“Furtuna” politike e pakënaqësisë ndaj keqqeverisjes shkarkon 11 kryetarë degësh të PS

579
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Askush në Kryesinë e PS, në qeveri nuk mban përgjegjësi për ish-deputetët e arrestuar për korrupsion

Disa javë më parë u arrestuan nga Policia e Shtetit kryetari i PS në njësinë 3 në Tiranë, me detyrë inspektor i Tatimeve për korrupsion. Në Shkodër po për korrupsion arrestohet krye/regjistruesi. Këto ditë u arrestuan për korrupsion drejtorë të përgjithshëm të institucioneve shtetërore, ish-deputetë socialistë. Megjithëse u thirr urgjent Kryesia e PS-së, çuditërisht “koka” e PS-së nuk mori përgjegjësinë politike: Kush fajësohet për emërimet e drejtorëve të arrestuar për korrupsion, kur dihet që emërimet e tyre janë politike? Po për emërimet e këtyre drejtorëve të korruptuar dalë nga listat e PS për deputetë, kush e mban tani përgjegjësinë? A duhet të dalë përgjegjësia politike e atyre që i emëruan të mjaftohet vetëm duke pohuar, se këta drejtorë “legenë” ia nxinë faqen e qeverisë, sepse u arrestuan për korrupsion?

Në PS nis furtuna: Shkarkohen 11 kryetarë degësh

Dikush duhet ta mbajë në shpinë fajin e arrestimit të drejtorëve të akuzuar për korrupsion , ish-deputetë dhe kryetarë të PS, prandaj edhe kryesia e PS i gjeti fajtorët… Pa u bërë as formalisht “gjyqin” demokratik, domethënë analiza e llogaridhënies të bëhej në degët e PS në qarqe e qytete, kryesia e PS-së merr vendimin: Shkarkon nga detyra partiake 11 kryetarë të partive në qytete. Por, nuk u tha: A do të shkarkohen edhe nga detyra shtetërore këta kryetarë të degëve të PS, sepse dihet, që të gjithë kryetarët e degëve të PS janë emëruar në poste drejtuese të institucioneve shtetërore rajonale. Zëdhënësja e PS, Elisa Spiropali, ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, e shkarkuar për paaftësi drejtuese, dje, shpjegoi se “ u shkarkuan kryetarë partie të PS në territor. Janë vënë re vonesa të pajustifikueshme në riorganizimin e partisë. Në fushatën e anëtarësimeve dhe në degët lokale vihet re një shkëputje nga disa territore, drejtuesve politike iu është kërkuar të rrisin prezencën në terren dhe në qarqet që ata mbulojnë politikisht”.

Ja lista e kryetarëve të PS-së, të shkarkuar

Disa nga kryetarët e PS të degëve që u shkarkuan janë ai i Delvinës, Cërrikut, Selenicës, Memaliaj dhe Devollit. Kryesia gjithashtu i kërkoi drejtuesve politikë të qarqeve të jenë më prezent në territoret lokale që mbulojnë, sidomos në territoret ku qeverisin demokratët. Ndërsa në bashkitë, ku kryebashkiakë janë socialistë, sidomos në bashkinë e Elbasanit, ku mbizotërojnë bandat kriminale, kryetari i PS të qarkut dhe qytetit e bën punën partiake me ….devotshmëri.

Kryeministri Rama: PD do lerë çizmet në gjyqe

Pas prezantimit të nismës “Fondi i Edukimit”, që sipas kryeministrit Edi Rama do të krijojë të ardhura nga shpifësit, ka ardhur kontributi i parë. Njoftimin e bën vetë kryeministri Rama, ku shkruan se Fondi i Edukimit është inauguruar nga një shpifje e Partisë Demokratike për Erion Veliaj. Me ironi, kryeministri Rama thotë se me 12 paditë e para Antishpifje nga ana e tij opozita do lerë dhe çizmet gjyqeve. “Inaugurohet Fondi i Edukimit nga një shpifje e PD për Erion Veliaj. Kontributi i parë për një bibliotekë shkolle në Kodër-Kamëz. Gati 12 paditë e para Antishpifje nga ana ime. Në përpunim nja dy duzina të tjera Kjo opozitë si Liza në botën e çudirave do lerë dhe çizmet gjyqeve,” – shkruan Kryeministri Rama. Reagimi nga krye/opozitari Lulzim Basha është i menjëhershëm, duke shkruar se askush nuk do t’ia mbyllë gojën opozitës. Basha: “As Edi Rama as kamikazja e tij e korruptuar Regleta Panajoti që dënon për shpifje opozitarin Akil Kraja, sepse denoncoi rritjen e çmimit të ujit nga vrasësi i Ardit Gjoklajt, nuk do na e mbyllin dot gojën. Fundi i tyre është i afërt dhe i ngjashëm me atë të diktaturës”, – tha Basha.