Të Dhënat/ Rendi publik në rrezik, lista e pagave, ID, numrat e telefonave dhe targat e mjeteve bien në duart e krimit, duke cënuar Sigurinë Kombëtare. Regjistrohen paditë e para për dëmshpërblim dhe paralajmërohen protesta. Flasin: Av.Ledio Braho, Kujtim Cakrani, Zaçe Islami dhe ekspertët Xhepa, Spaho dhe Buxhuku
Rendi publik në rrezik, qeveria të japë dorëheqjen
Intervistoi: Biora Vojka
Pas skandalit të patronazhistëve , pagesat , punësimi dhe informacione të tjera janë nxjerrë nga sistemi shtetëror që prej muajit janar 2021, periudhë kur u nxorën edhe të dhënat e patronazhistëve dhe sot mund t’i disponoj çdokush duke u vënë në dispozicion të krimit të organizuar dhe hajdutëve ordinerë. Gazeta “Telegraf” iu drejtua avokatit Kujtim Cakrani dhe Zaçe Islami, për të mësuar a është kryer vepër penale dhe cili duhet të jetë reagimi i institucioneve të Shtetit dhe të Drejtësisë, për të mbrojtur të Drejtat Themelore të Njeriut, për vjedhjen dhe keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve. A ka përgjegjësi nga ana e administratës dhe a përligjet mosdhënia e informacioneve të tjera shtetit, pasi ato janë të pambrojtura? Av.Zaçe Islami mendon se paditë janë një rrugë e gjatë dhe pa zgjidhje për qytetarët, duke rekomanduar protestat qytetare për rrëzimin e qeverisë, e cila ka kapur të gjitha institucionet e pavarura. AV. Kujtim Cakrani pohon se qytetarët në mënyrë të organizuar , por edhe veç e veç mund të depozitojnë kallëzim penal pranë organit të akuzës prokurorisë. Gjithashtu ditën e djeshme avokatët Kujtim Çakrani dhe Arjon Besimaj kanë depozituar një kallëzim penal ndaj shtetit pas publikimit të pagave. Ku kërkojnë 100 mijë lekë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar .
-Ekspertët e ekonomisë: Dështim i shtetit! AKSHI ka patur mjete, shpenzoi pa transparencë
Ekspertët e ekonomisë e shohin me shqetësim skandalin e nxjerrjes së të gjitha të dhënave sensitive të qytetarëve. Duke e cilësuar një dëshmi të dështimit të shtetit, ekspertët thonë se publikimi i të dhënave personale tregon mosgarantimin e sigurisë. “Mendoj se është një dëshmi tronditëse e dështimit të shtetit në plotësimin e një nga detyrimeve themelore që ka në raport me shtetasit e tij, sepse qytetarët i dorëzojnë në mirëbesim autoriteteve publike informacione personale të cilat qeveria mbi bazë të ligjit duhet të garantonte integritetin e tyre. Dështimi i shtetit për të sjellë një mesazh tek investitorët e huaj, që një shtet, i cili dështon në përmbushjen e detyrimeve të kësaj natyre nuk ofron garanci për të tërhequr investime të huaja.”- pohoi Selami Xhepa .“Problem i shtetit shqiptarë që disponon baza IT për grumbullimin e të dhënave por nuk disponon baza për t’i mbajtur ato të rezervuara dhe mesa duket aksesi në këto databaza ka qenë i papërgjegjshëm, sepse shumë persona që s’duhet të kishin akses kanë patur akses.”, -tha Mateo Spaho. “Këto ngjajnë politikisht të ngjashme me bombat e Gruevskit, që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut disa vite më parë dhe së dyti është positive, sepse tregojnë brishtësinë e shtetit shqiptar dhe dobësinë e shtetit shqiptar.”– tha Buxhuku. Ekspertët e ekonomisë bëjnë përgjegjëse kryesisht Agjencinë Kombëtare të shoqërisë së informacionit dhe kërkojnë një auditim për investimet, që janë kryer në këto sisteme. “Ka nevojë për auditim të standardeve të sigurisë. Kemi një rrjet të institucioneve ligjore ato duhet të mbanin një qëndrim AKSHI që ka pasur mjete të bollshme dhe të jashtëzakonshme që i ka shpenzuar pa transparencë nga kjo pikëpamje dështimi i këtij institucioni është jashtëzakonisht serioz.”- theksoi Xhepa. “Këto të dhëna të kenë kode të caktuara dhe personat përgjegjës të jenë qartazi të shënjestruar dhe kush janë personat që kanë akses. Duhen marra masa, sepse ka përgjegjësi ligjore personat të gjenden dhe të dënohen kam frikë se mund të kemi ndarje të përgjegjësisë ku shumë janë individë dhe institucione dhe në fund asnjëri nuk është fajtor.”– tha Mateo Saho. “Kjo tregon faktin që nuk kemi efikasitet në kryerjen e investimeve publike as më shumë nga AKSHI. Fakti që ato kanë rënë sot tregojnë që investimet që janë bërë janë të brishta dhe joefikase.”- u shpreh Gjergj Buxhuku.
Av.Zaçe Islami: Populli të fillojë protestat deri në rrëzimin e diktaturës
Avokati Zaçe Islami për “Telegraf” analizon se ky skandal kërkon automatikisht dorëheqjen e qeverisë, ndërsa personat që kanë detyrim ligjor për ruajtjen e të dhënave personale të të gjitha fushave , në këtë rast duhet të arrestohen dhe të merren të pandehur. Avokati i jep përgjigjen shqetësimit të qytetarëve që veç padisë në prokurori, si për rastin e patronazhistëve, të veprohet individualisht, por edhe nga kompanitë e bizneseve për nxjerrjen e të dhënave personale mbi pagat, target e automjeteve numrat e telefonit dhe të tjera si pronat, llogaritë bankare që sipas deklaratave mediatike pritet të dalin, duke ju drejtuar për dëmshpërblim edhe gjykatës. Por sipas Av.Zaçes, rruga më e mirë është protesta popullore , pasi gjykatat një pjesë janë të kapura dhe një pjesë janë nën presionin e qeverisë dhe levave të saj. Po, cilat janë fazat që rekomandon avokati?
Ja analiza e plotë e Av.Zaçe Islamit:
Së pari , në rastin konkret ka rënë plotësisht shteti, që do të thotë se automatikisht qeveria duhet të japë dorëheqje të parevokueshme, ndërsa personat që kanë detyrim ligjor për ruajtjen e të dhënave personale të të gjitha fushave, në këtë rast duhet të arrestohen, të merren të pandehur dhe gjykata jep dënimet përkatëse sipas ligjit. Por si gjithmonë edhe në këtë rast, do mbarset mali e do pjellë një mi. Diktatura nuk i dënon zyrtarët që i shërbejnë . Por e vërteta qëndron ndryshe , unë mendoj se në të dy rastet si për patronazhistët ashtu edhe për pagesat , publikimi i tyre është bërë me urdhër të kryeministrit. Qëllimisht kryeministri i publikon këto të dhëna për të provokuar trazira me qëllim që të shfrytëzojë situatën për ndërhyrje me dhunë duke u justifikuar se do ruajë rendin. Nga ana tjetër personat që kanë publikuar të dhënat e dinë që nuk do t’u kërkojë kush llogari se çdo veprim që kanë kryer kanë urdhrin e kryeministrit, i cili nga ana e tij ka të tërë sistemin e drejtësisë nën urdhrin e tij. Do marrim rastin e ankimit të qytetarëve në Gjykatë. Tashmë dihet botërisht që gjykata zbaton urdhrat e kryeministrit dhe jo ligjet e shtetit. Këto dy skandale që kanë ndodhur në Shqipëri , në një vend demokratik do shkaktonin menjëherë dorëheqjen e qeverisë ose kryengritje deri në rrëzimin e diktaturës. Ajo që vihet ré në këtë situatë është heshtja vrastare e perëndimorëve dhe veçanërisht e ambasadores Kim e cila për ditë po mashtron me reformën në drejtësi, të cilën e shet si sukses, por që në fakt është e kundërta: Dështim i qëllimshëm i reformës. Dvorani është për në burg dhe ajo na sjell dekorata për të. O tempora o mores. Mund ta dimë ne se përse i paguan shteti shqiptar punonjësit e ambasadës amerikane? Sot de fakto jemi në neodiktaturën komuniste , fakt që mishërohet me despotizmin absolut të kryeministrit, i cili shkel të gjitha ligjet, që rrëzojnë politikën e interesave të tij. Në bazë të ligjit për të drejtën e informimit , i cili është ligj kushtetues , shteti duhet të japë çfardo lloj dokumenti që kërkon qytetari përveç dokumentave të klasifikuara. Por çfarë ndodh në realitet? Qytetarët sorollaten me muaj e vite dhe nuk gjejnë drejtësi apo të disponojnë dokumentat që ju nevojiten. Është situatë shpërthyese ndaj unë mendoj se populli duhet të fillojë me një herë protestat deri në rrëzimin e diktaturës.
Siguria kombëtare në duart e krimit, dëmshpërblim për qytetarët
Av. Kujtim CAKRANI
A duhet qytetarët veç padisë në prokurori , si në rastin e patronazhistëve, por edhe në rrjedhjen e të dhënave personale, t’i drejtohen për dëmshpërblim edhe gjykatës . Nëse po cilat janë fazat që rekomandoni si avokat?
Siç dihet tashmë pas skandalit të patronazhistëve, të cilët u përdorën nga Partia Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit 2021, nga ku mbikqyreshin plot 910 mijë qytetarë ,të cilëve me anë të veprimeve të kundraligjshme të identifikimit personal , ku qytetarët i kishin dhënë ato vetëm tek portali shtetëror e-Albania, ju kërkohej të votonin Partinë Socialiste. Plot 8 muaj më pas doli dhe u bë publik një tjetër skandal, por këtë radhë i përmasave më të mëdha dhe shumë herë më i rëndë pasi u bënë publike pagat e 637 mijë qytetarëve shqiptarë për muajin janar 2021 dhe 694 mijë qytetarëve në muajin prill. Bashkë me pagat u bënë publike edhe numri i identifikimit personal i këtyre qytetarëve pra ID. Vetëm disa orë më pas u bënë publike edhe targat e automjeteve të rreth gjysëm milioni shqiptarëve bashkë me nr e telefonit përkatës. Të dyja këto raste si e pagave të qytetarëve, por edhe target e automjeteve janë akte shumë të rënda si nga pikëpamja e lirive dhe të drejtave të njeriut ashtu edhe nga pikpamja e rendit dhe sigurisë së qytetarëve si rrjedhojë edhe sigurisë kombëtare. Nxjerrja dhe bërja publike e pagave nga pikëpamja ligjore është e dhënë personale apo siç njihet nga ligji për mbrojtjen e të dhënave personale janë të dhëna sensitive. Institucionet përgjegjëse janë pikërisht Ministria e Financave, pasi ajo ka nën varësi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që është institucioni ku janë grumbulluar këto të dhëna për shkak të ligjit. Natyrisht pa përgjegjësi nuk është edhe Këshilli i Ministrave pasi është institucioni më i lartë që mbikqyr çdo institucion tjetër përfshirë edhe Ministrinë e Financave, por edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Natyrshëm lind pyetja: Qytetarët mund të kërkojnë dëmshpërblim për këtë dëm që i është shkaktuar? Patjetër që po, qytetarët në mënyrë të organizuar, por edhe veç e veç mund të jenë kallëzim penal pranë organit të akuzës prokurorisë. Gjithashtu ata mund t’i drejtohen gjykatës për të kërkur shpërblim dëmi jopasuror parashikuar kjo në dispozitat e kodit civil. Është e drejta e çdo qytetari përcakton ligji kur është cënuar në nderin dhe personalitetin e tij nga veprime të kundraligjshme të kujtdo qoftë ky edhe organ shtetëror të kërkojë shpërblim dëmi. Unë si avokat i rekomandoj çdo qytetari të që në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit të tij të marrë guximin dhe t’i drejtohet gjykatës me padi civile ndaj shtetit shqiptar, që në mënyrë abuzive ka shpërdoruar besimin e tij duke bërë publike jetën e tij private që në rastin konkret janë nxjerrja e pagave, nr e ID, nxjerrja dhe bërja publike të nr të targave të automjeteve. Vetëm kështu mund të vendoset në vend nderi dhe personaliteti i çdokujt. Kjo nuk është vetëm një veprim në mbrojtje të nderit dhe personalitetit, por tregon edhe një shkallë qytetarie dhe në këtë mënyrë shtetit i tregohet se nuk mund të tallet me të. Pra të drejtat e qytetarëve për t’i drejtuar gjykatës për dëmshpërblim janë të ligjshme dhe të garantuara nga kushtetuta e republikës por edhe nga KEDNJ. Ndoshta jo të gjithë qytetarët e kuptojnë rëndësinë e kësaj, që ka ndodhur, por të gjithë qytetarët tani e tutje janë të ekspozur si për të ardhurat e tyre ashtu edhe për automjetin. Nr. ID është një rrezik shumë i madh pasi me të mund të abuzohet në marrjen e kredive apo mënyra të tjera të përfitimit me anë të mashtrimit. Krimi organizuar tashmë ka mësuar edhe personat me të ardhura të larta dhe këta qytetarë mund të jenë subjekt i tyre duke i kërcënuar në forma mafioze për marrjen e pasurisë etj. Pra me nxjerrjen e tyre në rendi publik është në një rrezik. Prandaj qytetarët dhe t’i kërkojnë shtetit shqiptar llogari për këtë akt të paprecedentë në ndonjë vend demokratik. Nëse në ditët e ardhshme do të dalin edhe të dhëna të tjera pasuritë e patundshme të shqiptarëve do të jetë një problem shumë i madh për sigurinë kombëtare, pasi praktikisht shteti ka rënë dhe është në kaos. Shpresojmë që kjo mos të ndodhë pasi askush nuk dëshiron që vendi të kthehet pas në kohë. Kallëzimi penal për zbardhjen e kësaj çështje dhe çuarjen para drejtësisë së personave përgjegjës, dhe dëmshpërblimi financiar është një formë e çuarjes në vend të personalitetit të çdo kujt që merr mundimin dhe iniciativën për të vepruar.
A ka përgjegjësi nga ana e administratës?
Sigurisht që përgjegjës për këtë janë institucionet përkatëse Ministria e Financave, që ka nën varësi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga ku ka dalë dhe janë bërë publike të dhënat mbi pagat e qytetarëve. AKSHI është një tjetër institucion që ka përgjegjësi ligjore për administrimin dhe mbrojtjen e sistemit elektronik ku sipas të dhënave shpenzon shuma të mëdha për administrimin dhe ruajtjen e tyre. Është AKSHI që ka detyrimin ligjor të jetë në çdo moment në vigjilencë të plotë kur persona haker kërkojnë të hyjnë në serverat ku ruhen të dhënat e çdo institucioni. Mos vigjilenca apo shpërdorimi i detyrës nga ana e personave përgjegjës bënë që të ngarkojnë me përgjegjësi penale institucionin e AKSHI. Nga ana e autoriteteve shtetërore saktësisht nga kryeministri është kërkuar që institucionin e AKSHI ta nxjerrë pa faj në këtë çështje. Kjo përpjekje e kryeministrit nuk bën gjë veçse pengon drejtësinë të veprojë në zbardhjen e kësaj çështje. Gjithsesi qytetarët tashmë janë të bindur se për këtë akt të paprecedent faji dhe përgjegjësia është e institucioneve përgjegjëse, Ministria e Financave, Qeveri dhe AKSHI.
A përligjet mosdhënia e informacioneve të tjera shtetit, pasi ato janë të pambrojtura?
Qytetarët duhet të kuptojnë që në Shqipëri ka një ligj për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe në këtë ligj është e përcaktuar qartë kush janë të dhënat që bëhen publike. Gjithashtu në këtë ligj është përcaktuar kur të dhënat bëhen publike me pëlqimin e vet personit, por edhe kur të dhënat personale janë rreptësisht të ndaluara të publikohen. Qeveria, institucionet qëndrore dhe lokale nuk kanë asnjë të drejtë të përcaktojnë kë të drejta do të nxjerrin e kë jo! Nëse ato i kanë të dhënat e qytetarëve për shkak të përpunimit të tyre për arsye objektive nuk nënkupton që ato duhet t’i nxjerrin ato në publik. Nuk ka të dhëna personale, që janë të pambrojtura nga ligji, jo nuk ka asnjë të dhënë sensitive, që në asnjë rast nuk publikohen! Ka të dhëna personale, që jepen vetëm me pëlqimin e vetë qytetarit. Si përfundim qytetarët duhet të kuptojnë dhe mësojnë të drejtat e tyre. E them këtë, sepse sot shumica e qytetarëve mendon se jeta dhe vdekja e tyre varet nga shteti, jo se ata kanë të drejtat e tyre që mbrohen si nga ligjet e posaçme , ashtu edhe nga Kushtetuta e Shqipërisë Konventa Europiane të Drejtave të Njeriut.
Avokatët padi ndaj shtetit për dëmshpërblim, pas skandalit të pagave
Avokatët Kujtim Çakrani dhe Arjon Besimaj kanë depozituar një kallëzim penal ndaj shtetit pas publikimit të pagave. Dy avokatët kërkojnë 100 mijë lekë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar pas nxjerrjes së të dhënave personale në publik.“Të nderuar miq! Bashkë me kolegun av. A.B sapo dorëzuam në gjykatë kërkesë padinë kundër Qeverisë Shqiptare, Ministrisë të Financave, AKSHI etj, objekti i së cilës është; Shpërblimi i dëmit jopasuror si pasojë e nxjerrjes të të dhënave personale, pagat ID. Është një padi ku ndër të tjera çojmë në vend nderin dhe personalitetin tonë si qytetarë në radhë të parë dhe si jurist, që kuptojmë çfarë do të thotë të nxjerrësh në publik të dhënat personale”,- shkruan Cakrani. Kujtojmë se dy avokatët më herët kanë paditur edhe Ujësjellësin dhe OSHEE-në në Vlorë, pasi pretendojnë se në këto dy institucione janë punësuar njerëz për qëllime elektorale.
Ledio Braho: 630 mijë qytetarë të bëjnë padi në prokurori dhe të kërkojnë dëmshpërblim
Juristi Ledio Braho u bëri thirrje 630 mijë shqiptarëve të prekur nga skandali i publikimit të pagave të bëjnë një kallëzim për këtë shkelje që iu është bërë.
Ai theksoi se, ndoshta në këtë mënyrë, institucionet e drejtësisë do të kuptonin rëndësinë e asaj që ka ndodhur.
“Në momentin që shohim një shtet kaq apatik, institucione drejtësie kaq apatike, mendoj se ka ardhur momenti që një veprim të bëhet. Janë 630 mijë shqiptarë ndaj të cilëve është kryer një vepër penale. Nëse secili prej këtyre 630 mijë shqiptarëve të bënte një denoncim në prokurori, atëherë kjo mund ta bëjë këtë institucion të kuptojë rëndësinë e kësaj që ka ndodhur. Duke bërë kështu debate televizive, statuse në Facebook, mbase askush nuk e merr seriozisht. Hajde, të gjithë shqiptarët të bëjmë një akt procedurial të vëmë këto institucione në lëvizje. Këtu pak gjëra kanë ngelë për të dalë”, u shpreh Braho.























