FRESH feston 24-vjetorin, merr pjesë kryeministri Rama

512
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në aktivitetin e organizuar me të rinjtë socialistë për 24-vjetorin e Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë. Për kreun e qeverisë, “FRESSH është një organizatë e të rinjve brenda PS-së që ka një histori të posaçme dhe që i ka dhënë PS-së dhe vendit, një kontribut të çmuar në burime njerëzore madje i ka dhënë edhe 2 kryeministra”.
Ndërsa ka dalë para qindra të rinjve e të rejave Rama ka evidentuar numër më të madh të grave dhe të vajzave, duke e quajtur një diktaturë të re. Ai tha se për të është e pëlqyeshme kjo gjë por si çdo diktaturë është ferr.
“Duke iu parë po mendoja që vërtetë PS është e angazhuar me zemër dhe mendje në një betejë emancipuese për barazinë gjinore por jo deri në atë pikë sa të kemi 10% burra dhe djem dhe 90% gra dhe vajza sepse pastaj do të kalonim nga diktatura e burrave tek diktatura e grave. Kur e mendon mua me duket më e pëlqyeshme por siç cdo diktaturë është ferr më vete”, tha kryeministri.
Më tej, Rama ka shprehur mirënjohjen ndaj të rinjve. “U jam mirënjohës që jeni sot këtu, jam takuar me një pjesë tuajën, kur shprehët dëshirën për përfshirjen në këtë proces të pandërprerë për t’u riorganizuar dhe për të bërë zgjedhjet e reja por siç e kujtoni ju thashë të merrni kohë, ta mendoni më mirë, ta vendosni me më shumë diskutim me veten dhe të tjerët, pasi ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe aspak i lehtë sidomos për njerëz si ju që jeni një model i bazuar tek puna e madhe dhe tek vullneti i fortë në fushën e dijes. Kjo bën mirënjohjen time për praninë tuaj këtu dhe për këtë hap drejt PS, një mirënjohje të thellë, të vërtetë dhe aspak formale. Nga ana tjetër duke pasur praninë tuaj në këtë proces të ripërtëritjes së PS-së ne marrim një kurajë të veçantë dhe për mua është një inkurajim shumë i posaçëm pasi asnjëri nga ju nuk është një individ që mund të gënjehet dhe që mund të tërhiqet pas një ideje apo një force nëse ideja dhe forca në fjalë nuk e kanë fuqinë e duhur bindëse për zemrën dhe për mendjen. Kjo pikërisht më tregon edhe pa pasur nevojë për fjalë që ajo çka ne po bëjmë meriton respektin tuaj dhe respekti juaj është çmimi më i lartë që unë mund të merrja si kryeministër pas 2 vjet e gjysmë përpjekje dhe ju falënderoj për këtë çmim”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se ardhja e të rinjve në Partinë Socialiste hap një rrugë të re nisur nga imazhi i cenuar i politikës.
“Kam bindjen se ardhja juaj në PS çel një rrugë të re në një kohë që nuk është e lehtë për vendin dhe as për politikën. Politika ka marrë shumë goditje dhe është cenuar rëndë në imazhin dhe besueshmërinë e saj. Ndërkohë vendi është në një proces kompleks sfidash vështirësish, përpjekjesh për transformim por edhe mbiprodhimi të energjive negative dhe të cinizmit ndaj çdo gjëje që ndodh. Sigurisht një mbiprodhim që nuk e ndal dot procesin ku ne udhëheqim me bindje të madhe dhe me vullnet të hekurt një sërë reformash por padyshim e pengon jashtë mase. Besoj që ka qenë një ide më shumë se sa e mirë e Ministrit të Mirëqenies Sociale në rolin e tij dhe si sekretar organizativ i PS-së për të ngulmuar që ne të hidhnim hapat e nevojshme drejt jush po ashtu për ta finalizuar komunikimin në distancë”, u shpreh ai.
Sigal