Fjala në Kuvend e deputetit të LSI, Endrit Braimllari

618
Të nderuar koleg, i nderuar drejtues i seancës. Sot është ndoshta seanca më e rëndësishme e këtij parlamenti sepse do diskutojmë për çështje shumë të ndjeshme që prek drejtpërdrejtë qytetarët, por kryesisht familjet në nevojë të këtij vendi. Është bërë normale tani në Shqipëri, për shkak të keqqeverisjes, të kemi një sërë problemesh që shqetësojnë jetën e përditshme të çdo shqiptari. Kjo qeveri nuk flet për politika konkrete në shërbim të familjeve në nevojë, për politika fiskale që çlirojnë biznesin dhe krijojnë një cikël korrekt të funksionimit të ekonomisë për të hapur vende të reja pune. Është e vështirë të flitet për investime të huaja në vend, të cilat do e kthenin Shqipërinë në një vend të rëndësishëm ekonomik, ku shumë qartë raporti i fundit i BERZH për investimet e huaja e deklaron qartë që Shqipëria është vendi i fundit në Ballkan. Pra, nuk ka investime të huaja pasi këtë vend e drejton një qeveri pa vizion, pa një politikë të qartë në këtë drejtim sepse kjo qeveri nuk ofron besueshmëri tek investitorët për shkak të lidhjes me krimin dhe korrupsionin qeveritar, të cilët e kanë kthyer Shqipërinë në një vend të pasigurtë me një klimë jo pozitive për investimet e huaja dhe biznesin vendas. Skema e vetme e qartë e kësaj qeveri ka të bëjë më mënyrën e pastrim të parave të drogës, duke i futur nëpërmjet buxhetit të shteti dhe duke i lënë shqiptarët gjithmonë dhe më të varfër dhe të pashpresë.
Kjo është qeveri e oligarkisë. E kuptoj që ju dhemb kjo fjalë por kjo tanimë është realitet. Çdo ligj që ju sillni jo vetëm në parlament, por edhe projektvendimet që vijnë nga kryetarët tuaj të bashkive, bëhen në zyrat e oligarkisë. Kjo gjë bëhet në kurriz të familjeve të thjeshta të këtij vendi që me mund dhe djersë kanë arritur të ndërtojnë dhe të investojnë në këtë vend. Papunësia në këtë vend çdo ditë e më shumë rritet, kjo tanimë është një realitet. Nga INSTAT-i raportohet për rritjen e papunësisë në disa qytete të Shqipërisë. Një ndër këto është dhe Vlora që ju e keni shumë për zemër, pra një qytet turistik dhe nuk arrin të ulë normën e papunësisë. Kjo është e qartë e cila ka të bëjë nga paaftësia juaj qoftë në pushtet qendror por dhe në atë lokal. Ekonominë e vendit e keni çuar në ditët më të zeza. Qeveria ka rritur taksat dhe tatimet. Tarifat lokale të bashkive janë rritur ndjeshëm. Keni 3-fishuar taksën e biznesit e cila prek të gjitha familjet shqiptare. Përfshirja në skemën e TVSH-së së biznesit të vogël, do të sjellë falimentimin e bizneseve, do të rrisë çmimet e konsumit dhe do të nxjerrë pa punë më mijëra qytetarë. Ju i keni varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët falë një politike arrogante dhe pa perspektivë. 
Shqiptarët nuk kanë nevojë për show-un tuaj qeveritare, por kanë nevojë për vende të reja punë, për politika rinore që krijojnë mundësi punësimi këtu në vendin tonë. Biznesi ka nevojë për çlirim dhe jo për inspektor pafund që i shkojnë çdo ditë duke i bërë presion. Ju nuk duhet ta trajtoni biznesin si një instrument që vendosen gjoba pa fund vetëm sepse drejtoritë tuaja duhet të realizojnë planin mujor. Politika juaj nuk është politika e punësimit. Sot çdo ditë e më shumë shqiptarët mbeten të papunë, të rinjtë me këtë qeveri nuk gjejnë shpresë për një të ardhme më të mirë, papunësia e të rinjve në Shqipëri është shumë e lartë. Ju po e orientoni rininë drejt drogës sepse këtë mundësi i keni lënë nuk i keni dhënë mundësinë e punësimit. Nuk ka kjo qeveri asnjë vizion për punësimin e të rinjve, nuk dëgjon asnjë përfaqësues të kësaj qeveri të flasë për këto çështje kaq të rëndësishme. Ju e përdorni qeverinë për presion ndaj të varfëve. Nuk flisni ju për mundësi punësimi sepse nuk e ofroni dot, nuk shoh asnjë strategji të tillë ku të stimuloni bizneset me stimuj fiskal dhe subvencionues për të punësuar të rinj, nuk jepni grante për bizneset START-up në pronësi të të rinjve. Drejtoni pjesën më të madhe të bashkive në vend dhe nuk ka asnjë politikë fiskale në shërbim të të rinjve. I vetmi shërbim që bëni ju është shërbimi i oligarkisë së kullave dhe mbështetja e trafikantëve. 
Shkoni dhe shikoni se çfarë bëhet në qytetet kryesore të Shqipërisë, të rinj që rrinë rrugëve dhe të pashpresë, familje që vajtojnë në varfëri ekstreme, dhe nga ana tjetër shikojmë pushtetarë të oborrit tuaj, që me arrogancën e tyre tallen më djersën e qytetarëve. Ju keni në mendje vetëm sesi do ndani pushtetin e partisë tuaj në çdo bashki. Po bëhen barsoleta pa fund për përfaqësuesit tuaj qesharak që zihen e grihen me njëri tjetrin se kush merr më shumë terren për të emëruar ndonjë drejtor, që më pas ta ketë si sponsor personal për të mbuluar tekat dhe qejfet e tij. Kjo është politika që ju i ofroni sot shqiptarëve, një politikë klienteliste dhe aspak në shërbim të qytetarëve të këtij vendi. Ju nuk mendoni për njerëzit në nevojë, i keni hequr ndihmën ekonomike më shumë se 20.000 familje pa një qartësi sesi ka ndodhur ky proces. Ato familje janë në pikën e hallit në një varfëri ekstreme, ju shkoni dhe i hiqni ndihmën ekonomike duke bërë përzgjedhje selektive politike sepse ju këtë qëllim keni: varfëro gjithmonë dhe më shumë shqiptarët me synimin që ato të mos kenë mundësi të ngrenë zërin. Kjo është strategji tipike diktatoriale. Kryetarët e organizatave të partisë shtet përcaktojnë se kush do marrë ndihmë ekonomike. Çdo gjë e përcakton partia. Ky mekanizëm që ju po instaloni është një mekanizëm kriminel. Njerëzit e këtij vendi nuk do t’jua falin kurrë sepse ju po luani me jetën e shqiptarëve për kapitalin tuaj politik. Është mizore sesi ju përcaktoni ndihmën ekonomike në zonat e ndryshme të Shqipërisë. Sot Shqipëria ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme që nuk bën politikë me fatkeqësinë e shqiptarëve, por prodhon politika kombëtare në shërbim të vendit.
Sigal