Gjiknuri kërkon mbledhjen e Këshillit Politik: Do të diskutojmë hapjen e listave 100 %

249
Sigal

Bashkëkryetari i Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri ka kërkuar mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve.

Pjesë e tryezës së diskutimeve pritet të jenë edhe përgjigjet që kanë dhënë ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara, nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë, siç propozon opozita jashtëparlamentare.

Gjithashtu, në këtë mbledhje do të diskutohet nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet.

Gjiknuri shprehet se në këtë mbledhje do të jetë në rend dite prezantimi nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.

Kërkesa:

“Të nderuar kolegë,

Ju vë në dijeni se paketa e dytë e nismave ligjore të dala si produkt i tryezës së Këshillit Politik u depozitua sot në Kuvend me firmat e deputetëve të mazhorancës.

Kuvendi tashmë fillon procedurat parlamentare për shqyrtimin e amendamenteve të dakordësuara në Këshillin Politik për:

1) Kodin e Procedurës Penale;

2) Kodin Penal;

3) Ligjin për Policinë e Shtetit;

4) Ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve;

5) Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;

6) Ligjin për Funksionimin e Prokurorisë dhe

7) Ligjin për Partitë Politike.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin në përmbylljen e kësaj pakete të dytë amendamentesh, shpreh besimin se masat e marra adresojnë jo vetëm një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve te OSBE/ODIHR por edhe shqetësimet e shprehura nga opozita jashtëparlamentare.

Duke qenë se tanimë mbetet për tu përmbyllur edhe paketa e tretë që ka të bëjë me ligjin e ri zgjedhor i cili do të hyjë në fuqi pas dy proceseve të ardhshme zgjedhore e që sanksionon edhe depolitizimin e administratës zgjedhore sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, propozoj:

Mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, me rend dite:

1. a) Prezantim nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.

2. b) Kthimi i përgjigjeve nga ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet.

Në pritje të konfirmimit tuaj,

Damian Gjiknuri”.