Gentian Çala : Rilindja surrogato e byrosë politike të dikurshme

234
Sigal

Ata nuk ikën kurrë. Thjesht morën pushtet ekonomik dhe befas pinjollët e tyre pushtuan Partinë Socialiste, duke e shndërruar në Rilindje. Zakonet e këqia nuk i ndryshuan. Përdorën pushtetin për privilegjet dhe fitimet personale, kufizuan liritë, zgjeruan deri në pakufi pushtetin, panë po aq nga lindja, tjetërsuan agjendën kombëtare. Më shumë se kaq nuk mund të bënin dot. Deri edhe simbolikisht ata vepruan si dikur, p.sh.: “Rilindja urbane”. Ata ndërtuan ushtrinë e propagandës dhe një polici me dorë të fortë ndaj kundërshtarëve politikë.

Nuk janë si gjyshërit, por ju ngjajnë në shumë aspekte atyre. Pa ideologji si dje, por me më shumë etje për para. Rama dhe Rilindja, thjesht një surragato e Byrosë Politike të dikurshme. Kujtesa jonë politike duket e fashitur më shpejt nga koha. Ata që i mbronin dje duke mos hapur gojën, sot nipërit dhe mbesat e tyre i mbajnë në pushtet duke i votuar. Idealistët e djeshëm janë zëvendësuar nga pinjollët e marrosur pas luksit dhe parave. Rezultati i njëjtë: Shqipëria bën hapa pas duke u larguar nga standarti i demokracive perëndimore. E gjitha ndodhi butë butë, e tashmë po shohim se nuk paska qenë rastësi. Madje Rilindja kishte Skëndërbeun e saj do të klithin ata që erdhën nga fukarallëku dhe pushteti i bëri me veshje mijëra euroshe.

Shqipëria ka sfidën më të rëndësishme zgjedhore, jo thjesht të një rrotacioni pushteti, por të largimit të një kaste pinjollësh që ashtu si etërit, po e shndërrojnë vendin në tokën e djegur. Demokracia dhe vendi janë në rrezik, ndaj duhet zgjuar ndërgjegja e kujtdo për ti hequr mundësinë pinjollëve që ta dëmtojnë më shumë vendin. Pasi “barku” që i lindi nuk është shterpëzuar ende.