Fundjavat e luksit me paratë e inceneratorëve

Dosja për Arben Ahmetaj : Ish ministri përfitoi 34 mijë euro nga Zoto e Mërtiri për shpenzime në hotele luksi me të dashurën nga Milano në Monako, Vjenë, Gjermani e Francë. GJKKO kërkon sekuestrimin e apartamenteve,zbardhen transferta miliona euro në Zvicër për bashkëjetuesen. Mazhoranca refuzon interpelancën në Kuvend, opozita: Po financojnë arratinë e Ahmetajt! PS: S’është urgjente

GJKKO kërkon sekuestrimin e 4 apartamenteve, që kanë qenë në pronësi të Ahmetajt. Njerëzit që përmenden në dosjen e SPAK janë larguar nga vendi

NOA

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pranoi kërkesën e SPAK për vendosjen e sekuestrove preventive për 4 apartamente, të cilat më herët kanë qenë në pronësi të ish-ministrit Arben Ahmetaj, por që dyshohet se janë shitur në mënyrë fiktive te persona të tjerë. Sipas SPAK, 4 banesat janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga ish-ministri. Nuk dihet se çfarë do të bëhet me kërkesën e SPAK, pasi janë shitur dhe kanë pronarë të tjerë. Apartamentet dyshohet se janë shitur në mënyrë fiktive nga Ahmetaj dhe ish-bashkëshortja e tij. Apartamentet i janë shitur Sokol Meqemes, Andi Bonit. SPAK ka dërguar në gjykatë, kërkesën për bllokimin provizor të katër pasurive, të cilat aktualisht janë hedhur në emra të tjerë, por që dyshohet se janë produkt i veprës së korrupsionit të kryer nga Arben Ahmetaj. Ish-ministri Arben Ahmetaj nuk ka asnjë banesë në emrin e tij. Nga kontrollet që ka kryer BKH mësohet se njëra nga banesat e marra me qira nga Ahmetaj në Tiranë ishte e boshatisur. Në përfundim të kontrollit GJKKO vendosi masën sekuestro preventive për katër apartamente, njëri i përshtatur si AIR BNB në pronësi të ish ministrit nën hetim si dhe dy llogari bankare në shumën 124 300 euro. Gjatë kontrolleve në shtatë banesa janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe lap top, telefona celularë, USB etj, të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Kontrolli pranë banesës së Arben Ahmetajt pranë Liqenit Artificial në Tiranë u krye në prani të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të ndihmuar nga Policia e Shtetit dhe në prani të mbrojtësve. SPAK kreu kontrolle për disa minuta në tre katet e banesës së familjarëve të bashkëjetueses së Arben Ahmetajt. Burime thanë se shumica e emrave të biznesmenëve dhe personave të përmendur në dosjen voluminoze prej 320 faqesh në shumicën e rasteve janë larguar jashtë vendit familjarisht, mbase me frikën e arrestimeve të mundshme.

Fundjavat e luksit të Arben Ahmetaj me paratë e inceneratorëve

Dosja për Arben Ahmetaj: Ish ministri përfitoi 34 mijë euro nga Zoto e Mërtiri për shpenzime në hotele luksi nga Milano në Monako, Vjenë, Gjermani e Francë.

Gjithsej 34 mijë euro për udhëtime, përfshirë fundjava në Milano, pushime familjare në Rivierën Franceze apo pushime në Greqi, Rumani e Austri. Shpenzime të tjera për udhëtime të familjes rezultojnë të jenë paguar nga një shok.

Një ditë të premte, më 7 mars 2013, dy kushërira u nisën për një fundjavë në Milano. Njëra prej tyre, nuk pagoi, u tha ajo prokurorëve një dekadë më vonë, për shkak se ishte e ftuara e shtetases Erjola Hoxha, e cila, shumë vite më vonë, u bë bashkëjetuese e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ky nuk ishte udhëtimi i vetëm që dy kushërirat bënë. Të dhënat e grumbulluara nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të hetimit mbi përfitimet e dyshuara korruptive të ish-zëvendëskryeministrit, nga dy biznesmenë aktualisht në arrati për akuza të tjera për korrupsion aktiv të zyrtarëve publikë, kanë zbuluar udhëtime të shumta të kryera nga Ahmetaj në shoqëri të ndryshme, përfshirë familjen e vet, bashkëjetuesen aktuale dhe zyrtarë, të tjerë socialistë. Prokurorët kanë llogaritur se në total, për rastet e identifikuara, Zoto e Mërtiri i kanë paguar Ahmetajt gjithsej 34 mijë euro për udhëtime, përfshirë fundjava në Milano, pushime familjare në Rivierën Franceze apo pushime në Greqi, Rumani e Austri. Shpenzime të tjera për udhëtime të familjes rezultojnë të jenë paguar nga një shok fëmijërie i Ahmetajt. Shoku i fëmijërisë u punësua në një  ndërmarrje shtetërore në likujdim kur Ahmetaj u bë ministër në vitin 2013, gjë që hap një pistë tjetër dyshimesh për korrupsion në lidhje me një ankand tjetër, që solli shkrirjen për skrap të Termocentralit të Fierit, një investim i kohës së komunizmit, i cili ishte jashtë pune prej vitesh, por që vazhdimisht diskutohej nevoja për ta restauruar për prodhim energjie. Udhëtimet e hetuara nga SPAK sugjerojnë një rritje progresive të kostos dhe të luksit, nga periudha 2012-2013, kur biznesi kryesor i Mërtirit dhe Zotos duket se ishin kontratat me ujësjellësit e qyteteve të qeverisura nga socialistët, deri te udhëtimet e fundit, të identifikuara në vitet 2016 e 2017.

Në korrik 2013, pasi socialistët patën fituar zgjedhjet dhe pritej të merrnin pushtetin, Ahmetaj dërgoi të dashurën e tij dhe kushërirën e të dashurës në një udhëtim katër ditor në Milano dhe në Monako.

Në korrik 2013, pasi socialistët patën fituar zgjedhjet dhe pritej të merrnin pushtetin, Ahmetaj dërgoi të dashurën e tij dhe kushërirën e të dashurës në një udhëtim katër ditor në Milano dhe në Monako.

Klodian Zoto pagoi përmes një karte bankare akomodim në dhomë Deluxe në hotelin Principe di Savoia me çmim rreth 400 euro nata. Sipas të dhënave të dërguara nga hoteli për drejtësinë italiane, e cila iu përgjigj një kërkese për ndihmë të ndërsjellët juridike të prokurorisë shqiptare, në total Zoto pagoi për Arben Ahmetajn dhe Erjola Hoxhën 1535 euro për qëndrimin e tyre në Milano. Në dy ditët që pasuan, Ahmetaj dhe Hoxha qëndruan në Hotel Hermitage në Monako. Policia e Monakos i raportoi drejtësisë shqiptare se Klodian Zoto pagoi 1396 euro për të dy, ndërsa rezervoi një dhomë më vete për kushërirën e Hoxhës. Udhëtimi nga Milano për në Monako u bë me një makinë me qira, me Ahmetajn në timon, sipas dëshmisë së kushërirës. Në total, vëren prokuroria, fundjava e gjatë kushtoi 4553 euro në hotele, pa llogaritur kostot e tjera të mundshme. Hoteli Principe di Savoia është vendi ku, sipas të dhënave të mbledhura nga prokuroria, një qëndrim dyditor mund të kushtojë mbi 1600 euro dhe ku vetëm mëngjesi kushton 90 euro. Prokuroria vëren gjithashtu se ky është hotel, që duket se i ka pëlqyer veçanërisht shumë Ahmetajt, pasi është kthyer në të për të bujtur me shtetasin Mirel Mërtiri. Sipas SPAK, më 20 qershor 2014, Ahmetaj, në këtë kohë Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, u rikthye në Milano me zonjën Hoxha në hotel Principe di Savoia. Mirel Mërtiri me bashkëjetuesen e tij Stela Gugallja, e cila ishte pronarja ‘de jure’ e inceneratorit të Elbasanit, qëndruan në të njëjtën datë në hotelin Principe di Savoia. Dhoma e Mërtirit, një apartament me vlerë 1600 euro, u prenotua me kartën e Klodian Zotos, por u pagua cash nga Mërtiri. Në vitin 2015, në një fundjavë tjetër në Milano, kësaj here në Armani Hotel kushtoi 2024 euro vetëm dhoma dhe pak pije për Hoxhën dhe Ahmetajn. SPAK dyshon se udhëtime të tilla nuk ishin vetëm për qejf, por edhe për biznes. Ata vërejnë se në rastet kur Zoto paguante fundjava për Ahmetajn, Mërtiri, njeriu hije i inceneratorëve, i cili duket se nuk mban kartë krediti dhe pëlqen të paguajë cash, gjendej duke udhëtuar në të njëjtat destinacione. Për shembull, në shtator 2015, Ahmetaj niset për një udhëtim pune në Paris. Në të njëjtat data, në Paris, karta e Klodian Zotos përdoret për të paguar 383 euro hotel, 434 euro restorant, dhe 750 euro për një subjekt tregtar të quajtur Crazy Horse. Prokurorët e SPAK vërejnë se “nga verifikimet në Google rezulton të jetë kabare në Paris”. Në gusht 2016, ndërsa punët po ecnin mbarë në Shqipëri me kontratën e koncesionit të Elbasanit dhe koncesionin e Fierit, Zoto dhe Mërtiri duket se fusin dorën thellë në xhep për të paguar udhëtimin më të shtrenjtë të identifikuar nga prokurorët për veten dhe për familjen e Ahmetajt me bashkëshorten e tij. Hoteli dhe SPA Tiara Miramar me pesë yje gjendet në Cote d’Azur ose Bregu i Kaltër, një segment i bregdetit të Francës në Mesdhe, i famshëm për turizmin e luksit. Mes datave 3 dhe 9 gusht 2016, në këtë hotel u prenotuan dy dhoma Prestige me pamje nga deti dhe dy dhoma Junior Suite me pamje nga kopshti. Prokuroria vëren se shtetasja Albina Mançka, nga emaili i saj i punës, njofton hotelin se pagesa do të bëhet nga Mirel Mërtiri. Mërtiri ia përcjell emailin me të dhënat e pagesës Klodian Zotos. Hoteli për Ahmetajn dhe bashkëshorten, fëmijët e tyre si dhe Mërtirin me partneren e tij Stela Gugallja dhe fëmijën e tyre kushtoi në total mbi 19 mijë euro, të cilat u paguan nga Zoto me transfertë bankare. Niveli i hoteleve të Ahmetajt duket se u përmirësua më tej në vijim. Në shtator të atij viti, dy ditë qëndrimi të tij dhe Hoxhës në hotelin Mandarin Oriental Milan kushtuan 2730 euro. Në prill të vitit 2017, një fundjavë tjetër me Hoxhën dhe kushërirën e saj kushtoi 4564 euro, sërish të paguara nga karta e Zotos. Ndërsa në korrik të atij viti, një udhëtim për në Rumani, në të cilin merrnin pjesë Ahmetaj, Mërtiri, Leonard Mene, (kunati i ministrit dhe drejtor në ministri) dhe Artan Gjoka, shok i ministrit dhe drejtor i kompanisë shtetërore në likujdim Petrol Alba, qëndruan në JË Mariot në Bukuresht për tre net. Fatura e hotelit u pagua cash nga Artan Gjoka, mësohet nga përgjigja që hoteli i dha autoriteteve gjyqësore rumune, të cilat iu përgjigjën një kërkese për ndihmë juridike të ndërsjellët të prokurorisë shqiptare. Fatura totale, 2534 euro. Ky duket se ishte udhëtimi, që solli probleme zinxhir për pjesëmarrësit. Më 16 korrik 2017, ndërsa po ktheheshin me makinë nga Rumania, një aksident në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut vërtetoi për herë të parë publikisht dhe ligjërisht lidhjen miqësore mes Mirel Mërtirit, njeriut që nuk shfaqet në shumë dokumente zyrtare biznesi dhe që duket se vepron përmes Klodian Zotos dhe bashkëjetueses së tij Stela Gugallja, dhe Arben Ahmetajt. Një investigim i vitit 2020 i BIRN hetoi skemën e inceneratorëve, ndërsa një konflikt, që duket se lindi më vonë mes Zotos dhe Ahmetajt solli telashe të mëtejshme për ish-zëvendëskryeministrin. Zoto vijoi të bëjë bankomatin për Ahmetajn përgjatë viteve 2019 e 2020, kur bashkëshortja e tij, Albina Mançka duket se vendosi të rinovojë një apartament te pallati i Shallvareve, ku ka banuar më herët edhe ish-kryeministri Fatos Nano në kate pa leje. Gjatë punimeve të rinovimit, ndërsa Mançka viziton qendra tregtare për blerje materjalesh, të tilla si hidrosanitare, parkete apo mobilje, ajo i kërkon shitësve që t’i lëshojnë faturat për llogari të subjektit me NIPT L02302032C. Prokuroria thotë se mbi 2 milionë lekë u paguan nga ky NIPT, i cili i përket kompanisë Integrated Technology Services të Klodian Zotos. Për shembull, te kompania Brunes u porositën hidrosanitare me vlerë mbi 4500 euro. Megjithatë, prokuroria vëren se kostoja totale e rinovimit, mbi 3 milionë lekë, për të cilat Mançka dhe Ahmetaj akuzohen se nuk i kanë deklaruar në deklaratat periodike vjetore të pasurisë, nuk u pagua në tërësi nga Zoto. Në maj 2020, Mançka njofton një nga furnitorët se nuk duhet të lëshojë më fatura për kompaninë e Zotos. Në verën e atij viti, Zoto i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetaj. Për arsye jo të qarta, duket se Zoto ndërpreu pagesat për Ahmetajn në maj dhe filloi të grumbullojë materjale kompromentuese për shokun e tij, të cilat në dhjetor të vitit 2022 rrodhën në media. Konflikti duket se i ka dërguar si Zoton, ashtu edhe Ahmetajn, në arrati, të përndjekur nga akuzat për pastrim parash dhe korrupsion, krahas falsifikimit të dokumeteve dhe deklarimit të rremë të pasurisë. BIRN

Rama refuzon interpelancën në Kuvend, opozita: Po financojnë arratinë e Ahmetajt! PS: S’është urgjente

Skandali i inceneratorëve nuk përfshin vetëm ish-kryeministrin Arben Ahmetaj, por edhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, të cilët përmenden në dosjen e SPAK,  dhe për këtë shkak, Partia Demokratike dhe ajo e vulës kishin kërkuar për në seancën plenare të të enjtes mocion me debat dhe interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Por Konferenca e Kryetarëve i ka rrëzuar kërkesat e opozitës. Kryeministri Edi Rama nuk foli as të premten në Kuvend, kur u miratua heqja e imunitetit për Ahmetajn, por u mjaftua me një fjalim të gatshëm të lexuar në pronter dhe të publikuar në orët e pasdites në rrjetet sociale Deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha se sipas Konferencës së Kryetarëve, nuk ka urgjencë për kërkesat e tyre. Ai shtoi më tej se tashmë parlamenti është shndërruar në ‘dyqan personal i Zotos dhe Mërtirit’ dhe se po financohet arratia e tyre dhe e Arben Ahmetajt. “Konferenca e Kryetarëve vendosi sot rrëzimin e kërkesës për interpelancë dhe për mocion me debat duke shfaqur në këtë mënyrë vizionin për shndërrimin e Parlamentit në një dyqan personal të Zotos dhe Mërtirit. Për kolegët e mazhorancës fakti që dy mafiozë në arrati, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri marrin pagesa çdo ditë nuk është një çështje urgjente. Arben Ahmetaj mund të transferojë para nga Shqipëria në Zvicër pa asnjë problem.”