Fatos Lubonja për gazetën hollandeze: Perëndimi mban në këmbë narko-shtetin në Shqipëri

556
Sigal

“Është mit që Shqipëria po lëviz drejt demokracisë perëndimore. Viktimë e këtij miti janë shqiptarët”, – thotë Fatos Lubonja, publicist dhe ish-i burgosur politik në Shqipëri.

Nga Fatos Fubonja, botuar në De Volkskrant*

Në pranverë të 2019 partitë opozitare braktisën parlamentin. Bashkëpunimi i krimit të organizuar me Partinë Socialiste në pushtet në zgjedhje ishte tejet i dukshëm. Ato nuk donin të ishin më fasada demokratike e një narko-shteti. Gazeta “The Independent” e quajti Shqipërinë Kolumbia e Europës. Protestat dhe mosbindja civile do duhej ti alarmonin opinion publik në vend si edhe politikanët perëndimorë. Por Bruksesi paragjykoi opozitën dhe vazhdoi mbështetjen e qartë për qeverinë.

Argumenti më i rëndësishëm: ju keni bërë progres drejt standardeve tona, ndaj nuk duhet ta braktisni parlamentin. Dhe tani edhe Holanda është dakord që BE të nisë procedurat e pranimit për Shqipërinë.
Por pse kjo mbështetje për një qeveri të korruptuar dhe autoritare, e cila gjithmonë e më shumë bashkëpunon me krimin e organizuar? Sepse Bashkimi Europian dhe SHBA preferojnë “stabilokracinë” mbi demokracinë dhe mbi rrezikun e rritjes së influencës turke dhe ruse në rajon. Për Amerikën është e rëndësishme që Shqipëria pranoi të mbajë grupin e muxhahedinëve iranianë si refugjatë. Por arsyeja e vërtetë e kësaj mbështetje është diku tjetër.

Tranzicioni i vendeve ish-komuniste drejt modelit perëndimor të demokracisë është bazuar në dy paradigma: “fundi i historisë” nga Fukujama dhe “vende të shkatërruara” nga Huntingon. Elitat perëndimore të vendeve të Lindjes duhej ti udhëhiqnin njerëzit e tyre (në kundërshtim me mentalitetin lindor të këtyre popujve të quajtur me të drejtë “vende të shkatërruara” nga Huntington) drejt “Tokës së Premtuar” të cilën Perëndimi vete e kishte arritur tashmë (Fukujama). I ashtuquajturi “tranzicion” në të vërtetë do të bënte të mundur ekspansionin e Perëndimit sipas këtij modeli i cili më pas do të pushtonte gjithë botën.

Udhërrëfyes për popullin

Elitat politike perëndimore do ti supervizonin vendet e Europës Lindore në këtë tranzicion 30-vjeçar. Elitat lindore – një legjitimim i pushtetit të tyre – do shërbenin si udhërrëfyese për popullin. Ato bënin garë se kush i zbatonte standardet perëndimore më mirë. Disa vende janë sot anëtare në BE; Ballkani Perëndimor, ojesa e fundit e këtij karvani, do zhvillohej më me vështirësi.

Me Trump, Brexit dhe lëvizjet drejt sovranitetit në vendet e BE-së, Perëndimi nuk është në fakt “Toka e Premtuar”. Zhvillime autoritare në Hungari dhe Poloni, dhe me Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në paradhomë: e ardhmja është e zbehtë.

Ekonomia shqiptare ka qenë gjithmonë e dobët, informale dhe e kriminalizuar – dhe vitet e fundit ajo financohet gjithmonë dhe më shumë nga krimi i organizuar. Shpërthimi i ndërtimeve masive në Tiranë nuk është gjë tjetër veçse pastrim parash i krimit të organizuar shqiptar në Europë. Politika shqiptare gjithmonë e më shumë i ka promovuar këto interesa. trafikantët dhe vrasësit janë futur në parlament. Që ata u bënë edhe kryetarë bashkish në qytetet e vendit, kjo as që nuk mund të imagjinohej në vitet 90-të.
Shumë shqiptarë e kanë braktisur vendin në vitet e fundit. Sipas agjencisë Gallup (2017) 56% e tyre donin të emigronin. Në vitin 2100 Shqipëria që sot ka 2,87 milion banorë do të numëronte vetëm 512 000 banorë.

Progres?

Shqipëria nuk është në tranzicion për anëtarësim në BE. Aty po rritet një narko-regjim autoritar gjithmonë e më shumë. Por pse insistojnë euro-burokratët se Shqipëria ka bërë progres? Neo-liberalismi në Perëndim por edhe në vendet si Shqipëria ka dështuar. Por ndryshimi midis vendeve perëndimore me ato lindore është në masën e këtij dështimi dhe është e lidhur me sistemin e tyre imunitar. Në perëndim, neo-liberalism dhe globalizimi çuan në të ashtuquajturën “post-demokraci” (Colin Crouch), në të cilën politikanët janë thjesht administratorë të interesave ekonomikë të një grupi të vogël, ku shumica ngelet pa përfaqësim politik. Vendet si Shqipëria janë shembulli më i rëndë i kësaj post-demokracie. Diktatura kaloi direkt në post-demokraci pa jetuar fare fazën e demokracisë. Ky grupi i vogël në Shqipëri përbëhet nga eksponentë të krimit të organizuar të cilët e kanë kapur shtetin, ndaj dhe organet shtetërore nuk janë gjë tjetër veçse zgjatim i pushtetit të tyre ekonomik.

Mbështetja e BE dhe SHBA për narko-shtetin shqiptar vjen për shkak të refuzimit të tyre për të njohur dështimet e shkaktuara nga neo-liberalizmi dhe globalizmi si në vendet e tyre ashtu edhe në integrimin europian. Ndaj duhet mbajtur miti i tranzicionit, sepse vendet si Shqipëria janë “ndryshe” për shkak të së kaluarës së tyre komuniste. Këto vende do ti tejkalojnë vështirësitë me ndihmën e BE-së.

Euro-burokratët, njësoj si elitat e korruptuara në Ballkanin Perëndimor, duan ti qëndrojnë versionit të vjetëruar të tranzicionit në mënyrë që të ruajnë pushtetin e tyre. Ata i bëjnë thirrje opinionit publik të ketë kujdes nga lëvizjet populiste nga e majta apo e djathta (apo për vendet e konsideruara si armik gjeopolitik si Rusia). Por në fakt është BE dhe SHBA që kanë ndihmuar post-demokracitë – si ato humane edhe ato çnjerëzore – në ngritjen e tyre në Europë.