Forza Italia dënon sulmin ndaj Berishës: I papranueshëm, të hetohen lidhjet e autorit

57
Sigal

Kreu i grupit të Forza Italia në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Italian, Andrea Orsini me anë të një deklarate ka dënuar me bindje të fortë sulmin ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha gjatë protestës paqësore të organizuar në Tiranë gjatë ditës së djeshme.

‘Ka të bëjë,-shton ai-me një akt të papranueshëm dhe që kërkon një vlerësim të përgjegjësive, veçanërisht nëse konfirmohen zërat për lidhjet e autorit të sulmit me institucione shtetërore’, shkruan deputeti i Forza Italias, partisë së koalicionit qeverisës të Italisë që drejtohet nga Silvio Berluskoni.

‘Shqipëria është një vend i rëndësishëm, me një histori të madhe dhe të shquar qytetërimi, e  lidhur historikisht me Italinë me lidhje të thella miqësie: stabiliteti i demokracisë shqiptare është garancia për opozitën që të mund ta bëjë të dëgjohet zëri i saj lirisht dhe këto janë kushte thelbësore për ne.

Presim që qeveria shqiptare të bëjë çfarëdo që është e mundur për të garantuar çdo përshkallëzim apo rritje të tensioneve. Kryetarit Sali Berisha dhe Partisë Demokratike, me të cilën na bashkon qenia së bashku në organizatën e Partive Popullore Europiane, i shprehim solidaritetin më të madhe të Forza Italias dhe timin personal’, – është shprehur Andrea Orsini.

Një ditë më parë gjatë protestës paqësore, Gerti Shehu, person i infiltruar dhe sipas të dhënave një agjent i policisë kriminale, sulmoi kreun Partisë Demokratike, Sali Berisha.