Gentian Çala: Opozita bosh nga mendja e një individi të mbuluar nga djersët

KM shpalosi dje, jo krejt pa dashje, konceptin e tij të një vendi pa opozitë. Mendja e tij projektoi një vend pa opozitë. Ky detaj është jo thjeshtë një lapsus, as një dëshirë, por mishërim i edukimit dhe frymës me të cilën duket se ky individ është ngjizur. Dje mu duk më shumë se çdo herë tjetër politikan i tipit autoritar, por teksa fliste për këtë gjë e mbuluan djersët, të njëjta me ato të 30 qershorit kur doli para popullit, të njëjtat që e kanë mbuluar në disa raste të tjera të ngjashme. Mbase ka një pjesë brenda tij që reflekton dhe lufton me atë pjesën egoiste, përplot narcizëm dhe urrejtje. E prej kësaj lufte, djerësitet dhe rrudhet.

I plakur ndoshta nga abuzimi, nga hallet që i vërtiten rreth e rrotull, nga telashet e botës së nëndheshme, mundohej të bindte të vetët që vendi nuk ka opozitë, se ajo nuk i del askund. Harron se ka opozitë edhe brenda vetes, ndaj squllet kur flet. Teksa fliste për to kujtoi dhe mandatin e tretë, madje u përpoq ta ngrinte stekën, sepse mendon se mund të krijojë sërisht një 30 qershor, ku të votojë vetë, të numërojë vetë, e të shpallë vetë fitoren, por djersët e tradhëtojnë dhe po aq buzëqeshja e shtirur.

Sigal

E trishtë është duartrokitja e kongresistëve për vendin pa opozitë. Ka nga ata që e kujtojnë mirë si ishte ky vend pa opozitë, pa alternativë, pa mendim ndryshe. Ajo kohë ka vdekur dhe këta qeshin nga fanepsja e fantazuar e KM-së së Rilindur. Ata qeshin nga nënshtrimi dhe nuk e kuptojnë se Autokrati që kanë përballë sot, mund të jetë rreziku i të gjithë nesër, madje dhe i tyre. Po turravrapi i pushtetit pa kufi ta mpin mendjen dhe arsyen, aq sa të bën të qeshësh me atë që duhet të qash, të bën të ngazëllehesh me atë që duhet përbuzur.

E megjithatë ky vend ka Opozitë, ka mendim ndryshe, ka njerëz që duan lirinē dhe KM-ja i dehur e i përçartur nga pushteti nuk mund ta shohë, ose thjesht bën sikur nuk e sheh. Nëse nuk do të kishte, përse bën ligje kundër fjalës së lirë? Ka njerëz që e duan Demokracinë, që e duan rendin ligjor dhe Kushtetues. Fantazmat e së shkuarës mund të dehin një ose disa mendje, por jo një popull. Ndaj përçartja e tij nuk duhet injoruar, sepse “barku që i lindi, ende nuk është shterpëzuar”. Ai na tha atë që do, ne duhet të luftojmë që ato të cilat i kemi fituar që të mos i humbasim.