Fundi i një mandati të mbushur me korrupsion, kaos dhe abuzim në Kadastrën e Vlorës
Pas muajsh denoncimesh publike, akuzash për korrupsion dhe bllokim total të shërbimeve për qytetarët, Kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë personalisht duke shkarkuar nga detyra Genc Deromemajn, drejtorin e Kadastrës së Vlorës, por që rrinte “kollovar” në zyrat e Tiranës.
INFO
Për hipotekën e Vlorës ndoshta, shprehja “Kap Ça të Kapësh” (KÇK ), e ka emrin Genc Deromemaj. Jo më kot qytetarët e Vlorës, ardhjen e Deromemajt në krye të kadastrës e krahasonin me vizitorët e rinj të brigjeve të Vlorës e Sarandës sikurse janë “ Delfinët e Mesdheut”. Vetëm 1 muaj më parë, u publikua raporti i Bankës Botërore, ku Shqipëria dhe institucionet e saj përgjegjëse, sikurse janë Agjencitë Shtetërore të Kadastrës, dhe hipoteka e Vlorës e rendisin Shqipërinë të dytën pas Portugalisë për problematikat me titujt e pronësisë dhe procesest gjyqësore të gjata.
Vendimi, i marrë pas një sërë raportimesh për mosfunksionim të institucionit dhe ankesa të shumta qytetare të përcjella në Kryeministri, vjen si një pranim publik i dështimit të këtij emërimi, i cili që në fillim ishte i kontestuar jo vetëm nga socialistët e Vlorës,por të mbarë qarkut. Ndoshta kryeministri më të drejtë donte t’u mbyllte gojën thashethemënave, për të vënë në krye të institucionit më përfolur për korrupsion, një opozitar, i cili dukej si ”qingj, por ishte “çakall e kaluar çakallit”. Dhe më mirë se kushdo Genc Deromemajn e njohin vlonjatët, i cili e ktheu Kadastrën në një qendër të pasigurisë ligjore, korrupsionit të strukturuar dhe pengesës sistematike për çdo qytetar që kërkon të ushtrojë të drejtën mbi pronën e tij.
Një emër që vjen nga koncesionet dhe klientelizmi politik
Genc Deromemaj nuk është një emër i ri për aferat e ndërtimit dhe përfitimet nga pushteti. Materialet e publikuara më parë në shtyp tregojnë për përfitime të drejtpërdrejta nga qeveria e Berishës. Nga ndërtimet për familjen Basha te tenderi për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Tiranë, rikonstruksione publike të dhëna nga Bashkia e Tiranës, si dhe koncesioni për hidrocentralet e Ballenjës, i firmosur vetëm dy ditë para se Berisha të linte zyrën si Kryeministër, janë vetëm një pjesë e vogël e babëzisë së tij, pjesë e zinxhirit të përfitimeve nga pushteti. Ata individë të pushtetit partiak lokal, që dje i rekomanduan Kryeministrit Rama, një personazh si Deromemaj, për të qënë në krye të Kadastrës së Vlorës duke e justifikuar me “mungesën e profesionistëve nga e majta”, sot duhet të ndjehen dy herë në turp: Para besimit të Kryeministrit Rama, por dhe para votuesve dhe qytetarëve të Vlorës.
Kadastra e Vlorës nën Deromemajn: një institucion i paralizuar dhe i korruptuar deri në palcë
Që prej marrjes së detyrës, institucioni është kthyer në një qendër korrupsioni dhe pasigurie ligjore. Nga mbi 5,000 aplikime të qytetarëve, vetëm një përqindje minimale, madje e ppërfillëshme është trajtuar, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur pezull, e bllokuar për muaj të tërë. Noterët, avokatët dhe qytetarët denonconin përditë arbitraritetin, sekserizmin dhe kërkesat nën dorë që karakterizonin funksionimin e Kadastrës nën drejtimin e Deromemajt. Dhoma Vendore e Avokatisë së Vlorës e akuzoi publikisht për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv e aktiv. Një denoncim që si duket, i ka paraprirë ndërhyrjes nga Kryeministri.
Shkarkimi i të korruptuarit Genc Deromemaj, një reagim i domosdoshëm nga Kryeministri Rama
Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se Rama ka marrë vendimin pas një sërë raportesh të shërbimeve të kontrollit, të cilat evidentonin mosperformancë, mungesë transparence dhe raste të përsëritura të abuzimit me detyrën. Gjithashtu, sipas informacioneve të bëra publike, disa qytetarë kishin depozituar drejtpërdrejt në zyrën e Kryeministrit ankesa dhe prova për pagesa të kërkuara në mënyrë të paligjshme nga sekserët e lidhur me drejtuesin e Kadastrës. Madje ka fakte tronditëse të pronarëve të qytetit të Vlorës, në zonën rreth shkollës “Industriale”, të cilët kanë rënë nën përgjimin e organeve të specializuara të hetimit dhe krimit të organizuar, ku pronarët e një trualli flasin për takimin me kreun e hipotekës dhe ku janë bërë kërkesa në vlera deri në 50 mijë euro për të regjistruar vendimin e Gjykatës së Lartë. Por, hipoteka nuk e regjistron, madje kur pronarët kërkojnë arsyen se përse nuk regjistrohet prona, përgjigja që pronarët marin është: Ma jepni mua për ndërtim, ose ai që do e marrë duhet të paguajë 100 mijë euro. Ndryshe nuk regjistrohet! Pra prona nuk regjistrohet edhe pse ka një vendim të Gjykatës së Lartë, të formës së prerë që urdhëron regjistrimin. Por prona edhe mund të regjistrohet me dy kushte, t’i jepet për ndërtim “Kapos” që ka në dorë firmën për regjistrim, ose të paguhen 100 mijë euro. Ndoshta sapo të fillojnë hetimet, do të bëhen publike edhe regjistrimet e bisedave dhe deklaratave.
Nga produkt i korrupsionit në simbol të dështimit
Rasti i Genc Deromemajt është shembulli më i qartë i asaj që ndodh kur administrata publike përfshihet nga klientelizmi dhe riciklimi i figurave të vjetra të korrupsionit. Nga ndërtues i klaneve politike të Berishës e Bashës, në “drejtor” të Kadastrës në qeverinë Rama, Deromemaj përfaqëson atë që qytetarët e kanë përjetuar çdo ditë në sportelet e institucioneve: abuzim, arrogancë dhe mungesë totale shërbimi. Ndoshta krimi ekonomik, prokuroria e Vlorës dhe SPAK, duhet të hetojnë edhe “gojët e liga” se dosjet e pronave të Vlorës, merreshin nga arkiva e qytetit bregdetar me makina dhe silleshin në Tiranë, për tu përpunuar nga “batakçiu” i hipotekës së Vlorës. Kush ishin mjetet dhe drejtuesit e mjeteve që bënin transoprtin e dosjeve ? A janë falsifikuar dosjet? Kush i falsifikoi? Dhe pse u mbyllën me emergjencë dosjet e bregdetit dhe zonave më të lakmuara nga Narta deri në Ksamil? Këtë besojmë se duhet ta sqarojnë menjëherë organet e specializuara të sipërcituara, duke arrestuar dhe futur në kafazin e hekurt, pazarxhiun e hipotekës së Vlorës.
Qytetarët kërkojnë hetim dhe ndëshkim, me shkarkimin e Deromemajt, kryeministri dha një sinjal për administratën publike
Shkarkimi është vetëm hapi i parë. Opinioni publik pret që ndaj Deromemajt të nisin hetime të plota për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pengim të së drejtës së pronës. SPAK, i cili ka marrë më herët kallëzime të drejtpërdrejta për Kadastrën e Vlorës, pritet të verifikojë akuzat që tashmë janë bërë publike dhe të vendosë nëse drejtori i shkarkuar do të përballet me përgjegjësi penale. Me shkarkimin e Genc Deromemajt, Kryeministri Rama dërgon një sinjal për pastrimin e administratës nga zyrtarët që kanë shndërruar institucionet në prona personale. Por ky sinjal do të ketë vlerë vetëm nëse shoqërohet me transparencë, ndëshkim dhe një reformim të thellë të Kadastrës, e cila prej kohësh është kthyer në një vatër korrupsioni dhe pengesë për zhvillimin ekonomik të qytetit. Në fund, rasti i Deromemajt duhet të mbetet si një mësim: emërimet politike pa integritet profesional prodhojnë vetëm dështim, korrupsion dhe humbje besimi tek shteti. Vlora meriton një Kadastër që i shërben qytetarëve, jo sekserëve dhe modelit të korruptuar të funksionarit të paaftë Genc Deromemaj.





















