Gjiknuri: Opozita të japë konsensusin e saj për marrëveshjet në energjitikë

485
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ftoi opozitën të jepte konsensusin e saj për marrëveshjet për investimet në sektorin energjitik që u diskutuan në seancën e sotme plenare. “Reforma në sistemin energjitik po shkon në drejtimin e duhur. Ajo është konfirmuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Kërkoj konsensusin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për reformat dhe marrëveshjet në sistemin energjitike, pasi janë një platformë e nevojshme për zhvillimin e vendit”, deklaroi ministri Gjiknuri në fjalën e tij para deputetëve në seancë, ku po diskutohen dy marrëveshjet me KfV për efiçencën energjitike dhe sigurinë e digave.
Sektori energjitik, vijoi Gjiknuri ka nevojë për investime dhe paketa e huasë në shumën 40 milionë euro nga KfV në mbështetje të projektit “Efiçenca Energjetike – Programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike” do t’i shërbejë përmirësimit të sistemit tonë energjitik.

Sipas tij, janë disa investime që po kryhen nga në sistem përmes marrëveshjeve të huasë me partnerë ndërkombëtarë dhe kjo ka ardhur si rezultat i kthimit të besimit.
Duke u ndalur në shifra, ministri Gjiknuri bëri të ditur se qeveria përmes masave dhe politikave të ndërmarrë ka bërë të mundur rritjen me 82 % të nivelit të arkëtimeve gjatë gjysmës së parë të këtij viti krahasuar me vitin 2013.
‘Gjatë periudhës janar-qershor, 2013 vlera e arkëtimeve ishte 18.37 miliardë lekë, ndërsa në periudhën janar-qershor 2015 janë 34.3 miliardë lekë ose 82 % arkëtim më shumë si rezultat i masave e politikave, në kushtet kur çmimi mesatar i energjisë është ulur nga 9.7 në 9.5 lekë. Rritja e arkëtimeve erdhi si rezultat i politikave dhe mirëadministrimit të kompanisë”, deklaroi Gjiknuri.
Sa i përket humbjeve, ministri tha se niveli i humbjeve u ul nga 45.3 & gjatë 6-mujorit të parë të 2013-ës në 32 % në 6-mujorin e parë të këtij viti.
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti Sherefedin Shehu duke vlerësuar qeverinë gjermane për mbështetjen e sektorit energjitik në vendin tonë tha se qeveria u kujtua të nxirrte këtë marrëveshje nga sirtari vetëm në prag të vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, në Tiranë.
Sipas tij, investimet që trumbetohen nga qeveria nuk u reflektuan në përmirësimin me energji elektrike, pasi janë shtuar ndërprerjet e energjisë në mbarë vendin. reforma e qeverisë në sistemin energjitik, tha Shehu kishte vetëm një qëllim të rëndonte qytetarin dhe ta mbante atë peng në prag të zgjedhjeve.
Sigal