FSHZH favorizon fituesin që ofroi 175 mln lekë më shumë

206
Sigal

Kompania e shpallur fituese ofroi 175 milionë lekë më shumë

FSHZH-ja  favorizon tenderat

Fondi Shqiptar i Zhvillimit nën drejtimin e Dritan Agollit që prej janarit të vitit 2019, zhvillon tendera shpesh duke skualifikuar ofertat më të ulëta. Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe për tenderin me objekt “Ndërhyrje e integruar për përmirësimin e aksesit, shërbimeve dhe rikualifikimit urban në zonën e Plazhit Palasë – Drymadhes” me një fond limit 525 milionë lekë. Sipas të dhënave në APP për këtë procedurë rezulton të kenë shfaqur interes 7 kompani, 5 prej të cilave FSHZH i ka skualifikuar dhe fitues është shpallur bashkimi i operatorëve Gjikuria sh.p.k., & Albavia shpk. Ky subjekt ka paraqitur ofertën prej 499.7 milionë lekësh ndërkohë që  tre prej të larguarve nga gara kanë paraqitur vlerë më të ulët. Një prej konkurrentëve, pasi është njoftuar mbi vendimin ka paraqitur ankesë pranë KPP duke e cilësuar procedurën e ndjekur nga institucioni nën drejtimin e Agollit, një favorizim. “Por në këtë rast, nuk ju intereson kualifikimi jonë, dhe kërkoni të gjeni arsye të paqenë për të na skualifikuar nga kjo procedure dhe për të kualifikuar dhe favorizuar kompaninë “GJIKURIA” Sh.p.k., që ndonëse me një oferte me vlere 60 milion lekë të reja më shumë, ju përpiqeni ta shpallni fitues të kësaj procedure prokurimi.” Madje, diferenca mes fituesit dhe një prej kompanive të skualifikuara arrin në 175.7 milionë lekë. Pjesëmarrëse në prokurim rezulton të ketë qenë edhe kompania Florida shpk e cila nuk ka paraqitur ofertë, ndërkohë që e paskualifikuar mbeti edhe Fusha e cila paraqiti vlerën më të lartë nga të gjithë konkurentët. Open Data e ka renditur edhe këtë tender me flamur të kuq.