Frika nga sulmet terroriste, blindon dhe bunkerizon ambasadat

409
Sigal

Një ditë pas atentatit të ndodhur në Turqi, ku një
efektiv policie vrau ambasadorin rus, Policia e Shtetit në Shqipëri, ka rritur
masat e sigurisë në misionet e huaja diplomatike.
 Në mënyrë të veçantë, masat
e sigurisë janë rritur në perimetrin, ku shtrihet ambasada ruse në Tiranë dhe
po ashtu edhe ndaj personelit të ambasadës. Masat e sigurisë janë rritur
pas vrasjes së ambasadorit rus në Ankara mbrëmjen e shkuar dhe pas të shtënave
me armë mëngjesin e sotëm në ambasadën amerikane në Turqi. Po ashtu dje një
sulm terrorist tronditi Gjermaninë, teksa një person u fut me kamion drejt
turmës në një park në Berlin duke lënë 12 viktima dhe dhjetëra të plagosur. 
Burime nga Policia e Shtetit thanë, se masat e sigurisë në Ambasadën Ruse
dhe në të gjithë selitë e huaja diplomatike të akredituara në Tiranë, kanë të
bëjnë me kontrollin e personave që kalojnë pranë territorit të ambasadave,
mbikëqyrjen e tyre me oficerë të Antiterrorit apo edhe me efektivë me uniformë.
Pranë godinës së ambasadës Ruse në Tiranë, vihen re lehtësisht qartë, masat e
larta të sigurisë, ku veç punonjësve të zakonshëm qëndron edhe një patrullë e
forcave “Shqiponja”, grupe të Policisë së Tiranës dhe agjent sekretë të shërbimeve
të specializuara të survejimit dhe parandalimit të akteve terroriste apo edhe
të tentativave për ndonjë sulm fizik. Ndërkaq, burimet thanë se masat e
sigurisë janë shtuar edhe në misionet e tjera të huaja, si ambasada amerikane,
italiane apo edhe ambasadat e tjera që ndodhen në “Rrugën e Kavajës”.