dhe të tjerat `kësmet` më pas, nëse hetimi bëhet siç duhet. Pra këtu në Shqipëri është dhe duhet gjetur nga prokuroria; ideatori dhe organizatori, i cili në rastin më të mirë duhet të japë shpjegim, se nga dolën 80 mijë dollarët. “Një burrë që sajoi një kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama në vitin 2012, u dënua me katër muaj heqje lirie”, shkruan Zëri i Amerikës. Pra ky burri (Wiliam Argeros) paska lëvruar 80 mijë dollar nga një i huaj. Avokati i këtij burrit, John Azzarello, deklaroi në sallën e gjyqit se klienti i tij kishte vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama. Pasta ai e hapi barkun edhe më tej dhe e tha copë: kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Pra përfituesi i këtij operacioni me financim 80 mijë dollar ishte direkt Rama. Kaq mjafton që të thirret dhe të pyetet fillimisht për paratë, ende pa pronar, me të cilat arriti me mashtrim që të blinte një foto me presidentin e SHBA. I duhej patjetër dhe me çdo mënyrë sepse në atë kohë ishte në opozitë. Që atëherë ai u turr për të mbledhur rreth vetes `gjithë qelbësirat` dhe financat e tyre të zeza, për ti vënë në funksion të planit të tij për të kapur Shqipërinë. Kur erdhi në pushte, me ndihmën e tyre (edhe të fotografisë me Obamën) a i bëri deputetë dhe shumë të tjerë “biznesmenë të mëdhenj” që ndërtojnë kulla, e bëjnë punë publike në miliarda. Por nëse për të gjitha këto Rama edhe pse është kapur `me presh në dorë` nga shqiptarët dhe opozita këtu brenda vendit, ka arritur që të shpëtojë pa u lagur deri më tani, me çështjen `foto me Obamën` kemi një rast kur atë `e kanë kapur` amerikanët. Ata e mbyllën me dënime punën e tyre dhe dosjen e kanë të kopsitur. Por duke u mbyllur aty, hapet në Tiranë. Mjafton që prokuroria të bëjë një kërkesë të thjeshtë dhe dëshmitë ku del emri i Edi Ramës, mbërrijnë brenda javës. Pra kemi këtë herë një çështje me Edi Ramën të implikuar direkt dhe personalisht kurse rebusi është, se kush do ta shpëtojë këtë herë. Arta Marku, ambasadorët, Ilir Meta, Lulzim Basha apo të gjithë bashkë?!

Rihapen dosjet për kompanitë lobuese në SHBA

Prokuroria thërret kreun e opozitës Basha, për të dhënë informacion. Ndërkohë që pritet të rihapet dosja e shqiptaro-amerikanit, Bilal Shehu për pagesën 80 mijë dollarë për foton Rama-Obama.

Pranimi i fajësisë në gjykatë dhe roli i Kongresit

Sipas ligjeve amerikane, opozita dhe grupe të caktuara interesi mund të kërkojnë njohjen me dosjen, shkaqet pse është mbyllur dhe me çfarë kushtesh apo marrëveshjeje. Për këtë do t’i duhet që këto grupe, por edhe vetë opozita duhet ti kërkojë një grupi kongresmenësh të SHBA-ve të njihen me dosjen dhe paktin e mbylljes së saj, aq më tepër kur bëhet fjalë që një qytetar shqiptar, sikurse është rasti i kreut të PS-së Edi Rama rezulton si subjekt në këtë histori për të cilën gjykatat amerikanë kanë dhënë vendimin me dënim ndaj Bilal Shehut. Por ajo që duhet të bëhet publike ka të bëjë me faktin që kush ia ka dhënë paratë, si janë transferuar, kush i ka paguar si person fizik, juridik apo në rrugë të dyshimta? A janë të justifikuara këto para ( Bileta ) në bilancet e kompanive, individëve, bankave dhe a justifikohen këto “dhurata” nga kreu i PS-së sipas ligjit? Ja analiza sipas “Reuters” dhe mediave të tjera amerikane përgatitur nga gazetari Gj. Erebara për BIRN në Tiranë.

Shqiptaro – amerikani Bilal Shehu, i cili u akuzua tre vjet më parë se kishte përdorur para të marra nga jashtë Amerikës për të siguruar një mundësi për fotografi mes Edi Ramës, në atë kohë, kryetar i Partisë Socialiste në opozitë dhe Barack Obama, presidenti amerikan në fushatë për rizgjedhje, pranoi fajësinë e tij në një gjykatë federale në Nju Xhersi në SHBA dhe pritet të dënohet, njoftoi agjencia “Reuters”. Sipas “Reuters” dhe mediave të tjera amerikane, Shehu pranoi fajësinë duke deklaruar se në shtator 2012, ai mori një transfertë bankare prej 80 mijë dollarësh “nga një burim i huaj” me dijeni të plotë se këto para duhej të përdoreshin për të paguar pjesëmarrjen në një aktivitet për mbledhje fondesh për fushatën e Obamës. Aktakuza nuk e përmend emrin e financuesit të huaj të këtij operacioni të paligjshëm në SHBA, por “Reuters” thotë se personi që përfitoi nga financimi qe Edi Rama, aktualisht kryeministër i Shqipërisë. “Një shofer limuzine nga Nju Xhersi pranoi fajin të mërkurën, se ndihmoi në transferimin e 80 mijë dollarëve kontributeve nga jashtë për fushatën e Presidentit Barack Obama në vitin 2012 në mënyrë që një nënshtetas i huaj të mund të merrte pjesë në një aktivitet fushate,” shkruan “Reuters”. Por në vitin 2013, një kongresmen republikan e identifikoi ngjarjen dhe bëri thirrje për hetime mbi blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila për një aktivitet për mbledhje fondesh në San Francisko, në tetor 2012. “Në aktivitetin e tetorit 2012, Rama, udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u fotografua me Obamën,” shkruan “Reuters”. Kongresmeni Dana Rohrabacher i Kalifornisë në atë kohë u ankua se fotoja e Ramës me Obamën u përdor për qëllime “të këqija” për të nënkuptuar një marrëdhënie mes Ramës dhe Obamës gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri, zgjedhje që e bënë atë kryeministër. Prokurorët thanë se biznesmeni Shehu, banor në Nju Xhersi, shkoi në San Francisko dhe u përpoq të hyjë në aktivitetin për grumbullimin e fondeve me nënshtetasin e huaj, por këtij të fundit iu refuzua hyrja. Gjithsesi, nënshtetasit të huaj, (Ramës) iu dha mundësia të fotografohej me Obamën. “Duke pranuar fajin sot, z. Shehu pranoi përgjegjësinë për sjelljen e tij dhe shpreh pendesë të thellë për veprimet e tij,” deklaroi avokati Alan Abramson sipas “Reuters”. Stafi i Obamës nuk është vënë nën akuzë për këtë ngjarje, pasi sipas prokurorëve, ka bashkëpunuar në tërësi me hetimin dhe duket se nuk ka pasur dijeni që paratë e dhëna nga Shehu kishin në fakt origjinë të huaj. Në Shtetet e Bashkuara nuk lejohet që nënshtetas të huaj të bëjnë donacione në fushatat elektorale të këtij vendi për shkak të dëmeve që mund të sjellin para të tilla për demokracinë. Gjithsesi, ligjet amerikane lejojnë që qeveritë apo kompanitë e huaja të paguajnë lobues në SHBA, ndërsa pagesat e lobuesve dhe kontratat janë të detyrueshme të deklarohen sipas Aktit për Agjenturën e Huaj. Udhëheqësit politikë shqiptarë kanë përdorur prej kohësh financime të tilla në SHBA me shpresë se do të bindin shqiptarët se kanë mbështetjen e zyrtarëve amerikanë ose që media e huaj shkruan mirë për ta. Në disa raste, paratë për lobuesit kanë përfunduar, jo vetëm për të krijuar një imazh të mirë, por edhe për të denigruar kundërshtarin. Në një investigim të mëparshëm u zbulua se paratë që qeveria shqiptare e ish-kryeministrit Sali Berisha i dha një kompanie lobimi në SHBA, u përdorën efektivisht për një fushatë denigruese ndaj Ramës, ndërsa Partia Socialiste paguante një lobues tjetër amerikan, i cili përpiqej me çdo kusht të siguronte lajme negative mbi Shqipërinë në median ndërkombëtare. ( NJ man admits giving Obama illegal campaign money from foreign socialist).