Floida Kërpaçi: Duhet të vijë dita që Shqipëria të ketë një mendësi të re politike

504
Sigal

Intervista e Kryetares së LRI, ish-deputetes, Floida Kërpaçi për emisionin 7pa5 në Vizion Plus

Ky do të jetë aksioni? Do të jenë protestat sërish në qendër të aksionit të opozitës?

Data 30 qershor ishte një ditë historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët të cilët i refuzuan votimet socialiste, 85% e të cilëve kërkuan të luftojnë për demokracinë, të luftojnë për një Shqipëri më të mirë, të luftojnë për mirëqenie, por mbi të gjitha të vazhdojmë kauzën tonë për një Shqipëri më të mirë pa Edi Ramën dhe pa rilindjen. Kështu që pa diskutim ne i përgjigjemi sovranit dhe si me datë 8 korrik dhe kështu patjetër që do të vazhdojë aksioni ynë politik pa u ndalur, sepse në këto momente historike të vendit tonë qëndresa dhe vazhdimësia e protestave përballë këtij regjimi diktatorial dhe monist të Edi Ramës  është detyra e çdo qytetari.

Cili do të jetë tashmë slogani që do të ketë opozita e bashkuar?

Më 30 qershor opozita e bashkuar e fitoi kauzën e saj, sepse nuk pati zgjedhje, por pati votime të PS-së. Edhe Bindja Demokratike doli e treta, se të dytët dolën prap qytetarët që i bënë fletët e votimit të pavlefshme. Qytetarët i dhanë votave të pavlefshme një zë dhe i treguan kësaj qeverie, se me presion dhe me shenjat e gishtave, me foto të çuara në grupet e drejtorëve të ndryshëm për ti treguar që “ja po votojmë” nuk mund të vazhdojë ky vend që kërkon të eci përpara në BE. Ashtu sikurse nuk mund të vazhdojë ky vend me politikanë që kanë mendësi të vjetër, të cilët duan ta zhbëjnë shtetin, ta nxjerrin nga shinat kushtetuese dhe ta marrin në duart e tyre për të kontrolluar të gjitha pushtetet. Kjo nuk mund të vazhdojë më. Këta njerëz duhet të largohen nga politika, njerëz që kanë vjedhur, kanë zhvatur dhe kanë krijuar dëme ekonomike në kurriz të familjeve shqiptarëve duhet të dënohen dhe duhet të vijë kjo ditë. Duhet të vijë dita që Shqipëria të ketë një mendësi të re politike.

Ku do të vijë, sepse duhet të vijë përmes zgjedhjeve?

Kjo ditë do të vijë dhe do ti përgjigjet sovranit dhe sovrani iu përgjigj thirrjeve të opozitës së bashkuar për ti braktisur votimet moniste. I braktisi masivisht në të gjithë Shqipërinë dhe në fakt unë ndihem shumë krenarë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat të cilët e refuzuan këtë qeveri që nuk i ka dhënë asnjë shpresë rinisë përkundrazi i ka detyruar që të largohen nga Shqipëria sepse këtu nuk ka as arsim, as mirëqenie, as punësim, as prosperitet për të zhvilluar të ardhmen.

Ka shumë analistë që mendojnë se opozita pas 30 qershorit është më e dobët…

Ne kemi pushtetin e zemrave, kemi pushtetin e qytetarëve, kemi pushtetin e njerëzve të lirë të cilët duan të jetojnë për një Shqipëri më të mirë. Ne kemi pushtetin e të rinjve dhe të rejave të cilët nuk duan të largohen nga Shqipëria dhe prandaj e refuzuan këtë Kryeministër dhe këtë qeveri duke mos shkuar në votime apo duke i nxjerrë ato fletë të pavlefshme. Ky është pushteti më i madh që mund të kenë partitë politike. Nuk kemi pushtetin e vendeve të punës, ne asnjëherë nuk kemi luftuar për këtë gjë.

Por njerëzit kanë nevoje për një vend pune, për të jetuar..

Njerëzit kanë nevojë për një politike dhe alternativë për të mos ikur nga Shqipëria. Kjo është alternativa që ne japim. Këto janë programet që ne si një opozitë e bashkuar kemi bërë thirrje për programet ekonomike, për programin arsimor, për programin në shëndetësi, për programin për moslargimin e të rinjve nga Shqipëria, për programin për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Kjo është alternativa jonë dhe kësaj alternative qytetarët shqiptarë i qëndruan deri në fund edhe i braktisën votimet e partisë.

Edhe sikur të jetë shifra juaj që të jemi në nivelin e 15% që  ju deklaroni, mendoni se nëse ju do të kishit marrë pjesë në garë dhe do kishte një pakënaqësi kaq të madhe ndaj qeveria mund të kishit marrë shumë më tepër bashki sesa keni pasur në zgjedhjet e kaluara…

Qytetarët shqiptarë e treguar që ishin me opozitën. 85% e tyre nuk shkuan të votonin. Nuk u bën pjesë e asaj farse dhe atij votimi farsë.

Mendoni se ishte vendim i drejtë djegia e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhje?

Djegia e mandateve, ne e kemi theksuar disa herë që padiskutim nuk ishte një vendim i lehtë. Madje ishte ekstrem por ishte e vetmja zgjidhje në këtë krizë të madhe dhe përballë këtij njeriu i cili synon që të kapi dhe të drejtojë të gjitha pushtetet. Ne nuk mund të vazhdonim të rrinim në parlament edhe të ishim fasadë, të ishim një fasadë e një kryeministri apo të ishim përballë një modeli,që është modeli unë si e re të vazhdoja të isha përballë një modeli krimineli, trafikanti apo njerzve të cilët nuk e duan demokracinë dhe nuk e  duan zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë ne Bashkimin Europian prandaj ne morëm këtë hap ekstrem dhe treguam që ne nuk kemi frikë as nga reforma në drejtësi sepse sot jam pa imunitet. E dorëzova mandatit tim dhe në qoftë se kam diçka të vijnë dhe të më hetojnë, nuk kam asnjë lloj problem dhe unë dhe të gjithë deputetët e tjerë që e dorëzuam. Sot nuk kemi asnjë lloj benefiti tjetër, jemi qytetarë të lirë dhe të thjeshtë të vendit tonë të cilët dalim dhe protestojmë sepse e duam Shqipërinë dhe treguam që interesi jonë është interesi për Shqipërinë nuk është interesi për karrigen edhe për pushtetin apo për imunitetin. Ne kemi interes për Shqipërinë dhe kemi interes për të bërë shtet, dhe për të forcuar demokracinë e këtij vendi.

Menjëherë pas rezultatit së zgjedhjeve të 30 qershorit, Kryeministri Rama në daljen e tij në konferencë shtypi la të hapur mundësinë e një marrëveshje, mendoni që është momenti që klasa politike të tregojë maturi ndoshta të gjithë të tërhiqen nga pak dhe të arrini një marrëveshje ku të jetë sistemi ai që mbizotëron jo këto pazaret e vogla që jemi mësuar ti shohim gjithmonë në situate krize?

Ne e kemi thënë gjithmonë që sistemi duhet të funksionojë, sot nuk funksionon sistemi se sistemi është kapur nga ai njeri që del edhe bën propagandë siç është mësuar të bëjë propagandë se kërkon që të bëjë marrëveshje,kur në fakt nuk e do marrëveshjen, nuk e donte këtë gjë sepse donte që ta kapte edhe zgjedhjet dhe të thoshte shiko se unë me shumicën, pavarësisht se dështoi e janë në një rënie të jashtëzakonshme si Parti Socialiste. Kështu që padiskutim ajo që ne duam për vendin është që të ketë stabilitet, është që të ketë paqe edhe të ketë mirëqenie, por ky njeri ka treguar që nuk prodhon stabilitet për vendin dhe për rajonin, nuk e do integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe nuk punon për tu arritur objektivat e mëdha edhe madhore që kërkon vendi për të ecur përpara. Padiskutim me Edi Ramën nuk mund të ketë marrëveshje.

Cili është qëndrimi apo qasja që ka Lëvizja Socialiste për Integrim ndaj 13 tetorit që është datë e dekretuar nga Presidenti Meta për zgjedhjet?

Ne si Lëvizje Socialiste Për Integrim padiskutim që besojmë dhe jemi me ligjin dhe me kushtetutën dhe padiskutim që Presidenti I Republikës është ai që dekreton dhe ç’dekreton datën. Kështu që ashtu si gjithë qytetarët Shqiptar që e duan ligjin dhe ne besojmë tek ligji. Ligjji e përcakton qartë është Presidenti ai që e përcakton datën, kështu që padiskutim edhe ne e respektojmë datën 13 tetor
Pra do të bëheni gati për zgjedhje më 13 tetor, pavarësisht se Edi Rama mund të jetë aty si kryeministër sepse kushti që kishte opozita ishte ne shkojmë në zgjedhje nëse ikën Edi Rama.
Edi Rama, nuk do të jetë kryeministri i Shqipërisë, në 30 qershor nuk u bënë zgjedhje, u hapën disa ambiente socialiste edhe u bënë votime partiake, ato mund të ishin bërë edhe në Pallatin e Kongreseve dhe shumë mirë këta që zgjodhën tani le ti bëjnë koordinatorë të fushatës.

Kolegji Zgjedhor do ti japi mandatet kryetarëve të rinj të bashkive…

Kolegji është socialist, pra janë të gjithë në funksion të socialistëve dhe të kryeministrit, sepse ai i bën presion, i shantazhon dhe i ka vendosur të gjithë në funksion të tij dhe për këtë kapje të sistemit jemi ne sot në protestë dhe zgjodhëm të ishim pjesë e një rruge sa radikale si djegia e mandateve, por edhe të vështirë sepse përballë një njeriu të tillë që po e dëmton të ardhmen e Shqipërisë në integrimin Evropian, e vetmja detyrë e jona është qëndresa, protesta dhe të vazhdojmë deri në fund.

E dëmton opozitën fakti që duket sikur ndërkombëtarët e legjitimojnë qeverinë, nismat dhe zgjedhjet e 30 qershorit?

Historia ka treguar që në momente të ndryshme ndërkombëtarët kanë mbajtur qëndrime formale, por  unë në fakt nuk mendoj që në vende të ndryshme të botës të zhvilloheshin votime të tilla do të  mbanin të njëjtin qëndrim edhe në vendet e tyre, gjithsesi ne si drejtues politik, por edhe si qytetarë shqiptar, kemi detyrën tonë që të shkojmë tek çdo qytetarë shqiptar dhe ti bindim ata se kjo është lufta dhe kjo është detyra jonë për demokracinë, për të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi.

Protesta e datës 8 do të jetë e qetë?

Protesta e datës 8, padyshim do të jetë e qetë, ne gjithmonë kemi bërë thirrje për protesta të qeta se për ne nuk është e rëndësishme dhuna, për ne është e rëndësishme misioni që kemi dhe misioni është për të ardhmen e qytetarëve shqiptar, për integrimin Europian, për ekonominë dhe mbi të gjitha për të rinjtë dhe të rejat, për ti rikthyer shpresën për të jetuar në Shqipëri.