Gentian Çala: Duhet një alternativë politike për Shqipērinē

205
Sigal

Si kanë ardhur punët në këtë vend shqiponjash të shndërruara në “shtegëtare”, po rrezikojmë shumë, jo vetëm prosperitetin, por shuarjen e një kombi. Madje sot kjo duket më e mundshme se kurdoherë më parë. Nuk duhet pushtim, asimilim, luftë apo spastrim etnik për këtë si dikur, mjafton që vendi të jetë i dobët ekonomikisht, politikisht i sunduar dhe i përçarë, thjesht bëje një Shqipëri të pajtueshme. Kjo po ndodh për fatin e keq, në heshtje, ngadalë si “vdekje e ëmbël”.

Pushteti nën dehjen e parave dhe trullosjen e lakmisë së pangopur, nuk ka gjasa ta kuptojë këtë rrezik, madje po i shërben këtij rreziku. Gara politike duket e mbërthyer te pushteti, ku tek-tuk ka zëra publikë apo institucionalë që flasin për rrezikun që na kanoset nga rrudhja deri në zhdukje si komb. Ka ardhur momenti që të ketë një alternativë politike për Shqipërinë, që rrugën drejt pushtetit dhe vetë pushtetin e ve në shërbim të mbrojtjes së kombit nga presionet globaliste, asimiluese, emigratore, shpërbërëse. Zgjidhja politike mund të jetë ilaçi më i mirë, mbase dhe më i shpejtë sesa zgjidhjet e tjera si ndërgjegjësimi, edukimi, lëvizjet qytetare të cilat mund të kërkojnë afate të gjata kohore.

Kjo që po them nuk nënkupton një lëvizje nacionaliste ekstremiste, as të sforcuar, por një lëvizje poltike që në thelb të programit të saj ka kombin, sovranitetin e tij dhe ndalimin e shpërbërjes. Shqipëria sot ka nevojë për një alternativë të tillë, e cila mbledh të gjithë ata që mendojnë se ky vend mund të bëhet nga shqiptarët, duke ndërtuar një raport korrekt me të huajt dhe partnerët pa elemente varësie, vasaliteti apo protektosioniste. Kjo lëvizje duhet ti kthejë besimin qytetarëve se mbi dheun e shqiptarëve mund të ndërtohet një shtet i dinjitetshëm.