Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Romina Kuko dhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist Toni Gogu zhvilluan një vizitë zyrtare dyditore në Berlin.Në Ministrinë e Jashtme Federale ata takuan ambasadoren Susanne Schutz, drejtoreshë për Evropën Juglindore, Turqinë, OSBE dhe Këshillin e Evropës. Një tjetër takim u zhvillua me Adis Ahmetovic, raportues për Ballkanin Perëndimor në Bundestag.“Pata rastin t’i njoh me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Reformat që kanë marrë hov, sidomos reforma në drejtësi, ndryshimin e Kushtetutës për zgjatjen e vetting-ut. Njëkohësisht edhe për reformat e pritshme sikurse është ajo zgjedhore, ku shpreha edhe një herë gatishmërinë e mazhorancës për gjetjen e zgjidhjeve të duhura, kompromiseve të nevojshme, me fokus përmirësimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e agjendës së integrimit”, u shpreh Gjiknuri.Në ditën e dytë të qëndrimit, delegacioni i kryesuar nga Gjiknuri u prit në Bundestag nga tre drejtues të rëndësishëm të Grupit Parlamentar Socialdemokrat: përfaqësuesi për politikën e jashtme Nils Schmid; përfaqësuesi për Çështjet e Evropës Christian Petry dhe anëtari i Komitetit për Evropën Josip Juratovic.Delegacioni u prit dhe në zyrat qendrore të Partisë Socialdemokrate nga Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Rainer Vogt dhe Këshilltari për politikat mbi Evropën, Leonard Pledt. PS dhe SPD gjermane u angazhuan për të konsoliduar bashkëpunimin mes dy partive simotra dhe ndërveprimin për të promovuar vlerat e përbashkëta evropiane.“Një pikë tjetër e rëndësishme është përgatitja e vizitës së Kryeministrit Rama në Berlin dhe takimi i tij me kancelarin Scholz dhe me udhëheqësit e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. Kjo vizitë do të rigjallërojë edhe një herë marrëdhëniet shumë të mira mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Duhet pasur parasysh roli pozitiv që ka luajtur Shqipëria, por njëkohësisht edhe përfshirjen shumë të fortë të Gjermanisë në procesin e udhëheqjes së gjithë Rajonit”, u shpreh Gjiknuri.